Lajmet e fundit

Fjalimi i kryetarit Visar Ymeri në mbledhjen e XXVI-të të Këshillit të Përgjithshëm

05 Nëntor 2016 - E shtunë 12:08

Shprendaj me te tjeret

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,
Të dashur aktivistë e anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
I nderuar kryetar i komunës Shpend Ahmeti,
Të nderuar deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
E nderuara nënkryetare Fatmire Mulhaxha-Kollçaku,
Të shumërespektuar musafirë,
Përfaqësues të mediave,
Zonja e Zotërinjë,

Mirë se keni ardhur në këtë mbledhje të XXVI të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Më 28 Nëntor, saktësisht 23 ditë nga sot, bëhen 1 vit që kur qeveria që deri atëherë ishte qeveri që qeveriste me polici u shndërrua në regjim që drejtohej nga logjika policore, e që sundon me metoda policore. Ishte ky një kapërcim cilësor. Nëse deri atëherë qeveria arrestonte aktivistë vetëm për shkak të aksionit të tyre politik, atë ditë i arrestuan dhe i rrahën aktivistët vetëm pse i gjetën në zyre. Nëse deri atëherë arrestonin dhe keqtrajtonin aktivistët në protestë, atë ditë i arrestonin ata që e kishin përfunduar protestën. Nëse deri më 28 Nëntor të arrestonin vetëm pse ishe i angazhuar, më 28 Nëntor na arrestuan vetëm pse ishim. Ishte ky akt i paprecedent i ndërhyrjes së njësiteve antiterroriste në zyret e subjektit më të madh opozitar. Më armë të zhveshura. Gati për të vrarë.

Pse po i kujtoj këto momente tash? Sepse ky kapërcim cilësor nga qeveria në regjim nuk u ndalë aty. Ai u thellua. U egërsua. Dhe u zgjerua.

Sot Astriti, Atdheu e Egzoni mbahen në burg. Adea, Frashëri e Petriti mbahen në arrest shtëpiak. Tash e 68 ditë. 408 ditë gjithsej. Mbi një vit. Me akuzën për terrorizëm. Pa asnjë dëshmi, pa asnjë provë. Vetëm pse janë. Se janë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Aktivistë të mirë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Studentë e punëtorë të zot. Të zellshëm e të ndershëm. Të përkushtuar e vetëmohues. Saktësisht të tillë çfarë nuk i do regjimi. Nuk i do të jenë. Prandaj edhe i mbanë në burg, duke fabrikuar gënjeshtra për ta. Tamam sikur regjimet.

Por ka edhe më. Më 27 tetor regjimi më saktësisht Kadri Veseli i kërcënoi hapur deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me jetë. Me fjalinë e famshme të tij për vetëvrasje. Nuk pati asnjë tërheqje e as pendesë nga ai për këtë fjalë. Ky pra ishte kërcënim me paramendim. Tamam sikur regjim i nëntokës. Se regjimi domosdoshmërisht një pjesë të punës e kryen në fshehtësi. Nga nëntoka. Natën. Sepse nuk i duron kundërsharët politik. Nuk i do ata të jenë.

E aq më pak kur kundërshtar e ka një Lëvizje sikur Lëvizja VETËVENDOSJE!
Këto sjellje të regjimit pronto e tregojnë qartë panikun në të cilin gjendet ai. Ky panik rrjedh nga dy faktorë kryesor: në njërën anë ata po bien, e në anën tjetër ne po rritemi. Në këto lëvizje, pra regjimi teposhtë e ne përpjetë, natyrisht se do të takohemi. Ky është takimi. Dhe nuk ka pse çuditemi. Rrugën tonë nuk e kemi menduar kurrë të lehtë. E as të shkurtë. Por e kemi ditur dhe e dijmë se është e pandalshme.

Rritja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është rritje e mundësisë sonë. Por edhe rritje e mundësisë për Kosovën. Ky vit e ka dëshmuar se bashkimi dhe organizimi i të pakënaqurëve edhe është i mundshëm por edhe është frytdhënës.

