Boiken Abazi

Apologjia e “kroko-Grabovcit” – Boiken Abazi 

05 Shtator 2016 - E hënë 10:11

Shprendaj me te tjeret

Thuhet se krokodili në mënyrë hipokrite lëshon lotë duke shqyer prenë e tij, por fjalimi i Adem Grabovcit në Kuvend na bëri të kuptojmë se kjo çështje qenka pak më e thellë, dhe se krokodili këto lotë i lëshoka nga që i duket sikur është preja ajo që po e ha krokodilin. Me ketë imagjinatë që e përmbysë realitetin kokëposhtë e nisi më 1 shtator “apologjinë” e tij ish kroko-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, që ka vite që shqyen të gjitha institucionet shtetërore, për të treguar se ç’po heq nga përgjimet ku ka dalë në publik një pjesë e mirë e aktivitetit të tij kriminal. Në vijim do e vendosim të plotë apologjinë e kroko-Grabovcit pasi është e shkurtër dhe domethënëse – një “apologji” që mbetet në histori, ashtu siç ia ka ënda atij.

“U drejtohem juve, edhe të gjithë të tjerëve të cilët janë objekt të një bisede, që po e them me përgjegjësi të plotë, personalisht unë dhe familja ime jemi t’u kalu çaste tepër të vështira të terrorit. Që, vlerësoj, të falenderoj shumë, respektin që tregove, por po ta them ty dhe gjithë të tjerëve se të gjitha angazhimet e mia kanë qenë shumë të sinqerta, do të vazhdojë të jem shumë i sinqertë me ju, dhe me gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, t’u japë ndihmë dhe përkrahje, sa herë që kërkoni nga unë si një bashkështetas i juj, një vëlla, një mik i juj. Dhe po u them sinqerisht, nuk e besoj se ju i keni përjetu dhe po i përjetoni, më rëndë sesa unë dhe familja ime, dhe gjithë miqtë dhe dashamirët e mi, këto fyerje të cilat janë duke m’u bërë gjatë këtyre ditëve. Unë u kërkoj edhe një herë, sinqerisht, falje nga zemra dhe shpirti im, dhe shpreh keqardhje për këtë që po ndodh, dhe nuk e besoj që në një shtet të Evropës mund të ndodh që për një muj resht, të terrorizohet një njeri, një familje, dhe një popull i tërë për shkak të bisedave private”.

 

Ndërrimi i rremë i roleve ndodh që në fillim. Grabovci bëhet viktima, ndërsa ata që ai ka kërcënuar, shantazhuar dhe ofenduar, bashkë me opinionin publik, shndërrohen në grabitqarë terrorizues. Ky zëvendësim fiktiv ndodh atëherë kur publiku dhe publikja vazhdojnë të jenë mes dhëmbëve të pushtetit policor të Grabovcit dhe partisë së tij. Ndërkohë që ai bënë këtë “apologji” nga foltorja e Kuvendit, mbi 7000 policë (krerët e të cilëve janë caktuar nga Grabovci) kanë vendosur Kuvendin dhe Prishtinën nën shtetrrethim. Dy deputetë të opozitës janë arrestuar në hyrje të Kuvendit, dhe sakaq jashtë Kuvendit, policia arreston disa protestues. Pra, Grabovci shtrëngon kroko-nofullat jashtë sallës së Kuvendit, ndërkohë që ai lëshon kroko-lotët nga brenda. E gjithë kjo maskaradë bëhet ditën që pushteti, ku bënë pjesë Grabovci, ka caktuar për votimin e Demarkacionit (i cili dështoi) që i falë tokën e Kosovës Malit të Zi.

 

Kroko-Grabovci thotë se ne nuk e dimë çka po heq ai, pa hequr kurrë dorë nga posti i deputetit dhe nga privilegjet dhe pronat që pa të drejtë ka akumuluar për veten dhe familjarët e tij. Qytetarët kanë vuajtur me vite nga fjalët dhe vendimet e tij, por kjo nuk krahasohet me dhimbjen që ai po ndjen tani: jo për qytetarët, por për fyerjet e rënda që ka marrë përgjatë një muaji. Kështu i bie që është publiku ai që duhet t’i kërkojë falje. Por këtë kroko-Grabovci nuk e pretendon, se ai është zemërgjerë, siç thotë vetë, i gatshëm t’i ndihmojë – përgjimet na kanë treguar si dhe kë – ata që kanë nevojë për të. Ai është i sakrificës. Mjafton ta quajmë barazim vuajtjen e popullit prej tij me vuajtjen e tij prej ofendimeve të popullit – që ai i paska “përjetuar më rëndë” – dhe loja e dhunshme e pushtetit vazhdon. Sakaq, për familjen, kujtojmë dy kroko-djemtë e tij që nuk shkuan kurrë në burg për rrahjen brutale që iu bënë policëve që “guxuan” t’i ndalnin për tejkalim shpejtësie. Nëse janë aq të ndjeshëm sa babai, kush e di sa kanë qarë të gjorët duke i rrahur ata policë për spital.

