Lajmet e fundit

Drejtësi për Astritin

06 Nëntor 2016 - E diel 2:19

Shprendaj me te tjeret

Gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, Lëvizja VETËVENDOSJE! shprehu edhe një herë ngushëllime për familjarët, shoqërinë dhe gjithë aktivistët për vdekjen e Astrit Deharit. Kryetari Visar Ymeri dhe Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, kërkuan zbardhjen e rastit duke mbajtur përgjegjëse institucionet që dolën me deklarata kontradiktore mënjeherë pas vdekjes.

“Astrit Dehari dje ka qenë duke u mbajtur për ditën e 68 në paraburgim. Pas 68 ditësh marrim lajmin e tmerrshëm të vdekjes së anëtarit të Këshillit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, shokut tonë Astrit Dehari. Student i shkëlqyer i mjekësisë dhe anëtar i një familjeje të shkëlqyer patriote kalon 68 ditë në paraburgim, në vendin ku suspendohet dinjiteti. Këtë paraburgim Astritit dhe 5 aktivistëve tjerë ia kishte montuar policia bashkë me prokurorin, pa asnjë provë a fakt të qëndrueshëm. Një rast i kulluar i montimit politik”, tha në fillim të fjalës së tij, Visar Ymeri.

Ai tha se aktivisti Dehari, bashkë me aktivistët Egzon Halitin e Atdhe Arifin, u akuzuan pa fakte për terror, ndërkohë që terrori po bëhet nga shteti përmes institucioneve të kapura.

“Vdekja e aktivistit tonë Astrit Dehari, pavarësisht mos sqarimit të rrethanave, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit. Sepse Astriti ka vdekur për sa kohë që mbahej në burg. Dhe sepse Astriti me shokët tjerë, me të gjtihë ne, tash e 68 ditë terrorizohen me akuzat më të ulëta e të pacaktuara”, shtoi Kryetari Ymeri.

Më tej, ai tregoi se i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Ministres së Drejtësisë që të mundësohet një vizitë në burgun e Pejës dhe atë të Lipjanit për t’i vizituar dhe ngushëlluar Atdheun dhe Egzonin që vazhdojnë të mbahen aty, duke kërkuar edhe lirimin e menjëhershëm të 2 aktivistëve tanë.

Kryetari Ymeri tha poashtu që Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet kërkesën e familjes Dehari për autopsi të pavarur dhe të besueshme për të identifikuar drejt shkaktarët e vdekjes së Astritit, duke deklaruar se nuk do të heshtet deri në zbardhjen e rastit dhe vënien e drejtësisë në vend edhe për këtë rast, e veçanërisht për këtë rast.

Kurse, Dardan Molliqaj deklaroi se dita e djeshme për të gjithë VETËVENDOSJE!-n, ka qenë një prej ditëve më të vështira të jetës tonë. Duke shprehur ngushëllime, ai tha se shkaku i vdekjes së Astrit Deharit nuk është çështje fatkeqsie.

“ Ky rast është rezultat i një përsekutimi të pashoq që ky pushtet ose ky regjim po ia bën çdo studenti, punëtori, mësuesi, doktori e të tjerëve qytetarë, të cilët e kundërshtuan këtë regjim. Me rrahje, plagosje, gaz lotësjellës, arrestime, e së fundmi edhe montime të rënda, ky s’është gjë tjetër, vetëm se montim”, tha Molliqaj.

Duke demantuar ato që u thanë nga institucionet e ndryshme për vdekjen e Astrit Deharit, Molliqaj foli për jetën në burg, duke sqaruar se në burg vetëm mendjen e ke të lirë, dhe çdo veprim tjetër është nën kontrollin e institucioneve përkatëse.

“Pra, prej kohës kur zgjohesh, në cilin krevat flen, kur del në shetitje, kur ushqehesh, e aq më shumë kur ke vizitë te mjeku apo merr tableta apo medikamente për nevoja tëndryshme. Pra gjithçka është në dorën e institucionit, në këtë kuptim çka do që ndodh në burg është gjithmonë përgjegjësi e institucionit”, deklaroi Molliqaj.

Molliqaj shtoi se deklaratat e djeshme, të ngutshme e kontradiktore vetëm sa e kanë bërë më të rëndë, për të gjithë ne, po edhe për shoqërinë e Kosovës atë që ndodhi. Ai tha se sikurse me 29 shtator, që ishte policia ajo e para që mbante konferenca për shtyp për montimet e fabrikuara dhe provat komplet false për këtë rast, edhe dje për më pak se dy orë pasi kishte ndodhur rasti, Komandanti i Policisë së Prizrenit deklaron që ky vdiq nga barnat.

“Një gjë e tillë mund të vërtetohet vetëm nga autopsia, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe në këto momente që po flasim. Pse kjo nguti? Pse Shërbimi Korrektues i Kosovës deklaron se Astrit Dehari vdiq në spital, në të njejtën kohë e kemi deklarimin e prokurorit që e cilëson vdekje të dyshimtë. Pra, tri institucione – Policia, Shërbimi Korrektues dhe Prokuroria – me deklarata tëndryshme. Astriti nuk ka vdekur në spital, Astriti ka shkuar i vdekur nëspital, kjo është e vërtetë dhe zyrtare”, shtoi tutje Molliqaj.

Ai poashtu sqaroi se një javë më parë, Astriti me kërkesën e tij, i ka bërë gjitha analizat mjekësore në burg dhe sipas tyre ai nuk vuante nga asnjë sëmundje. Ai nuk ka qenë duke marrë asnjë medikament, apo tabletë përgjatë gjithë kohës sa ka qëndruar në burg, gjë që është zyrtare dhe e konfirmuar. Si dhe sqaroi se medikamentet merren vetëm me udhëzues të mjekut dhe ato mund të përdoren vetëm në prezencën e mjekut dhe oficerëve korrektues.

Tutje, Molliqai bëri të ditur se Komisioni për Legjislacion tashmë ka filluar me një vizitë zyrtare në burgun e Prizrenit, e më pas në burgun e Pejës dhe në burgun e Lipjanit, duke treguar poashtu që kryetarit të VETËVENDOSJE!-s dhe avokatëve e familjarëve të Egzonit e Atdheut ende nuk i është dhënë përgjigje për vizitën tek ta. Si dhe solli në vëmendje se Ministrua Drejtësisë dhe institucionet tjera përkatëse i kanë shëtirur jashtë bugur vazhdimisht të burgosurit e afërt me pushtetin apo edhe zyrarë të pushtetit.

“Ajo qëndodhi kurrsesi nuk është tragjedi, Astriti ëshët një viktimë e pushtetit dhe regjimit, dhe ne aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, sonte duke filluar nga ora 17:00, në sheshin ‘Skënderbe’, përballë TeatritKombëtar, do të bëjmë homazhe në shënjë nderimi për Astrit Deharin dhe do tëshprehim indinjatën tonë të thellë dhe do të kërkojmë drejtësi për rastin dhe drejtësi për të gjitha rastet tjera në Kosovë”, përfundoi Molliqaj.