Sot e jetojmë një realitet tjetër, të pamenduar kohë më parë. Sot nuk ka vazhdim të dialogut me Serbinë. Ky proces praktikisht është ndalur. Dhe nuk ka fare mbështetje nga populli i Kosovës per te. Ndalja e Zajednicës e ndali edhe dialogun. Natyrisht. Sepse ky dialog ishte dialog për Zajednicë. Temat tjera ishin aty vetem sa për sy e faqe. Nuk kishte të bënte fare me normalizimin e marrëdhënieve e aq më pak me njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia apo me integrimin e qytetarëve serb të Kosovës. Ishte dialog për ta normalizuar Zajednicën, për ta njohur atë juridikisht e politikisht, dhe për ta betonuar në pakthim ndarjen.

Ndërkohë që regjimi bënte agresion ndaj territorit të Republikës së Kosovës me atë që e quante demarkacion.

Këto të dyja u diskredituan, dhe si marrëveshje u anuluan. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Llogaria nga regjimi asnjëherë nuk u dha.

Sepse ishin Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Isa Mustafa ata që për më shumë se një vit i terrorizuan qytetarët e Kosoves me lloj lloj mashtrimesh, kërcënimesh e shantazhesh, vetëm e vetëm për t’i jetësuar këto dy akte tradhtie ndaj republikës dhe interesit të përgjithshëm. Dhe sot pas diskreditimit dhe delegjitimimit të plotë të tyre nuk e thonë asnjë fjalë. Premtonin se do të integrohen plotësisht serbët e Kosoves, se do të na njoh Serbia, se do të avansojmë drejt bashkimit evropian, se do të liberalizohen vizat. Asnjëra nga këto nuk ndodhi. Dhe prapë pretendojnë të vazhdojnë ne rrugen e njejtë. Nëse herën e parë dikush ka mundur të dyshoj se ata kanë gabuar, tash secili e ka të qartë se nuk kanë qenë gabime. Por akte të cenimit të interesit të vendit, sovranitetit të republikës e integritetit të territorit. Akte me paramendim. Dhe akte te paraplanifikuara.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

A do të ndodhnin këto në Kosovën e UÇK-së. Pra në Kosovën që e përfytyronte UÇK-ja. Natyrisht se jo.

UÇK-ja e dëshmorëve krijoi vlerë. Vlerë përdorimi për të mirën e përgjithshme, për popullin e Kosovës. Sakrifica e tyre e solli lirinë, atë liri që ata e kishin menduar të jetë e barabartë për të gjithë, dhe që do të krijonte konditat që dukeshin të pamundura më parë të barazisë e të mirëqenies. Sot regjimi këtë vlerë e sheh si vlerë këmbimi. Në këmbim të pasurimit vetanak, në këmbim të amnistimit vetanak, dhe në këmbim të kapitalit simbolik, po ashtu dhe gjithherë vetanak. Dëshmorët e flijuan privaten e tyre në funksion të së mirës së përgjithshm e publike. Përfaqësuesit e regjimit sot të mirën e përgjithshme e publike e kanë shndërruar në pasuri të tyren private. Të dyja keto kanë vlerë. Por janë aq të ndryshme në funksionin që e kryejnë dhe efektin që e kanë sa që nuk mund të quhen të dyjat vlera. Për ne vepra e dëshmorëve e luftëtarëve të UÇK-së është vlerë. E transakcionet e matrapazëve tugjarë të regjimit janë antivlerë.

Prandaj edhe propozuam në Kuvend, dhe do ta vazhdojmë punën, për ta futur luftën çlirimtare te Kosoves në Kushtetutën e Republikës se Kosoves. Kështu edhe mbrohet vlera por edhe luftohet antivlera.

Qartazi e njëjta tendencë dhe e njëjta logjikë është zbatuar edhe në rrafshin ekonomik. Tash e kanë bërë një hap të madh drejt privatizimit të Trepçës. Edhe këtu rendi i gjërave është përmbysur tërësisht. Ligji për Trepçën nuk përqendrohet të nevoja e rivitalizimit dhe funksionalizimit të plotë të Trepçës, duke investuar kapacitetet tona publike në të, por perqendrohet te hapja e rrugës për investime private të cilat mbase, varësisht studimit të famshëm të fizibilitetit, e rivitalizojnë Trepçën. Kjo i hapë rrugë privatizimit të Trepçës dhe edhe më keq e bën privatizimin e Trepçës prioritet karshi rivitalizimit të saj. Trepçën nuk do t’lejojmë ta shesin e as ta falin, sepse shitja dhe privatizimi i Trepçës natyrisht që e rënon mundësinë ekonomike të Republikës së Kosovës.