Apologjia e kroko-Grabovcit, është antiteza e apologjisë së Sokratit. Ndërkohë që Sokratit iu bë gjyqi se po “korruptonte” rininë e Athinës antike duke e larguar nga perënditë e pushtetit, kroko-Grabovci bën apologji që mos t’i bëhet gjyqi, e të vazhdojë ta mbajë rininë shqiptare të lidhur me “perënditë” autoritare në pushtet. Sokrati u dënua pa bërë faj. Kroko-Grabovcit nuk çohet as në gjyq nga që krimi është aq i madh sa që rënia e tij mund të marrë me vete edhe gjithë sistemin e kalbur. Sokrati e bëri apologjinë e tij nga foltorja e gjykatës ku ishte ngritur akuza kundër tij, Kroko-Grabovci e bëri apologjinë e tij nga foltorja e Kuvendit që kontrollon partia e tij, dhe duke bërë arrestime të atyre që protestonin kundër tij. Por Sokrati dhe kroko-Grabovci e kanë një të përbashkët në apologjinë e tyre: të dy, në thelb, nuk kërkojnë falje për fjalët dhe veprimet e tyre. Kjo ngjashmëri e paimagjinueshme mes filozofit antik pa pushtet dhe kriminelit modern në pushtet, është historike. Prandaj duhet bërë kujdes kur dëgjojmë kroko-Grabovcin të deklaroj: “Historinë e shkruaj unë!”.

 

Por, nuk është filozofia e antikitetit vendi ku duhet kërkuar stili vetë-viktimizues i pushtetarëve si Grabovci, por historia e vonshme e Kosovës gjatë regjimit Serb. Në atë kohë Grabovci e ka luftuar Serbinë me trimëri dhe me gjithë qenien e tij, dhe për këtë Serbia e ka dënuar me disa vjet burgim. Të sinqertë në planet e tyre kanë qenë kolonizatorët serbë kur ankoheshin publikisht për “terrorin” që po kalonin serbët në Kosovë, dhe këtë retorikë e përdornin për të justifikuar persekutimet dhe masakrat mbi shqiptarët nga policia dhe paramilitarët serbë. Serbia e kishte gjithë pushtetin shtypës në dorë, ndërkohë që veten e paraqiste si viktimë. Prandaj të lë përshtypje që sot njerëz shumë të pushtetshëm si Grabovci, që më herët e kanë luftuar Serbinë, përdorin pikërisht të njëjtat taktika vetë-viktimizuese dhe inskenimet policore që përdorte kolonizatori. Përgjimet vërtetojnë se ai sinqerisht dhe me zell e ka kapur gjithë aparatin shtetëror për hesap të krerëve të kriminalizuar të PDK-së, por ndërkohë në apologjinë e tij, veten e paraqet si viktimë e “terrorit” të fyerjeve të publikut.

 

Afër fundit të apologjisë së tij, nuk kuptohet menjëherë çka është ajo që “po ndodh” për të cilën kroko-Grabovci ndjen keqardhje. Bisedat e tij private nuk kanë qenë për organizime dasmash familjare, por për kriminalizimin e shtetit – biseda private për çështje publike, për interesa të ngushta private. Për kapje në flagrancë në këtë lloj aktiviteti kriminal, në Evropën që ai merr për referencë, jo vetëm që do të ishte në burg tashmë, por burgut nuk do i kishin shpëtuar as bashkëpunëtorët e as kroko-djemtë e tij. Fjalët e fundit të apologjisë na ndihmojnë të zbërthejmë se ku e ka hallin, duke thënë: “të terrorizohet një njeri, një familje, dhe një popull i tërë …”. Këtu ai sqaron edhe njëherë ata që s’e kishin marrë vesh mirë që në fillim. Së pari ndjen keqardhje për veten, së dyti për familjen e vetë. Në fund, i vjen keq që populli ka marrë vesh përmes përgjimeve të vërtetën e dalë nga vetë kroko-goja e tij. Ai ka të drejtë kur mendon se e vërteta mbi krimet e tij mundet edhe ta ketë tronditur një popull. Atij nuk i vjen keq për krimet që ka bërë, por për faktin se e vërteta ka dalë në mejdan, dhe kjo është me të vërtetë terrorizuese për të.

 

Përveç përvojës organizative, Grabovci, i burgosuri politik nën pushtimin serb, duket se nuk ka lënë shenja të tjera në kroko-Grabovcin e sotëm, i cili kontribuon me gjithë qenien e tij për të mirëmbajtur një shtet policor ku pushteti është kamur duke përhapur skamje në popull. Në retrospektivë, ajo çka është bërë gjithnjë e më e qartë, është se disa njerëz në pushtet si kroko-Grabovci, luftën kundër Serbisë mund ta kenë nisur për çlirimin e Kosovës, por e kanë përfunduar duke i zënë vendin kolonizatorit dhe duke e imituar atë. Sakaq, ai vetë-viktimozohet ndërkohë që kontrollon policinë dhe e ndërsenë atë ndaj opozitës. Ky vetë-viktimizim i regjimit aktual është sinjali që reprezalja policore ndaj atyre që e kundërshtojnë ka për t’u intensifikuar ngaqë e ndjejnë se po i rrëshqet pushteti nga duart. Çlirimi prej ish-çlirimtarëve të këtij lloji është kthyer në domosdoshmërinë e kohës sonë drejt çlirimit të dytë të Kosovës.

5 shtator 2016 (Koha Ditore)