Lajmet e fundit

Debat mbi Universitetin dhe Arsimin e lartë në Kosovë

28 Shkurt 2017 - E martë 7:30

Shprendaj me te tjeret

Grupi Parlamentar dhe Komiteti për Arsim dhe kërkim shkencor organizuan sot “Debat mbi Universitetin dhe Arsimin e lartë në Kosovë”.

Diskutimi u hap nga drejtuesi  i grupit parlamentar, Glauk Konjufca, i cili theksoi qysh në fillim se ndonëse themelimi i Universitetit të Prishtinës ndodhi shumë vonë krahasuar me vendet e tjera, për shkak të peshës UP-ja ka qenë natyrshëm epiqendër e zhvillimeve shoqërore, politike e kulturore në Kosovë. Konjufca sollië në vëmendje se ende  pa u konsoliduar mirë pas luftës, u vendos që arsimi i lartë në Kosovë ta aplikonte Kartën e Bolonjës.

Tutje ai ftoji të pranishmit që fillimisht të diskutohet mbi konceptin e arsimit të lartë në përgjithësi e më pas rreth dukurisë konstante të trajtimit të arsimit të lartë si hapësirë e kontrollit, përdorimit partiak nga pushteti apo instrumentalizimit të universiteteve. Si dhe kërkoi trajtimin e problemeve rreth statusit të shkencës e profesionalizmit, organizimit të brendshëm, kolegjet private, fenomenin e ekspansionit inflator të universiteteve nëpër komuna dhe rregullimin ligjor në përgjithësi.

Kurse, Prof. Dr. Mytaher Haskuka, tha midis të tjerash se është humbur shpresa që arsimi i lartë  krijon individë që mund të kontribuojnë ndryshimeve pozitive ekonomike dhe shoqërore dhe do t’i kontribuojnë në mirëqenie. Është konstatim i përgjithshëm që në arsimin e lartë në Kosovë mungon shkenca, aty ku të duhej të kishte hulumtime dhe publikime, ato janë të pakta, të dobëta apo mungojnë pothuajse fare.

E në fjalën e tij, deputeti Ismajl Kurteshi, tha se njëra nga arsyet e gjendjes së rëndë në arsimin e lartë në Kosovë është shkelja e ligjeve, kritereve dhe procedurave në fuqi, mungesa e masave parandaluese, mungesa e ndëshkimeve kundër atyre që nuk i respektojnë ligjet në fuqi. E si pasojë, Kurteshi përmendi cilësinë e ulët, mungesën e vlerësimit të drejtë, regjistrimi i numrit të studentëve përtej numrit të lejuar, shkeljen dhe korrupsionin gjatë pranimit të stafit akademik, falsifikimin e diplomave të disa institucioneve të arsimit të lartë.

Ai parashtroi dhe kërkesat imediate për Ministrinë e Arsimit sa i takon përmbushjeve të detyrimeve ligjore, sanksionimit të shkeljeve.

Pjesëmarrësit theksuan në mënyrë të veçantë faktin se arsimi është kthyer në një instrument vetëm për sigurimin e vendit të punës.

Midis tyre Jusuf Thaçi theksoi numri i lartë i pranimeve për vite me radhë është padyshim blerja e paqes sociale dhe shtyrja e kohës kur të rinjtë e të rejat do të kërkojnë vende pune.

Në këto kushte po zhvlerësohet jo vetëm raporti me dijen por dhe kuptimi i efikasitetit të universitetit për shoqërinë. E për këtë çështje profesoresha Besa Luzha tha se ka kundërthënie mes asaj se si perceptohet arsimi dhe si është në të vërtetë. Nëse motoja është “arsim për punësim”, atëherë po e përjashtojmë artin, etj. Misioni i universitetit megjithatë mbetet  zhvillimi i dijes.

Në këtë kuptim dyfishimi i universiteteve pa kushte është krimi më i madh që i ka ndodhur arsimit, duke u pasuar me rekrutime jashtë konkurseve për staf akademik dhe diskriminimin mes profesorëve që janë në funksione qeveritare dhe atyre që nuk janë.

