Elvis Hoxha

Këtij regjimi i duhet ndaluar vetëvrasja

14 Nëntor 2016 - E hënë 4:28

Shprendaj me te tjeret

Përveç njerëzve që kanë ndonjë fitim direkt nga regjimi, të gjithë të tjerët e dijnë mirë se e prokuroria do të kujdeset që rasti i Astrit Deharit të ketë përmbyllje vetëvrasjen. Prokuroria e mendon arritje përfundimn e vetëvrasjes, ashtu siç ka bërë në raste të tjerë. Për këtë farë shteti që mund të ndërtojnë njerëz të klanit Pronto, vetëvrasja është një përfundim i mirë. Sepse janë mësuar t’i mbyllin çështjet me vetëvrasje. Po flas në këtë rast jo nga pozitat e njeriut politik, por atij civil. Shqetësimi pra është të kapet ndonjë fill i kushtetushmërisë së këtij farë shteti. Po flas në emër të një shumice që e konstaton ditë për ditë fajësinë e këtij shteti pa u thelluar në ndonjë analizë të gjendjes.

Kosova është që prej fillese një akt i kufizuar kushtetueshmërie. Nga rrjedh një përgjegjësi e pamjaftueshme në subjektivitet, pra një pamjaftueshmëri para së gjithash civile. Kjo pamjaftueshmëri mbërrin efektet e saj më të tmerrshëm kur kufizon jetën dhe politikën e qenies. Policia qeveritare e Kosovës, me mbështetjen e një prokurorie pa asnjë profesionalizëm, pra pa asnjë moral në praktikën e vet, me një gjykatë që nuk gëzon aspak cilësinë që i takon, pra gjykimin, prodhon pa asnjë lloj brenge trupa dhe shpirtra të padëshirueshëm. Le të marrim disa përpjekje të tilla në shqyrtim për të shquar se cilës veprimtari njerëzore i përket një sjellje e tillë.

Në të njëjtën kohë që ka dëbuar shqiptarë të Tiranës jashtë kufijve të Kosovës, në mënyrë qeveritare kërkon të dëbojë dhe territore jashtë saj – Demarkacioni. Por jo vetëm kaq, kërkoi të shkarkohet nga administrimi i territoreve dhe njerëzve dhe në gji të Kosovës – Zajednica. Kjo qeveri nuk ndjeu as shqetësimin më të vogël për ikjen masive të banorëve të vet shqiptarë, madje e punoi mirë psikozën e liberalizimit të vizave si liberalizim të ikjes. Ajo u premton shqiptarëve liberalizim të vizave duke u premtuar njëkohësisht me anë të përgjimeve se Kosova është një vend i pashpresë për qëndrimin e shqiptarëve – sa për pakicën serbe kujdeset Beogradi. Liberalizimi u punua si psikozë sepse flitej për të sa më shumë shtohej pamundësia e tij. Psikoza kishte për moto të vetën: merrni nga një vizë përpra se të mbeteni pa sovranitet dhe pa territor. Shqiptarëve u thuhej: Ne duam t’ua liberalizojmë ikjen, por duke qenë se ne nuk plotësojmë standartet për një liberalizim të tillë, në këtë gradë korruptimi, ju nuk duhet të ikni por të zhdukeni; zhdukje do të thotë që për Gjermani të kaloni nëpër Beograd. Qeveria po kërkonte liberalizimin e zhdukjes së shqiptarëve nga Kosova.

Qeveria Thaçi/Mustafa/Veseli e vendoste shoqërinë e Kosovës para një dileme fatale: O jetoni nën korrupsionin tonë, ose nga sytë këmbët ku të mundni. Ky është liberalizimi i ikjes ose i zhdukjes. Funksioni themelor i kësaj qeverie bëhet pakësimi i të drejtës së të jetuarit: ose nën korrupsion këtu, ose punëtorë të së zezës suaj gjetkë, të inkriminueshëm në vendet demokratike. Thaçi që e ka për devizën e tij të paharrueshme liberalizimin e vizave, premtim prej 6 vitesh, deklaron me atë inteligjencën e tij të kufizuar: Këtu ju inkriminon korrupsioni ynë qeveritar, në qendër të Evropës fakti që ju duhet të fshiheni si minjtë për të mbijetuar. Qeveria i fton shqiptarët të jetojnë mes dy mbijetesash. Mbijetesa e këtij lloji është kufizim i së drejtës për të jetuar. Ky është invarianti i funksionit të kësaj qeverie.

