Boiken Abazi

Demarkacioni që ha demokracinë – Boiken Abazi

17 Gusht 2016 - E mërkurë 10:08

Shprendaj me te tjeret

 

Secila gërmë e fjalës demokraci gjëndet edhe brenda fjalës demarkacion, për të na treguar, si për ironi, se demarkacioni me Malin e Zi nuk ka kafshuar vetëm territorin e Kosovës, por është duke ngrenë edhe demokracinë e brishtë të saj. Ekspertët më të shquar të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë e kanë faktuar tashmë në mënyrë të pakontestueshme se me këtë akt shqiptarët vazhdojnë të humbasin territor (mbi 82km2), deri në atë masë sa edhe harta në flamurin e Kosovës do duhej të ndryshonte nëse marrëveshja për Demarkacionin ratifikohet në Kuvendin e Kosovës në datën 1 shtator. Që kjo të mos ndodhë, demokracia po përgatit betejen e saj.

Demarkacioni kafshoi së pari njërin prej parimeve bazë të demokracisë: informimin paraprak mbi çështjen. Komisioni qeveritar i Kosovës i zhvilloi negociatat me dyer të mbyllura, krejtësisht mbrapa krahëve të publikut. Në qershor të vitit 2015 Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që e detyronte këtë Komisin të paraqiste gjithë dokumentacionin e negociatave në Kuvend para se të nënshkruhej marrëveshja, por kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Hashim Thaçi, atëherë Ministër i Jashtëm, e nënshkroi marrëveshjen për Demarkacionin më 26 gusht 2015, kur Kuvendi ishtë në pushim, duke ia ngulur dhëmbet për së dyti demokracisë në Kosovë. Kështu demokracia u revoltua.

Si asnjëherë më parë, pas tradhëtisë së Hashim Thaçit, mbi 205,000 qytetarë nënshkruan peticionin kundër Demarkacionit. Sheshet e qyteteve të Kosovës u mbushën me dhjetra mijëra protestues, në ato që u njohën si protestat më të mëdha të mbajtura në historinë e saj. Në Kuvend, deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës për të ndalur punimet e këtij institucioni të nënshtruar ndaj qeverisë së Kosovës. Dhe demarkacioni u ndal, e nuk u lejua të vinte në Kuvend për 12 muaj rresht. Dhëmbët e krimbur të këtij demarkacioni duket se nuk ishin aq të fortë sa për ta shqyer demokracinë në Kosovë, por BE-ja i përforcoi me një protezë.

Në një vendim të paprecedent, BE-ja i ka vendosur si kusht Kosovës për liberalizimin e vizave miratimin sa më të shpejtë të demarkacionit me Malin e Zi. Ky kusht nuk i është vendosur asnjë shteti tjetër të rajonit që e ka marrë liberalizimin, dhe madje as vetë anëtarëve të BE-së si Sllovenia e Greqia, që ende nuk e kanë kryer demarkacionin me shtetet e tyre fqinj. Pas këtij kushti racist të BE-së, Qeveria e Kosovës ka luajtur me idenë se edhe BE-së i leverdisë Demarkacioni si akt tradhëtie, i nënshkruar nga qeveria LDK-PDK. BE-ja ka heshtur. Por, në mediat gjermane tashmë është folur hapur mbi politikat e mbrapshta të BE-së në Kosovë, në artikuj ku shkruhet se “Për fat të keq, BE-ja e ka sabotuar demokracinë, për të cilën angazhohet vetë në Kosovë”, duke bashkëpunuar me kryemafiozët e qeverisë LDK-PDK. Na vjen me të vërtetë keq për BE-në që ka degraduar deri në racizëm institucional, por na vjen edhe më shumë keq për atdheun tonë, për dheun dhe dëshmorët tanë. As na shkon ndërmend të lejojmë të copëtohet ky dhé nga sundimtarët e Kosovës me proteza evropiane.

Qeverisë së Kosovës, të cilësuar për dy vitë radhazi nga organizata amerikane “Freedom House” si konsoliduese e një regjimi autoritar, tashmë i kanë dalë të palarat në shesh nëpërmjet një seri përgjimesh që janë bërë publike. Hashim Thaçi e Adem Grabovci dëgjohen duke caktuar me telefon anëtarë bordesh qeveritare e universitare, gjyqtarë, zyrtarë të policisë, etj. Madje Thaçi, i cili e mban vetën për flamurtarin e vlerave Perëndimore në Kosovë, dëgjohet duke thënë edhe se “do luaj k…”  me Ambasadën Amerikane. Përveç gjuhës mafioze që përdorin këta sundimtarë, dallohet qartë edhe presioni që i bëjnë deputetëve të tyre për të votuar në favor të interesave të Serbisë për cështjen e reciprocitetit.

Kjo klikë mafioze ka kapur çdo institucion të Kosovës, përfshirë ambasadad. Në Ambasadën e Kosovës në Tiranë klika ka ngarkuar në detyrë një ish deputet të PDK-së, Ramiz Lladrovcin – një njeri krejtësisht të papërgatitur, por që e ka ndërtuar vilën e tij në Drenicë më të madhe e më luksoze se edhe vila e Angela Merkelit në Gjermani. Ambasada e KS ne Tiranë. jo vetëm që nuk perfaqëson aspiratën shekullore mbarëkombëtare shqiptare, por punon drejtperdrejtë kundër saj, duke mbrojtur aktet e tradhëtisë së Thaçit, Mustafës e Veselit. Kjo nuk është ambasada e popullit të KS, edhe pse paguhet nga takstat e qytetarëve të KS. Kjo është një ambasadë e zaptuar. Do jetë pikërisht para Ambasadës së Kosovës në Tiranë, ku do të organizohet protesta e radhës nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë kundër Demarkacionit.

Demokracia ka rinisur betejën e saj. Anekënd Kosovës po mbahen tubimet mobilizuese për të parandaluar votimin në Kuvend të këtij Demarkacioni në datën 1 shtator, në mënyrë që akti i tradhëtisë të mbetet i izoluar në duart e Qeverisë. Ky mobilizim është shtrirë prej muajsh edhe në Tiranë përmes tubimeve, tryezave shkencore dhe peticioneve të personaliteteve shqiptare kundër Demarkacionit. Por arroganca e sundimtarëve të Kosovës duket se nuk zbrapset pa dalë njerëzit në shesh. Prandaj, në datën 29 gusht, para Ambasadës së zaptuar të Republikës së Kosovës në Tiranë, do të mbahet një tubim protestues që ka për qëllim t’ia bëjë të qartë Qeverisë së Kosovës se territori i saj është çështje e kombit shqiptar dhe sy ky akt tradhëtie nuk do të lejohet të kalojë. Demarkacioni mund të përpiqet edhe një herë ta kafshojë demokracinë, por në këtë babëzi të fundit mund edhe të përfundojë me dhëmbë të thyera.

17 gusht 2016 (Gazeta Shekulli)