Për këtë gjendje të universiteteve në Kosovë, Dukagjin Popovci shtroi disa çështje për të pranishmit si kapërcimi i numrit të studentëve nga viti 2003 më i ulti në Evropë në 2015 ku Kosova ka numrin më të lartë në raport me popullsinë në Evropë. Kjo pasoi me studentë të papërgatitur për arsim të lartë.  Personeli akademik e përcakton cilësinë. Pas luftës, kemi sistem të korrupsionit akademik (me këmbim të favoreve) si pasojë po riciklohet injoranca. Punimet bachelor blihen me €100, ato master me €400. Ai konstatoi se nëse instituti i akreditimit do të ishte më i mirë, gjenda e arsimit të lartë do të do të kishte tjetër pamje. Përveç akreditimit formal, duhet të ketë edhe një kontroll të vazhdueshëm.

Prof. Zejnullah Gruda gjatë diskutimit të tij theksoi se Kosova nuk ka çështje më të rëndësishme se arsimin. Ai tha se është dëshmitar i zhvillimit të arsimit nga fillimi deri tek shkatërrimi total. Gjendja nuk mund të ndreqet me ligje. Kërkohen veprime më radikale. Në 1985, në Çekosllovaki kishte 35 universitete për 15 milionë banorë. Në 1995, në Gjermani  kishte 81 universitete për 81 milionë banorë. Pra, rreth një universitet për një milion banorë. Politikat për ruajtjen e paqes sociale po i konvenojnë pushtetit. Ai përmendi raste kur  doktoraturat janë mbrojtur para personave që nuk kanë qenë të lëndës. Nuk është normale – tha ai – që një profesor  të pyesë në provim 2,000 studentë për një afat. Ende sot ka biblioteka universitare që nuk kanë shpenzuar para për të blerë libra.

Për këtë situatë foli dhe prof. Kujtim Shala nga departamenti i Stomatologjisë i cili përmendi se shpesh u duhet t’ua bëjë me dije studentëve se në këto kushte nuk mundet t’i përcjellë dije dhe se procesi po kthehet në mësim autodidakt.  Rol në këtë situatë kanë dhe kolegjet private. Profesor Afrim Blyta po ashtu tha se arsimi në Kosovë ka dështuar por kjo është një pasojë e nëse nuk merremi me shkakun, nuk do të ketë efekt.

Luan Shllaku, u përqendrua në faktorët e drejtimit nga brenda të universitetit dhe raportit me instucionet shtetërore dhe shoqërinë civile në përgjithësi. Ai po ashtu i paraqiti të pranishmëve prioritet e organizatës që drejton ku në katër vitet e ardhshme do të përqendrohen në punwn lidhur me Universitetin e Prishtinës.

Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti risolli në vëmendje tronditjen e shoqërisë në përgjithësi nga rezultatet e PISA-s. Çka vlen për individin nuk vlen për shoqërinë. Arsimi dhe punësimi duhet të shkojnë paralelisht. Ka shkëputje të dijes si vlerë dhe idealit të progresit.

Prof. Elvis Hoxha nënvizoi disa tipare që duhen pasur parasysh sa i takon arsimit universitar. Ai tha se ka lëvizur arsimi në kuptimin se çfarë do të thotë arsimim. Studenti më i dobët shkon në shkencat e mësimdhënies. Brenda në universitet gjenden njerëz që e dinë që nuk e meritojnë.  Prof. Sadri Ramabaja tha se ka nevojë për angazhim masiv politik sa i takon kësaj fushe. Ai shtoi se jo vetëm për universitetin për si shoqëri në tërësi kemi nevojë për ndryshim rrënjësor.

Ky debat është i katërti i realizuar lidhur me çështjet e arsimit në muajt e fundit si dhe do të jetë i pari i një cikli të gjatë debatesh mbi universitetin në veçanti dhe shkollat e larta të Kosovës.

LVV_0307 LVV_0312 LVV_0395 LVV_0437