Pasi nuk e anëtarësoi Kosovën në Unesco, punoi ta anëtarësonte Kosovën e ndarë prej Shqipërisë në FIFA. Arriti pra sërish të regjistrojë zyrtarisht dhe ndërkombëtarisht një pakësim të paparë subjektiviteti politik të shqiptarëve në rajon. Kjo qeveri mendon ditë e natë sesi të pakësojë shqiptarët. Pasi ka kryer ndaj tyre faj dhe krim, i sheh si armiq të vetes. I ka bërë armiq të vetes. Sa më pak interesa shqiptarë të administrojë, aq më mirë është për të. Sa më pak punë të ketë me shqiparët, aq më mirë është për të. Treguesi më tragjikomik është brutaliteti me të cilën u mbush numri i votave të Thaçit për president, në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e policisë, dhunën policore në rrugën e Prishtinës. Thaçi si president ishte pakësimi pa kufi i dinjitetit që populli i njeh vetes në subjektin e sovranit. Ky ishte një pakësim tjetër i shqiptarëve, dhuratë prej kalicionit të gjëmës.

Pakësimi i të drejtës së të jetuarit kohët e fundit mori një përmasë të re. Ajo njohu dhe fazën e turpshme të kthimit të shqiptarëve në kosovarë. Ju mund të jetoni këtu, nëse nuk jeni shqiptarë. Me këtë nismë qeveria mendonte të ulte numrin e shqiptarëve si dëshmitarë të gjëmës që ka prodhuar. Kjo nismë shkonte paralel me një tjetër dëshmi. Njerëzit jo vetëm e dinin, por patën mundësinë të ndjenin intensitetin e korrupsionit. Ata dëgjuan gjuhën me të cilën pushteti rënonte shtetin kur ndante funksionet publike. Shoqëria kuptoi perversitetin e krimit. Thaçi, Veseli, Grabovci dhe Mustafa kanë kuptar se po ta mbysësh me krim një popull dhe një shoqëri, nga mëngjesi në mbrëmje, nga himni pa fjalë deri në liberalizim e ikjes, popullit dhe shoqërisë do t’i mbytet nervi.
Ç’i mbetej tjetër të bënte këtij koalicioni , fatalisht më brutalit dhe më banalit që ka njohur historia e shqiptarëve? Duhet të krijonte viktima të dy llojeve, më të rëndët në aspektin njerëzor dhe në rendin kushtetues. Me të zbuluar këtë premisë ata iu përveshëm punës dhe nisën realizimin e planit me fabrikue sa më shumë kriminelë lufte dhe sa më shumë terroristë. Të parën ia lanë detyrë ndërkombëtarëve, pasi ua bënë të mundshme, edhe pse më vështirësi, në Kuvendin e Kosovës. Të dytën, shpikjen e terroristëve, e morën vetë përsipër sepse synonin të zhduknin njerëz të cilët janë kundërshtarë të korrupsionit të tyre. Për një qeveri të tillë është e thjeshtë të përdorë termin terrorist. Ngaqë është një qeveri që vepron në dëm të Kushtetutës së Republikës së saj, si dhe inkriminon pa reshtur organin më të lartë të Republikës, Kuvendin, nuk e ka problem të etiketojë dikë me termin terrorist. E mësuar me akte terroriste, mjaft të kujtohet sulmi terrorist mbi selinë e VV, pikërisht në ditën më të shenjtë të shqiptarëve, ajo plotësonte trefishësinë e terrorit shtetëror: Kushtetutë/Legjislativ, njerëzor/territorial, Politiko/Civil.

Pra, cilësimet më radikale për të janë të zakonshme. PDK-ja, me ndihmën e LDK-së, zbatoi cilësimin kriminel lufte mbi të vetët dhe të shkuarën e saj, UÇK-në, me realizimin e Gjykatës Speciale. Ajo u përpoq kështu të vrasë historinë më të ndritur dhe të zhdukë faktorin më të fuqishëm shqiptar në historinë e këtyre trojeve. Po me ndihmën e LDK-së ajo po përpiqet të zbatojë cilësimin “terrorist” mbi subjektin kryesor opozitar politik, Lëvizjen VETËVENDOSJE! Kjo është përpjekja e saj për të nxjerrë jashtë zonës së kushtetueshmërisë dhe ca shqiptarë të tjerë. Ky koalicion krimi e ka në natyrën dhe praktikën e vet shpërndarjen e krimit mbi tërë trupat njerëzorë që mbartin emrin shqiptar, mbi tërë gradët e shtetit dhe shoqërisë, në të gjithë rrafshet e veprimtarisë dhe jetës.
Rasti Astrit Dehari

