Lajmet e fundit

Fjalimi i Visar Ymerit në mbledhjen e XXVIII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

18 Mars 2017 - E shtunë 1:57

Shprendaj me te tjeret

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,

 

Të shumë respektuar mysafirë në këtë mbledhje të Këshillit,

 

Aktivistë të dashur të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

 

Përfaqësues të nderuar të mediave,

 

Zonja e zotërinjë,

 

Mirë se erdhët e mirë se ju gjejmë në mbledhjen e XXVIII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot, kur do të duhej ta kishim një nivel të lartë organizimi, përballemi me një çakërdisje  të lartë institucionale. Me disa tipare që në pasojë, edhe pse jo parimisht, e bëjnë këtë një anarki institucionale. Secili institucion i vendit, Presidenca, Kuvendi, Qeveria, ministritë e veçanta, të gjitha bëjnë punën e tyre, ose nuk çajnë kokën për të, në mënyrë të pavarur, dhe pa ndonjë lidhje mes njërës dhe tjetrës. Dhe të gjitha së bashku janë vendosur tërësisht në funksion të krerëve të tyre institucional, për t’i ndihmuar ata dhe për t’i shpërtuar ata.

Kur nuk ka as program as plan zhvillimi, as strategji shtetndërtimi, as qëllim e as mendje për ta forcuar Republikën e Kosovës, pra kur nuk e ka përpara potencialitetin e së ardhmes e as të mirën e përgjithshme përtej dhe përmbi agregatit të interesave private, pushteti merr formën e një destruktiviteti kreativ. Pa e pasur si këndvështrim të ardhmen, ai është i verbëruar me të tashmen. Për më keq se kaq, duke mos e parë as të tashmen e as të ardhmen si potencialitet, pushteti robërohet në aktualitet. Në aktualitetin gjithnjë të kufizuar, të fundëm, pa perspektivë.

Kështu ata i ikin njerëzores, punë e aktivitet i vetëdijshëm e i planifikuar për të mirën publike, duke iu afruar kafshërores, mbushje e barkut të zbrazët tash dhe vetëm për tash. Gjallojnë duke përpirë çdo gjë përreth. Kosova sot nga ky pushtet nuk qeveriset, nuk zhvillohet, por shpenzohet.

Dhe në këtë pikë e në këtë gjendje sot, jemi duke e diskutuar një prej çështjeve më të rëndësishme të Republikës, mbrojtjen e saj. Është ironike që ata që dje cenonin sovranitetin, falnin territore e lëviznin kufirin sot e kanë marrë përsipër ta nxisin procesin e, siç po e quajnë, themelimit të Ushtrisë së Kosovës, për ta mbrojtur sovranitetin e kufirin.

Republika e Kosovës duhet ta ketë ushtrinë e vet si garantuese të sovranitetit, integritetit territorial dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit. Mohimi i së drejtës për ushtri ka qenë dhe mbetet mohim i së drejtës sonë sovrane për shtetndërtim. Më keq se kaq, është pamundësim i organizimit kolektiv për mbrojtje dhe zhvillim.

Sikur asnjë vendim tjetër, aq më pak vendimet që kanë të bëjnë me ndërtimin e arkitekturës së mbrojtjes dhe sigurisë për Republikën e Kosovës, nuk bën dhe nuk mund të merren në bashkëpunim me Beogradin. Republika e Serbisë është shtet armiqësor dhe është e përfshirë në agresion faktik në një pjesë të territorit dhe agresion Kushtetues mbi tërë Republikën e Kosovës. Ushtria duhet themeluar dhe ndërtuar, para së gjithash dhe mbi të gjitha kundrejt Beogradit sepse na duhet për t’u mbrojtur nga Beogradi.

Ligji për FSK-në nuk krijon Ushtri të Kosovës, nuk ia ndryshon asaj mandatin, nuk e transformon FSK-në, por e avancon atë duke ia ndryshuar rolin, dhe duke ia zgjeruar edhe përgjegjësitë, por edhe deri diku, kapacitetet. Së këndejmi edhe pse hap në drejtimin e duhur, është i mangët edhe në qëllim e veçanërisht në praktikë. Ka shumë gjëra të cilat duhen amendamentuar në atë ligj për ta përmirësuar sadopak edhe vet qëllimin minor të tij. Mënyra se si është aktualizuar dhe sjellë në Kuvend ligji më shumë se për qëllimin e vet flet për qëllimin e Thaçit, sponzorizuesit të këtij ligji. Qëllimet e tij nuk janë të sinqerta. Sjellja e Ligjit në këtë kohë, e veçanërisht në këtë mënyrë, nuk ka për qëllim ta avancojë FSK-në, por pozicionin e Thaçit. Kështu Ligji rrezikon ta përmbush këtë qëllim të fshehtë të tij në dëm të qëllimit formal.

Aktualisht, dhe për shkak të rrethanave kushtetuese në të cilat është vendosur Republika e Kosovës, nuk ka rrugë tjetër të shkurtër përveç asaj të zgjerimit të rolit të FSK-së, armatosjes së saj, rritjes së numrit të pjesëtarëve, avancimit të përgatitjes së tyre, që do ta forconte sadopak komponentin e mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Kjo rrugë edhe pse e domosdoshme, nuk është aspak e mjaftueshme. Dhe në asnjë mënyrë nuk bën të ndalemi në gjysmë. As nga kjo rrugë afatshkurtër e as nga ajo që e themelon Ushtrinë e Republikës së Kosovës. Çfarëdo tërheqje tash nga rruga e avancimit të FSK-së, pa e pasur mundësinë e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, nënkupton dorëzim në shtetbërje.

