Lajmet e fundit

Fjalimi i Ismajl Kurteshit në interpelancën për gjendjen në veri

29 Shtator 2016 - E enjte 2:19

Shprendaj me te tjeret

Strukturat ilegale të Serbisë veprojnë lirshëm dhe mbajnë nën uzurpim të gjithë jetën publike dhe private të banorëve me kombësi serbe, boshnjake dhe më së shumti të atyre me kombësi shqiptare të asaj zone duke pamundësuar në plotni të drejtën e fituar nga Neni 35, pika 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës mbi lirinë e lëvizjes në vendin e tyre.

Strukturat e Qeverisë së Serbisë dhe institucioneve të sigurisë në shpërfillje të plotë të Institucioneve të Kosovës po ashtu diktojnë jetën e përditshme, jetën politike e ekonomike në katër Komunat veriore. Këto janë të konkretizuara për të gjithë opinionin publik vendas dhe ndërkombëtarë gjatë kohës së fushatës së zgjedhjeve të Serbisë ku dhe herën e fundit pamë se në çfarë gjendje janë këto katër komuna të Kosovës.

Ata kanë të shtrirë jashtëligjshëm atje, postën, bankën, telefoninë e deri te platformat e TV si dhe të gjitha shërbimet e tjera shtetërore të Serbisë. Madje edhe pse furnizohen me rrymë e me shërbime të ujit të pijshëm e kanalizimeve nga kompanitë e Republikës së Kosovës, pra të shtetit të tyre, as nuk paguajnë e as nuk janë të regjistruar me kontrata si të gjithë qytetarët e tjerë. Këto shpenzime i paguajnë për ta, në fatura, secili qytetar tjetër i Kosovës, pra në përgjithësi shqiptarët.

Krejt e kundërta ndodh me shqiptarët të cilët tashmë janë pakicë në këto komuna pas spastrimit etnik[1] që ndodhi gjatë vitit 2000 ku mbi 11 mijë shqiptarë u përzunë nga shtëpitë e tyre dhe vetëm në netët e 3 dhe 4 shkurtit u ekzekutuan 10 shqiptarë brenda nëpër shtëpi, u plagosën me armë zjarri 25 të tjerë dhe u keqtrajtuan rëndë fizikisht 93 shqiptarë. Të njëjtën skemë spastrimi, shtëpi për shtëpi e ndoqën grupe të organizuara të Serbisë, “Rojat e Urës”, përgjatë muajve mars, prill, maj e qershor. Ku mes të tjerash ndodhi dhe masakra e 14 prillit 2000 në lagjen ‘Bair’ dhe ‘Qendra 1’ kohë në të cilën sipas dëshmitarëve u pushkatuan 31 shqiptarë.

Për 17 vite me radhë, qindra shqiptarë nuk janë lejuar forcërisht, të kthehen në shtëpitë e tyre, nga të njëjtët grupime ilegale dhe kriminale të mbështetura financiarisht dhe me armatim nga Qeveritë e Serbisë.  Ende sot ky problem i kthimit të shqiptarëve në banesat e tyre, në pronat e tyre, nuk është zgjidhur, njëjtë si edhe për rindërtimin e shtëpive të djegura gjatë dhe pas luftës.

Teksa kjo situatë paraqitet çdo herë e më paadresuar, Qeveria e Kosovës  keqadreson problemin e barrikadës në Urën e Ibrit dhe rrezikun për zhvendosjen e padrejtë të vijës administrative të Mitrovicës, përkatësisht për lagjen Suhodoll. Kjo nëpërmjet nënshkrimit me 25 gusht 2015 në Bruksel të Marrëveshjes për heqjen e barrikadës nga Ura e Mitrovicës.

Paralelisht më strategjitë plotësisht të gabuara të Qeverive të Kosovës, strategji të mbështetura me votë në Kuvend nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, është paralajmëruar nga autoritet e Serbisë se në territor të Republikës së Kosovës, midis Mitrovicës dhe Zveçanit po përgatiten të ndërtojnë një lagje të pastër etnikisht, që e kanë quajtur Lugina e Diellit.

Qytetarët e asaj zone dhe opozita ka njoftuar me kohë për këtë problem por Qeveria e Kosovës as nuk e ka trajtuar seriozisht këtë ccështje.

Së fundmi, u bënë publike qëndrimet e Kryeministrit të cilat e cilësojnë si të paligjshme ngritjen e një lagje të tillë në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë. Por përkundër këtij qëndrimi, Ministrat nga Lista Serbe në Qeverinë Mustafa morën pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve në këtë territor dhe e përshëndetën iniciativën.

Po ashtu dhe qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Mjedisit dhe planifikimit hapësinor, aktualisht pa ministër, saktëson paligjshmërinë e kësaj lagje kolonizuese. Në të thuhet se fillimi i ndërtimit të kësaj lagjeje nuk mund të bëhet pa leje ndërtimore të lëshuara nga organet komunale në bazë të Planit Zhvillimor Komunal dhe Hartës Zonale Komunale. Komunat  në veriun e Kosovës, nuk I disponojnë këto dokumente të Planifikimit Hapësinor Komunal të përcaktuara me Ligjin për Planifikimin Hapësinor NR 04/L-174.

Por përveç këtyre deklaratave Kryeministri ende nuk ka marrë masa ndaj ministrave. Si rrjedhim edhe Ministria e Pushtetit Lokal që duhet të merrte masa ndaj kryetarëve të Komunave që me iniciativat e tyre shkelin ligjin, në vend të kundërshtimit dhe veprimit, është orientuar nga  mbështetja e nismave në kundërshtimin me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj.

Zyrtarisht nuk kemi të dhëna zyrtare nëse zyrtarët përgjegjës për kontrollin e territorit dhe ligjzbatimin të kenë inspektuar në vend situatën.

Në raportimet dhe deklarimet e shpeshta zyrtare dhe publike përmendet si një nga të arriturat e Negociatave 2011 – 2015 me Kryeministrat e Serbisë, zgjedhja sipas ligjeve të Kosovës të kryetarëve të Komunave të veriut të vendit dhe Këshillave Komunal, si dhe zbatimi nga ana e tyre të normave dhe rregullave republikane të Kosovës.

Sigurisht që kjo as nuk është e vërtetë e as nuk pritet të jetësohet në këtë format që kanë zgjedhur deri më tash drejtuesit e Kosovës. Rasti me Luginën e Diellit na e konfirmoi katërcipërisht këtë.

 

[1] http://www.eulex-kosovo.eu/?page=2,10,378