Por me rastin Astrit Dehari u prodhua një tregues i ri mbi fytyrën e vërtetë të këtij regjimi. Doli në pah padija e përbindshme e tij dhe e mediave apo sektorëve të shoqërisë civile që e mbështesin. Armiqësia ndaj njeriut dhe padija u bashkuan për të dëshmuar se ky regjim nuk ka asnjë ide mbi gjuhën e qytetit politik. Disa funksionarë mediatikë të saj thanë se vdekja e Astrit Deharit nuk është politike, por nuk kuptuan që vdekja e këtij aktivisti politik, sepse ndodh në burg është vdekja e plotë e politikës, e qytetit politik. Klika e regjimit dhe mercenarët e tij nuk e dijnë se ç’do të thotë i burgosur politik, as mos kërkoni të kuptojnë se ç’do të thotë i paraburgosur politik, aq më keq kur është i paraburgosur politik për terrorizëm.
Ndaj janë të shumtë ata që mendojnë se institucionet e drejtësisë dhe policisë, të gjendur në këtë situatë, duke mos patur njohjen minimale të domosdoshme të shkencave politike dhe njerëzore, duke mos kuptuar termin terrorizëm dhe rëndesën e tij në rendin kushtetues, politik dhe civil, e projektojnë me lehtësinë më të madhe mbi njerëzit. Dhe janë një shumicë e fortë të vetëdijshëm se një regjim i tillë do të shkasë fatalisht nga faji në faj.

Por analiza dhe kritika nuk duhet ndalur në indeksimin e paditurisë së organeve të drejtësisë dhe policisë. Duhet nxjerrë në dritë të diellit rrjedhoja e drejtpërdrejtë: nëse nuk je me regjimin, atëherë është mirë të vrasësh veten. Arsyeja nuk do të ketë më vlerë, sepse nuk do të ketë më vend për arsyen. Prokuroria, në kulmin e gjakftohtësisë do të shpallë se Astrit Dehari vrau veten. E meqë prokuroria nuk kupton, le ta njoftojmë ne paraprakisht: në kushtet e ndalimit në zonat e sigurisë – burgu është një nga vendet shembullore të sigurisë – vetëvrasja apo vrasja nuk bëjnë dallim. Ky është rasti kur nuk dihet se ç’është më e rëndë. Pra, mbërrin një çast kur mbjellja e vdekjes në tërë sektorët dhe praktikat e jetës kap dhe funksionarët e vdekjes.
Vrasja apo vetëvrasja e Astrit Deharit është vrasja e shoqërisë politike. Pasi është përpjekur të zhdukë njerëzit si subjekte politikë dhe si banorë të qytetit, regjimi po përpiqet të zhdukë qytetin duke e mbjellë vdekjen edhe në burg, në zonën e sigurisë.

Për mua Astrit Dehari është jo vetëm shpirti dëshmor i lirisë, por trupi dëshmitar i vrasjes politike të qytetit. Ky regjim i zhytur në krimin pa fré, do të përpiqet ta shtyjë qytetin politik në vetëvrasje. Kryetari i Kuvendit e deklaroi vetë në mes të vendit më të lirë. Lexojeni pra mirë: në vendin kushtetues të lirive – Kuvendin e Kosovës – u njoftua një vdekje që ndodhi në vendin e heqjes së lirisë – burgun e Prizrenit. Ky vektor i projektimit të vdekjes është vektori i punës së kësaj qeverie.
Mes projektimit të kriminelëve të luftës dhe projektimit të terroristëve, ka sigurisht një dallim. Që të mbërrinim te Gjykata speciale u desh bashkëpunimi i atyre që nesër do të dënohen për krime lufte. Por projektimi i terrorizmit do të ndodhë mbi trupa që nuk janë njerëz klanesh, por mbi opozitarë, kështu që përfundimi nuk do të jetë i lehtë për regjimin. Nëse vetëvrasjen mbi të vetët regjimi mund ta zbatojë lehtë, nuk do të mund ta shtrijë po kaq lehtë projektimin e vetëvrasjes mbi trupat opozitarë. Kjo është gremina e regjimit: duke e shtrirë veteleminimin – gjykatën speciale –mbi trupa të tjerë – akuzat për terrorizëm – me shpresën se po shtrin vetëvrasjen e vet mbi opozitën, regjimi tregon se nuk ka kuptuar se vetëvrasja nuk shtrihet dot përtej vetvetes. Këtij regjimi i duhet ndalur vetëvrasja.

*Shkrimi është botuar në gazetën Koha Ditore, 14.11.2016