Atdhe Arifi

Debati me mikun nga skëterra

08 Tetor 2016 - E shtunë 1:44

Shprendaj me te tjeret

Është ëndërr pasioni, ëndërr që përmban në vete idenë e madhe e të thellë, fundore e të pakapshme; ëndërr që na duket të jetë sa e largët në të kaluarën nostalgjike, aq edhe utopike për të ardhmen ideale. Në këtë realitet jashtëkohor depërtoi ëndrra në qenien mendore. Aq e çmon njeriu këtë ëndërr, saqë është i gatshëm për çdo sakrificë që ta zbresë në realitet. Në mes të këtij rrugëtimi hasa në një mik të zhurmshëm skëterre i cili donte jetë pa halle dhe kishte hyrë në terr për t’u mbrojtur nga dielli. Si mik që ishte më dëftoi një “mësim jete”. Më tha merre jetën shtruar o vëlla, jeto gjatë e mos vdis herët, përshtatu por mos krijo, kopjo por mos mendo, pranoje realitetin ashtu si të vjen e mos e ndrysho, ule zërin asnjëherë mos kritiko, frikësohu e mos guxo.

Në ligjërim e sipër u bë bajat e filloi të ulërijë me një ton kërcënues, atëherë e ndala dhe i thashë: “dëgjomë o mik i zhurmshëm skëterror, bota nuk rrotullohet rreth zbuluesve të britmave të reja, por rreth zbuluesve të vlerave të reja dhe rrotullohet e rrotullohet në heshtje…”

Ai u zmbraps dhe ndryshoi formë, nga qeni që lehte u shndërrua në gjarpër që krijon dhe shpalos opinione dhe vazhdoi: populli ynë është lodhur politikisht dhe kombëtarisht. Po, shumë mirë i thashë, nuk më mërzit aspak kjo gjendje, madje kjo është gjeneza dhe gjeneratori i entuziazmit tonë. Gjetja në fushën dinamike të betejës së një armiku suprem, të një targeti të qartë. Sa e varfër dhe e cekët do të ishte lufta e veprimi ynë po të mos kishim një shumësi shkaqesh veprimi (politike, ekonomike) të cilat skalisin skulpturën madhështore të quajtur “Vetëvendosje”! Të lumtë tha zvarraniku, qenkeni patriotë. Të faleminderit, por patriotë nuk jemi. Është një fjalë e madhe, ka lloj-lloj ngjyra e gjithfarë fytyrash. Nuk duhet të na pëlqejnë cilësitë që kërkojnë merita. Për një moment u shtanga, e kuptova tradhtinë, mëkatin fillestar të çdo krimineli e tradhtari që na shfaqet në skenë. Mik-armiku deshi të na fusë në kallëpin e patriotit. Mbase me këtë donte të më jepte privilegje, ndonjë konkurrim të stilit të Mikelangjelo – Buona – Grabovcit, apo ndonjë lehtësi tenderi, apo ndonjë privatizim turbo, apo ndonjë përvetësim toke, e ku ta dijë njeriu sa e sa përvetësime e privilegje tjera që vetëm shefat mund t’i bëjnë. Miku i ofronte këto ama me një kusht:“Ubi bene, ibi patria” (shqip. “Unë mirë, futja atdheut”). Fjali të cilën e thoshin disa pushtetarë në kohën e Perandorisë Romake. Por, historia na tregon që ajo Perandori u zhduk nga faqja e dheut, siç do të zhduken edhe perandoritë e kombet tjera që e imitojnë atë. Vazhdova bisedën dhe sytë filluan të vezullojnë, e ndjeva ngase u mpreh shikimi, një ekuilibër e harmoni qarkullimi gjaku mes zemrës dhe trurit ma kaploi trurin, pas këtij momenti artikulimi i fjalëve u bë një rrjedhë organike e idesë së akumuluar të brezave që vazhdon të kumbojë me presion të lartë në damarët e trurit tonë. Pas këtij çasti e përmblodha mendimin dhe ku e lamë,  ah po te populli i “lodhur”. Debati vazhdoi me intensitetin e tij, opinionisti si zvarranik që ishte, ai ishte brendësuar në egon time. Prit ajo ishte nga fillimi ego, egoizmi… ego që na e sulmon çdo shpresë për një të ardhme përparimtare, për një punë ngadhënjimtare.

