Aksione

Bojkoto Produktet e Serbisë!

28 Dhjetor 2014 - E diel 5:44

Shprendaj me te tjeret

Sot, më 28 dhjetor, Lëvizja VETËVENDOSJE! e rifilloi fushatën e saj të mirënjohur “Bojkoto Produktet e Serbisë!”, me ç’rast në disa markete te mëdha, të në të gjitha qytetet e Kosovës, u shpërndanë fletushka, në të cilat bëhet thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë këto produkte.

Serbia në Kosovë po fuqizohet çdo ditë e më shumë edhe politikisht edhe ekonomikisht. Që nga viti 2002 e deri më sot, qytetarët e Kosovës si konsumatorë ia kanë dhënë Serbisë 3 miliardë euro, ndërkaq vetëm në vitin 2014 nga konsumi i mallrave të saj Serbia i ka fituar 371 milionë euro në Kosovë. Me anë të këtij aktiviteti Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe njëherë tërhoqi vëmendjen për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, se vetëm duke i bojkotuar këto produkte, do ta dëmtojmë Serbinë, do ta stimulojmë konsumin e produkteve vendore, e rrjedhimisht sado pak do ta përmirësojmë ekonominë e vendit.

Se Serbia ka bashkëpunëtorë që kujdesen që ajo t’i plasojë dhe të shesë produkte në tregun e Kosovës u përkujdesën të na e bëjnë me dije stafi i marketit ETC, të Ramiz Kelmendit. Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, u sulmuan dy herë nga stafi i këtij marketi.

Ata i zvarritën aktivistët deri ne dalje të marketit duke i ofenduar, ndërsa një aktivist i cili xhironte më telefon u kap për fyti nga sigurimi dhe gjithashtu iu rrëmbye telefoni ku u fshi pothuajse i gjithë incizimi. Grupin e dytë te aktivistëve që shpërndanin fletushka, sigurimi i këtij marketi i rrëmbeu në një zyrë të këtij objekti, nga ku i kërcënoi dhe ua rrëmbeu materialet (fletushkat).

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë të thërrasë fuqishëm në bojkot të produkteve të Serbisë, e për blerjen e produkteve vendore, pavarësisht që kohë pas kohe edhe do të pengohet nga bashkëpunëtorët  e saj, siç është Ramiz Kelmendi dhe Kompania e tij ETC! Vetëm në këtë mënyrë ne e dobësojmë Serbinë dhe e forcojmë Kosovën. 

 

28 dhjetor 2014

Lëvizja VETËVENDOSJE!