Aksione

Serbia luftohet edhe përmes bojkotimit në ETC

30 Dhjetor 2014 - E martë 12:10

Shprendaj me te tjeret

Dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë vënë sot në gjendje gatishmërie për t’ia mbrojtur prodhimet serbe Ramiz Kelmendit në marketin e tij ETC. Ata erdhën aty me ftesë të menaxhmentit të ETC-së, të cilët kërkuan ndihmë për pengimin e aktivitetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, fushatën për bojkot të produkteve të Serbisë që ka vazhduar edhe sot.

Aktivisti Frashër Krasniqi në prononcimin e tij për media tha: “Që nga viti 2002 e deri tash Serbisë ia kemi dhënë deri në 3 miliardë euro nga importi legal. Vetëm gjatë vitit 2014 Serbia i ka marr 371 milionë euro prej qytetarëve të Kosovës”. Sipas tij, ky vërshim ekonomik i Serbisë është mundësuar prej tre faktorëve. Një është Qeveria e Kosovës që e lehtëson importin e Serbisë. Faktori i dytë janë tregtarët si Ramiz Kelmendi që për përfitime personale shkelin mbi çdo interes kombëtar dhe çdo të mirë publike. Kurse faktori i tretë janë qytetarët që i blejnë produktet e Serbisë. “Ne ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta ndalin konsumin e prodhimeve të Serbisë pasi që e dijmë se Qeveria dhe këta tregtarë nuk e kanë ndërmend të heqin dorë prej bashkëpunimit të tyre me Serbinë”, ka thënë më tej Krasniqi. Ai përmendi se këto mallra edhe për nga cilësia janë të dyshimta. “Ta bojkotojmë barkodin 860 dhe ta ndihmojmë prodhimin vendor duke e dëmtuar ekonominë ekspansioniste të Serbisë”, tha Krasniqi.

Aktivistët janë ballafaquar edhe me menaxhmentin dhe sigurimin e ETC-së. Këta të fundit dje kishin maltretuar psiqikisht dy aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE, Rina Demiri dhe Trim Gashi, duke i ofenduar në mënyrat me të pështira.

Menaxhmenti i ETC-së nuk janë mjaftuar me pengimin që u kanë bërë aktivistëve gjatë shpërndarjes së fletushkave, ata ua kanë konfiskuar ato edhe konsumatorëve brenda ETC-së, të cilët i kishin marrë këto fletushka duke u pajtuar me thirrjen për bojkot. Kjo gjë i ka irrituar jashtë mase qytetarët që kishin shkuar të blejnë produkte për festën e Vitit të Ri.

Ne nuk do të ndalemi në ndalimin e shtrirjes së ndikimit të Serbisë në Kosovë, qoftë asaj ekonomike, qoftë të sovranitetit.

 

Lëvizja VETËVENDOSJE!
30 dhjetor 2014