Meqë gjërat u qartësuan, u zgjidh misteri i paraqitjes së këtij mik-armiku, biologjia po tentonte qëllimin e vet automatik, sigurinë – mbrojtjen nga rreziku dhe çdo gjë e shenjtë në këtë botë.

Nga errësira në dritë – kjo është rruga jonë. Armikun tim, armikun tonë më në fund e mbërthyem brenda koordinatave të mendjes e vullnetit. Tashmë u kristalizuan gjërat, nuk kishte frikë armiku, po unë vetë, nuk thoshte populli që është lodhur, por egoja që do të ndjekë konsumin pa thelb të epokës.

Ëndrra, ëndrra ime, ëndrra jonë o vëllezër po na udhëzon t’i përmbysim kornizat e këtij realiteti të hidhur, ëndrra po na udhëzon t’i themi vetes sonë që mëmëdheu ndërtohet mbi koordinatat e një dheu, të një toke pra që mund të mos jetë pronë private kadastrale, por megjithatë ajo siguron vazhdimësinë shqiptare në ato vise, ajo është trualli që përmban koordinatat historike e gjeografike, trualli ku ndërtohet realiteti ynë i quajtur kombi shqiptar përmes politikës vetëvendosjes e që bashkon vullnetet e emancipuara.

Atëherë ta vëmë në zbatim operacionin mendor të quajtur hipoteza shqiptare dhe t’ia dëshmojmë vetes dhe të tjerëve që edhe ne tentojmë në qytetarinë e botës. Ama me dinjitet dhe jo me servilitet, me vlera mendore, jo me numrat në parlament e në kontot bankare. Ne nuk marrim para në mënyrë të paligjshme nga populli, ne popullit i japim lirinë tonë, për ta çliruar atë. Nuk kemi çka t’i japim edhe po të donim, dhe nuk kemi prona e pasuri enorme sepse nuk i duam.

Mund të pyesë me të drejtë dikush se çka është hipoteza shqiptare?

Përgjigjja gjendet në kapacitetin organizativ të Abdyl Frashërit, aksionin e Hasan Prishtinës dhe filozofinë politike të Ukshin Hotit. Bërja realitet e hipotezës (ëndrrës shqiptare) jep zgjidhjen më universale dhe të dobishme të çështjes shqiptare, ajo ka në vete autenticitetin, origjinalitetin dhe drejtësinë.

Hipoteza kristalizon ndërgjegjen e kombit, brenda këtyre koordinatave të gjitha mendimet dhe veprimet tona ushtrohen vetvetiu nga një disiplinë e lartë. Kjo ndërgjegje na bënë më të përsosur si njerëz, pastaj vetëm ai që e ndien thellë kombësinë e vet, ndien thellë edhe kombësitë tjera. Ta ndiejmë e analizojmë fillimisht veten mirë, kështu do ta kuptojmë thellë edhe kombin, prej kombit edhe kombet tjera e kështu tërë njerëzimin.

Ekzistenca e hipotezës shqiptare na mundëson të zhvillojmë zotësinë dhe elasticitetin që t’i harmonizojmë vlerat shoqërore historike me nevojat e realitetit kombëtar; me një fjalë na mundëson ekzistimin e një njeriu, mendje dhe vullneti shqiptar!

A ekziston ky njeri? Po. Pa dyshim. Nëse nuk e shihni futuni në gaz se me gazin vjen loti, me lotin kthjelltësia. Atëherë të mendojmë, të dashurojmë, të besojmë njëri-tjetrin e ta kthejmë përmbys armikun dhe ta shkatërrojmë shkatërruesin e aktualitetit dhe ardhmërisë sonë.

Burgu i Lipjanit,
27.09.2016