vetevendosje vetevendosje

Historia me “h” të vogël të shtypit – Boiken Abazi

07 Tetor 2016 - E premte 10:06

Shprendaj me te tjeret

Drejt së ardhmes shkohet nëpërmjet të shkuarës. Ky s’është romantizëm idealizues mbi të kaluarën. Këtu nuk bëhet fjalë për konservatorizmin që dëshiron t’i rikthehet një “kohe më të mirë”. Nuk po flasim për nostalgji, por për një prej karakteristikave të domosdoshme të të qenurit njeri: marrëdhënien tonë me të shkuarën dhe historinë. E shkuara është ajo që ka ndodhur, e që ndikon në të tashmen. Historia është lufta politike për të shënuar, interpretuar dhe përdorur atë që ka ndodhur. Njeriu pa histori është njeriu prehistorik, jashtë marrëdhënieve socio-politike. Kështu njeriu është po aq i pandashëm nga shoqëria sa ç’është edhe nga e kaluara dhe historia. Prandaj jemi çuditur kur më herët dëgjonim shpesh në Kosovë të na thuhej me një ton dashamirës se duhet ta harronim të shkuarën që të sh(i)konim para. Ka ca kohë që kjo kërkesë është shndërruar në një sulm të hapur në shumë fronte për ndryshimin e historisë, duke e vendosur të gjithë vendin në rrezik.

Kërkesa “dashamirëse” për të harruar të shkuarën ishte dhe mbetet e pamundur për t’u përmbushur plotësisht për shkak të ekzistencës së gjuhës. Veçantia e gjuhës qëndron te të qenurit konstrukt shoqëror i ndërtuar në të kaluarën që përbrendësohet nga njeriu që në vegjëli për t’i dhënë gjërave kuptim. Edhe nëse duam ta modifikojmë gjuhën, nuk mund ta bëjmë dot pa e përdorur atë, duke u detyruar të kalojmë nga e shkuara. Ky konstrukt i shtresëzuar bart simbolikat dhe domethëniet e marrëdhënieve të të parëve tanë me njëri-tjetrin, me natyrën dhe me popuj të tjerë, duke gërshetuar të shkuarën me të tashmen. E dallojmë këtë sa herë gjurmojmë prejardhjen e fjalëve, dhe zbulojmë, për shembull, se folja ‘me shku’ në paskajore ka të njëjtën rrënjë me fjalën e ‘shkume/shkuar’. Duket gati sikur gjuha jonë e ka ditur prej kohësh atë që filozofi politik Walter Benjamin mbron në tezën e tij të nëntë “Mbi konceptin e historisë”: nuk mund të shkojmë para pa sh(i)kuar nga e shkuara.

Kuptohet që ka diçka që nuk shkon te kërkesa për të harruar të kaluarën kur ata që na e parashtronin janë shpesh të njëjtit që i janë sulur sot librave shkollorë të historisë. Sigurisht që këta libra duhen pasuruar, por jo me synimin e sundimtarëve në qeveri. Në emër të fqinjësisë së mirë, sundimtarët pretendojnë se nuk duhen përdorur emërtesa “fyese” për t’iu referuar kolonizimit (i papërshtatshëm si term?!) nga Serbia. Kjo e fundit vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, nuk ka hequr dorë nga ekspansioni i saj dhe insiston të flasë për Millosheviçin në librat e saj shkollorë si një politikan që “ka kryer ndonjë gabim”. Sundimtarët e Kosovës, bashkë me pseudohistorianët e tyre, kanë gjetur si pjesë të zgjidhjes “zbukurimin” e së kaluarës. Tashmë ia kanë nisur të pikturojnë ngjyra-ngjyra historikun e kontradiktave me Serbinë, në mënyrë që ato të mos perceptohen më si të zymta, hijerënda dhe të pakapërcyeshme. Kështu mendojnë që fqinjit “shembullor” t’ia mundësojnë sadopak instalimin e “Zajednicës”, projektit për Bosnjëzim.

