Lajmet e fundit

Fjalimi i Visar Ymerit për 28 nëntor- Nëntori i Astritit

29 Nëntor 2016 - E martë 8:03

Shprendaj me te tjeret

Të nderuar pjesëmarrës,

I dashur baca Avni,

Të dashur aktivistë e simpatizantë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

Ne sot, në këtë 28 nëntor si Lëvizje VETËVENDOSJE! ia kushtojmë këtë ditë Astrit Deharit. Astritit këtu që po na shikon më buzëqeshjen e tij të përhershme, dhe që na e kujton jetën dhe veprën e tij, dashurinë që kishte për ne dhe dashurinë që nxiste tek ne.

Astriti sot nuk është vetëm aktivist i VETËVENDOSJE-s, nuk është vetëm aktivist politik, nuk është vetëm djali i bacës Avni e nënës Xhemile, nuk është as vetëm burri i Artës, nuk është as vetëm një qytetar i Kosovës apo një pjesëtar i popullit shqiptar. Sot, Astriti është përmbi të gjitha këto. Astriti sot është e vërteta e këtij shteti, e këtij regjimi politik të instaluar në Republikën e Kosovës. Astriti e dëshmon se si në njërën anë duhet të angazhohemi për këtë Republikë, për këtë popull e për kombin shqiptar dhe në anën tjetër, se si regjimi në Kosovë i instaluar në krye të institucioneve, e që e ka kapur shtetin, i trajton qytetarët e Republikës dhe kundërshtarët e tij politik. Njëkohësisht sesi po e trajton shtetin e Kosovës. Pra, një regjim antipopullor natyrisht se do të jetë brutal me popullin e vet.

Historikisht regjimet në Kosovë kanë qenë aq të egër karshi popullit që kërkonte liri e barazi, sa kanë qenë të dobët e të nënshtrueshëm karshi kërkesave hegjemoniste të Serbisë. Kjo sot po shihet të jetë aq e vërtetë siç ka qenë në histori.

Që prej 5 nëntorit regjimi ka refuzuar absolutisht që të jap dhe të krijoj drejtësi për Astritin, që të jap përgjegjësi për të dhe që popullit të Kosovës t’i tregojë se çfarë ka ndodhur me Astritin në burgun e Prizrenit. E Astriti vdiq në burgun e Prizrenit nën akuza të montuara, i mbajtur padrejtësisht aty. Kjo e bën Astritin jo vetëm aktivist politik të aktualitetit në Kosovë, po edhe në vazhdimësi, e të përndjekurve politik gjithandej historisë sonë.

Kjo histori që sot e shënojmë në këtë datë të lavdishme për kombin shqiptar, dhe të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve. Në këtë 28 nëntor kur shqiptarët për herë të parë e shpallën veten komb dhe shtet. Kur shqiptarët për herë të parë u bënë pjesë e botës si të barabartë me të tjerët. Shprehën vullnetin e tyre që as nuk duan t’i nënshtrojnë të tjerët, por veçanërisht nuk duan të nënshtrohen nga tjerët. Edhe sot kjo datë na kujton jo vetëm një moment të caktuar në historinë tonë, por më shumë një rrugë përpara që domosdoshmërish duhet ta bëjmë. Rrugë kjo e cila do ta finalizoj dhe do ta përmbush atë ideal të nisur me Lidhjen e Prizrenit e të kurorëzuar më 1912 më 28 nëntor. Sepse po shihet tashmë që sa më të ndarë që jemi ne shqiptarët aq më keq do t’i kemi punët në secilin rrafsh.

Fatkeqësisht më këtë regjim të instaluar në Kosovë, ajo edhe po dobësohet si Republikë edhe po nënshtrohet karshi Serbisë, rrjedhimisht po largohet prej Shqipërisë. Pra, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë më të këqijat që nga përfundimi i luftës. Ndërkohë që fuqizimi politik i Serbisë është më i madhi që nga përfundimi i luftës. Ky është një kurs politik i cili duhet ndryshuar. Ky 28 nëntor, sikur 28 nëntorët e tjerë duhet të na tregojnë se cili duhet të jetë kursi ynë politik, dhe sa e rëndësishme është që të bëhemi bashkë në këtë kurs politik. Në një kurs që Republikës së Kosovës ia kthen dinjitetin dhe sovranitetin dhe ia kthen mundësinë për të ecur përpara drejt bashkimit.

E në këtë rrugën tonë, unë personalisht, aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! përherë do ta kemi para fytyrës Astrit Deharin, i cili nuk pushoi kurrë në këtë rrugë dhe na dha gjithçka që kishte për këtë rrugë. Pra, edhe njëherë, lavdi për Astritin, lavdi për të gjithë dëshmorët e kombit sepse këta janë dëshmi për atë se si duhet atdheu, për atë se cila është gatishmëria që duhet ta kemi për të mirën e përgjithshme. Dhe veçanërisht janë dëshmi për projektin tonë të papërfunduar.


Prishtinë, 28 nëntor 2016