Aksione

Ministër, luaj me top, e jo me jetën e qytetarëve

03 Mars 2015 - E martë 2:10

Shprendaj me te tjeret

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan sot një aksion simbolik pranë objektit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të cilën e drejton Blerand Stavileci. Me deklaratën e fundit, Ministri Stavileci na tregoi se është i gatshëm për privilegjet, por jo edhe për përgjegjësitë që i takojnë. Ai po na thotë se përgjegjës për gjendjen e rëndë socio-ekonomike që e kanë qytetarët e Kosovës, janë prindërit e tyre që i kanë lindur dhe jo udhëheqja e shtetit.

“Nëse ai vërtetë mendon se nuk ka përgjegjësi për qytetarët, atëherë ai nuk ka pse të qëndrojë në postin e Ministrit. Shkaktar i varfërisë është modeli i përzgjedhur ekonomik, bashkë me korrupsionin dhe krimin e organizuar që kanë marrë përmasa alarmante, dhe jo planifikimi i familjes. Ai nuk po flet për thëngjillin e Kosovës që po monopolizohet, nuk po flet për Trepçën, nuk po flet për manipulimin me njehsorë, që po e zhvatin xhepin e varfër të qytetarëve. Në vend se të marrë përgjegjësi, ai po shfajësohet për mjerimin e krijuar”, tha aktivisti Zgjim Hyseni. Ai shtoi se në Kosovë ka varfëri sepse vetëm nga procesi i privatizimit ka mbi 76.000 qytetarë që janë larguar nga puna; sepse kemi politikanë të korruptuar; sepse kemi pabarazi të madhe ku shumica është e varfër, ndërkohë që kemi koncentrim të pasurisë tek një pjesë e vogël e njerëzve.

“Se kjo Qeveri nuk ka plan për zhvillim ekonomik dhe ulje të papunësisë, tashmë është e qartë. Për Ministrin Stavileci, çdo foshnje e lindur më shumë, është një i papunë më shumë dhe një i varfër më shumë. Dhe rruga që ai na sugjeron për dalje nga kjo gjendje është migrimi ilegal dhe ulja e lindshmërisë”, potencoi Hyseni.

Në fund, ai e dha edhe porosinë e fundit për Ministrin: “Më mirë të shkojë e të luaj me top, mbase edhe e qëllon koshin, sepse me politikë ia ka huqur”.

3 mars 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!