Ndryshimi i librave shkollorë në raport me pushtuesit e shumtë të trevave shqiptare meriton vëmendjen për t’u trajtuar shumë seriozisht, por le ta përdorim kësaj radhe për të nxjerr konkluzionin se: historia është gjithnjë çështje politike e së tashmes që prodhon kurdoherë efekte ekonomiko-politike në të ardhmen. Shembulli që e ilustron edhe më qartë këtë konkludim është sulmi tjetër që po i bëhet historisë përmes marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Sundimtarët e Kosovës tentuan ta ndryshonin kufirin duke modifikuar (në të tashmen) faktet historike mbi vijën kufitare, që do të nxirrnin (në të ardhmen) një bilanc negativ territorial: – 82km2 (efekt ekonomiko-politik). Nëse as ky shembull nuk bind, le t’i hedhim një sy dhe sulmit ndaj historisë që bëri komisioni qeveritar me fryrjen e listave të veteranëve. Dyfishuan ushtarët e UÇK-së 16 vjet pas lufte, por vetëm si pensionistë. Në këtë varfëri, me këtë manipulim, vështirë të mos vërehet synimi i sundimtarëve për të rritur numrin e votave nën zgjedhën që këmbëngulin ta quajnë “demokraci”.

“Po hajt se bëhet mirë”, mendon, tek psherëtin, ai shqiptar që ndjen sigurinë e rreme që i vjen nga lashtësia e ekzistencës së popullit të tij. Njëson kalimin e kohës me përparimin, duke e ngatërruar me rrotullimin e tokës rreth vetes dhe diellit. Beson te progresi i vetvetishëm në të ardhmen si arsyetim i përjashtimit institucionalist që i bëhet nga çdo vendim domethënës mbi të përbashktën. Ia kanë mbushur mendjen se ka qenë e do të mbetet përjetë viktimë, që ta përjetojë nënshtrimin si e vetmja lumturi. Historia, veçanërisht ajo e rezistencës, për të humbet çdo kuptim. Prandaj, ai pranon secilin version mbi të shkuarën që ia rrëfejnë sundimtarët e tij.

Rezistenca ndaj shtypjes në Kosovë është shuar nga historia e shtetit dhe është poshtëruar politikisht. Referencat për UÇK-në mungojën në Deklaratën e Pavarësisë, mungojnë në Kushtetutë. Mungon një ditë zyrtare për t’i përkujtuar sëbashku të gjithë dëshmorët e lirisë, siç mungon në homazhet ndaj tyre edhe trupi i huaj diplomatik. Por Hashim Thaçi s’la homazh pa bërë këtë vit. Ai vajti deri te memoriali i veçantë serb që mbante mbishkrimin “viktimat e terrorit shqiptar”. Përulja që ai bëri aty, ishte orvatje për të ngritur veten mbi çdo akuzë të Gjykatës Speciale, peshqesh që ia ka bërë luftës për liri. Kjo gjykatë është një-kombëtare për nga akuzat, por ndërkombëtare për nga përbërja, dhe e specializuar në barazimin në dukje të historisë sonë me atë të Serbisë. Qëllimi i saj është ta ruaj në thelb pabarazinë. Nga këtu, rezistencën çlirimtare të popullit shqiptar sundimtarët po e vulosin ligjërisht thjesht si pension dhe si të dyshuar për krim.

Qëndresa ndaj sundimtarëve e ka përherë një të shkuar edhe kur nuk mbahet shënim. Kjo është historia me “h” të vogël të shtypit, ajo që mohohet kur sundimtarët shkruajnë Historinë. Detyra e qëndresës që lind e forcohet është dallimi dhe kujtimi i kësaj të shkuare për ta bërë vetë historinë. Çmagjepsja nga e ardhmja, siç thotë dhe W. Benjamini, është hap i domosdoshëm drejt transformimit progresiv të shoqërisë. Koha nuk mban anë. Ajo kalon pa pyetur për lashtësinë. Koha punon në favor të atyre që mobilizohen dhe organizohen më mirë. Nuk biem dakord për qorrsokakun ku duan të na shtynë ngaqë së pari nuk biem dakord për të shkuarën dhe historinë. Lufta për historinë i shënon fitoret e saj në të ardhmen. Fushëbeteja e saj demarkohet gjithmonë tani.