Sepse kështu me këtë logjikë të privatizimit, zhvillimi ekonomik nuk bëhet prioritet. Ai zhvendoset në rend të dytë. Së pari është privatizimi shitja, për hir të shitjes. Nëse kjo nxitë zhvillim atëherë është çështje dytësore. E tretësore pastaj bëhet mirëqenia e qytetarëve, nëse ajo mirëmbahet nga zhvillimi ekonomik, i cili në këtë logjikë varet nga privatizimi.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! rendi i gjërave është ndryshe. Pikësynim është mirëqenia e barabartë e qytetarëve, e krijimi i vendeve të qëndrueshme të punës. Për ta arritur këtë zhvillim industrial e prodhues, investimi në të është mjet i domosdoshëm. E për këtë zhvillim duhet të bashkëpunojnë e bashkëjetojnë sektori privat, si dhe ai publik. Gjithnjë në funksion të mirëqenies, barazisë e punësimit. Dhe secili prej tyre në këtë funksion.

Ky është synim yni. Ta forcojmë e zhvillojmë Republikën, ta rrisim kohezionin shoqëror e dinjitetin popullor, si dhe ta luftojmë kështu krimin. Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! është faktor determinant. Si e tillë ne duhet të bëhemi forca gravituese e vullnetit për ndryshim. Ne pra jemi strumbullari i forcave progresive në Republikën e Kosovës. Ky fakt tashmë po njihet nga qytetarët e Republikës së Kosovës, por është një fakt që po njihet edhe jashtë Republikës së Kosovës.

Më 17 dhe 18 tetor, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga unë, në cilësinë e kryetarit, nga kryetari i komunës Shpend Ahmeti, dhe deputeti Albin Kurti, kemi qenë në Bruksel ku kemi marrë pjesë në punimet e Aleancës Progresive, që është një rrjet informal që i mbledhë të gjitha partitë progresive, social-demokrate, kryesisht të Evropës por jo vetëm të Evropës dhe në cilën kemi pasur rast që të takohemi dhe të diskutojmë me shumë prej përfaqësuesve të partive, si SPD gjermane, Partia Laburiste britanike, partitë social-demokrate të Belgjikës, të Suedisë, të Norvegjisë, të Zvicrës e kështu me rradhë. Por edhe me parti jashtë Evropës dhe me këtë diskutim qartazi duket dhe shihet që Lëvizja VETËENDOSJE! po kuptohet drejtë. Ka fillur të kuptohet drejtë në programin e vet, në synimin e vet dhe veçanërisht ka filluar të kuptohet drejtë në potencialin që ajo paraqet.
Pra, kjo rritje e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kjo rritje e peshës dhe rëndësisë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! është njëkosisht rritje e përgjegjësisë për ne.
Lëvizja VETËVENDOSJE! sot është subjekt politik në Republikën e Kosovës, i cili i ka gjasat shumë të mëdha të jetë subjekti i parë politik në Republikën e Kosovës.

Sot po vjen koha kur perfytyrimi jonë politik për atë se si duhet të rregullohet Kosova, i materializuar në programin politik dhe Alternativën Qeverisëse mund të bëhet realitet politik dhe institucional në Republikën e Kosovës. Dhe në këtë drejtim është përgjegjësi e jona që ta çojmë këtë deri në fund. Këtë rrugë që e kemi nisur dhe ta kapim këtë moment jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin tonë politik dhe në punën tonë të përditshme.

Sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! është mundesia e vetme per ndryshim në Kosovë, dhe ndryshimi në Kosovë është mundësia e vetme për mbijetesë të Republikës së Kosovës, për fuqizim të saj dhe për bashkim të saj. Ju falemnderit!