Ushtria duhet bërë. Duhet të kujdesemi që marrëdhëniet e partneritetit dhe bashkëpunimin me aleatët e Kosovës ta avancojmë në një stad të ri edhe për sa  i përket arkitekturës së mbrojtjes për Republikën e Kosovës. Domosdoja për Ushtrinë e Kosovës për mbrojtje, sovranitet e dinjitet duhet shpjeguar mirë. Nuk duhet të ndalemi në këtë drejtim.

Duhet ta bëjmë të qartë dhe të dukshme se sa të pamundshme e ka bërë Republikën Plani i Ahtisaarit, e në të e drejta e vetos për deputetët përfaqësues të pakicave. Atëbotë kjo e drejtë na shitej sikur garanci për pakicat që ta mbrojnë veten nga arbitrariteti i shumicës. Por në fakt kjo e drejtë vetoje përmbi amendamentimin e kushtetutës është shndërruar në mjet tejet efikas për bllokimin e ndërtimit të shtetit, funksionalizimit të tij, bllokimin e zhvillimit e fuqizimit të Republikës. Kështu nuk mund të ecim para. Siç po shihet te rasti i Ushtrisë. Siç vërehet gjithandej karshi cilitdo propozim që sadopak do ta avanconte republikën.

Lënia në gjysëm, zmbrapsja, heqja dorë nga Ushtria, është rrezik i madh. Është më keq se sa të mos nisej fare. Ajo dërgon sinjale jashtëzakonisht të dëmshme gjithandej. Te Serbia së cilës i thotë që Kosova nuk e ka guximin për të ecur para me shtetësinë e vet, gjë që e inkurajon Serbinë për trysni shtesë ndaj nesh. Te bashkësia ndërkombëtare, së cilës i flet për mos seriozitetin tonë gati se absolut, që e rrit mobesimin ndaj Republikës sonë. Te të gjithë e paraqet Kosovën si shtet impotent. Te populit i Kosovës të cilit prapë shteti i vet i paraqitet si një konglomerat pamundësish dhe paaftësish. Kjo e rrit zhgënjimin, e përdhos dinjitetin, e shton pasigurinë dhe e rrit letargjinë. E shteti nuk ka se si të ndërtohet, e as ekonomia nuk se si të zhvillohet, në kushte pesimizmi e letargjie. Pesimizmi e letargjia e mbysin shtetin, sepse e mbysin popullin. Kjo nuk guxon të ndodh. Këtë nuk do ta lejojmë të ndodh.

Aq më tepër tash. Zhvillimet në rajon Evropë e botë e bëjnë sovranizimin e Republikës së Kosovës, e bashkërendimin e politikave kombëtare, bashkimit në një zë, një veprim shumë më të rëndësishëm, jetik e me urgjencë të shtuar. Rritja e fashizmit albanofob në Serbi e Maqedoni është tringëllima e ziles për zgjim.

Ky fashizëm nuk është se nuk ka ekzistuar edhe dje, por sot është bërë më eksplicit, me intensiv, më kërcënues. Në Maqedoni tash në mënyrë eksplicite institucionale shtypja e shqiptarëve, pabarazia e tyre u shpall si kushti ekzistues i shtetit. Pa këtë shtypje po thonë Maqedonia nuk mund të ekzistojë. Një Maqedoni e barabartë dhe e lirë edhe për shqiptarët, sipas kryetarit të atjeshëm, qenka e pamundur.

Përballë kësaj nuk bën të heshtim e aq më pak të dorëzohemi. Forcat politike të shqiptarëve duhet ta intensifikojnë bashkimin dhe bashkëpunimin, ta forcojnë përkrahjen e tyre për Platformën e përbashkët. Dhe të qëndrojnë bashkë në qeveri me Zaev, ose në opozitë nëse kjo qeveri nuk  bëhet.

Ndërkohë që në këto rrethana të rritjes së albanofobisë kemi shkëndijëza edhe në Kosovë. Sulmi, përçmimi deri edhe te urrejtja ndaj shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë dhe çdo gjëje që vjen nga atje është në rritje të frikshme.

Pesimizmi e letargjia këtu nuk ka vend. Kriza është edhe mundësi. Krizën e pushtetit duhet ta shndërrojmë në mundësi për popullin.

Kjo bëhet në kundërshtimin e këtij pushteti. Në kundërshtimin e veprimeve të tij, që e përcaktojnë qenien e tij. Veprimet e tij janë të përqëndruara te personaliteti i krerëve. Kadri Veseli tërë ditën bën fushatë për ta pastruar fytyrën e tij, për ta bërë atë të pëlqyeshme e të pranueshme.

Hashim Thaçi secilin veprim të tij e ka të drejtuar drejt vetëshpëtimit, vetëprezervimit. Kështu ai do të bëhet i nevojshëm për të qenë i pranueshëm. Do me çdo kusht karrigen në Bruksel sepse vetëm aty ndihet i sigurtë. Dhe për këtë është i gatshëm të bëjë çdo gjë, të lëshojë pe sa herë që kërkohet, të kërcënojë kur lëshimi pe nuk mjafton.

Isa Mustafa krejt energjinë e ka të përqendruar te zgjerimi i pushtetit e zgjerimi i hises së vet në të, për ta shpëtuar sadopak LDK-në nga theqafja politike e elektorale.

 

 

Prishtinë, 18 mars 2017