Lajme

Gjashtë padrejtësi themelore në planin e Ahtisaarit

12 Shkurt 2017 - E diel 8:59

Shprendaj me te tjeret

Fjalimi i Albin Kurtit me rastin e 10 vjetorit të 10 Shkurtit

Të nderuara familje Xheladini dhe Balaj,

E nderuara familje Dehari,

Të dashur aktivistë,

Të nderuar pjesëmarrës.

Në të gjitha vitet e pasluftës thoshin “pavarësia në fund të vitit”, dhe, për çdo fundvit, thoshin “pavarësia në vitin e ardhshëm”. Nëntë vite rresht ishte kështu, që nga viti 1999 deri në vitin 2008. U krijua një fiksim me pavarësinë si fjalë për shtetin pa e konsideruar përmbajtjen e saj. Pra, së pari pavarësia kërkohej e përjetohej formalisht duke e ndarë formën nga përmbajtja, dhe, së dyti, besohej se forma e përcakton përmbajtjen duke e harruar të kundërtën që edhe përmbajtja e përcakton formën. Asokohe përveç se u nda forma nga përmbajtja dhe u instalua dominimi i së parës, pra formës, pasoi degradimi i tretë ku forma u reduktua në emrin, në emërtimin për shtetin: vetëm le të quhemi të pavarur, thuhej atëherë, kjo është e rëndësishme.

Pakoja e Ahtisaarit, siç e mbajmë në mend, nuk erdhi në fund të vitit 2006 siç u premtua sepse ishte shtyer për shkak zgjedhjeve në Serbi. Më 2 shkurt të vitit 2007 ateron paketa e Ahtisaarit në Prishtinë me gjashtë padrejtësi themelore porsi gjashtë faqet e kubit të paketës. Më 2 shkurt të vitit 2007, në paketën e Ahtisaarit askund nuk figuronte fjala pavarësi. Rekomandimin për pavarësi të mbikqyrur, Ahtisaari ia dërgon veçmas sekretarit të përgjithshëm të OKB-së pas demonstratës së 10 Shkurtit. Në tërë Pakon e Ahtisaarit njëherë përmendet fjala ‘shqipe’ tek gjuha shqipe. Askund fjala ‘shqipar’ përveç kur bëhet fjalë për komunitetet joshqiptare, dhe, 37 herë fjala ‘serbe’.

Më lejoni ta lexoj se çfarë kemi shkruar atëherë, pra kritikën tonë ndaj Pakos së Ahtisaarit. Neni 1.2 i kësaj pakoje, ajo Kosovën e definon si shumësi të komuniteteve, pra shqiptarët dhe serbët i konsiderohen komunitete. Edhe pse shqiptarët janë mbi 90% kurse serbët përbëjnë vetëm 6%. Sipas Pakos së Ahtisaarit, shqiptarët në Kosovë nuk janë as popull as komb. Neni 1.3, njerëzit në Kosovë kjo pako i quan banorë e jo qytetarë. Qytetari është burim i sovranitetit ndërsa banor është status që mund ta fitojnë edhe refugjatët. Ne po trajtohemi si refugjatë në shtëpinë tonë. Banori nuk ka territor, ai është disi me qira, është në tokën që s’është e tij. Neni 1.6, gjuhë zyrtare në Kosovë është shqipja dhe serbishtja. Kjo është shumë më shumë për serbët sesa për shqiptarët ta zëmë në Maqedoni, se lëre më për ata që janë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Neni 1.8, nuk e lejon as kërkesën për bashkim me ndonjë shtet apo pjesë të një shtetit tjetër, pra kufizim drastik nga jashtë i vetëvendosjes së jashtme për popullin dhe sovranitetit të jashtëm për shtetin. Neni 1.10 tregon se në Kosovë do të sundojë bashkësia ndërkombëtare e jo populli dhe Qeveria e saj, po ashtu në këtë nen parashihet që Kosova t’i bëj ftesë bashkësisë ndërkombëtare për këtë gjë: Ejani të na sundoni! Neni 1.6, aneksi 1, dispozita kushtetuese, parasheh se të gjithë ata që kanë qenë qytetarë të ish Republikës Federative të Jugosllavisë dhe banorë të përhershëm të Kosovës deri më 1 janar 1998 si dhe pasardhësit e tyre kanë të drejtë për nënshtetësinë e Kosovës. Pra, vëreni me kujdes, qytetarë të ish RFJ-së dhe banorë të Kosovës. Natyrisht se kjo datë më së shumti i konvenon Serbisë pasi që dihet se mbi 300.000 shqiptarë u dëbuan gjatë kohës së okupimit klasik dhe aparteidit në vitet e ‘90-ta para 1 janarit të vitit 1998. Neni 3.7, aneksi 1, dispozita kushtetuese e shpjegon qartë sesi Kuvendi i Kosovës është i kurthuar nga e ashtuquajtura shumicë e dyfishtë. Miratimi, ndryshimi apo shfuqizimi i ligjeve më të rëndësishme ka nevojë jo vetëm për shumicën e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit, por edhe shumicën e atyre të komuniteteve pakicë të cilët kanë edhe ulëse të rezervuara. Më tutje në nenin 3.9 thuhet që asnjëra nga këto ligjet e theksuara në nenin 3.7 nuk mund të jenë objekte të referendumit. Kjo është e vetmja herë kur përmendet fjala ‘referendum’, pra kur na ndalohet ai. Neni 10.1, te amandamentet kushtetuese sërish tek aneksi 1 thuhet se çdo amandament në Kushtetutë mund të bëhet vetëm me 2/3 e deputetëve të Kuvendit, përfshirë këtu 2/3 e komunitetit pakicë të cilët i kanë ulëset e rezervuara. Pra, nevojiten 2/3 e numrit të gjithëmbarshëm të deputetëve, 2/3 e pakicave, por nuk është e thënë 2/3 e shqiptarëve. Aneksi 2, të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarve, në nenin 2.2, flet për mbështetjen e pajtimit ndërmjet komuniteteve. Nuk përmendet askund represioni, krimi dhe gjenocidi i forcave serbe si shkak, por për më keq aludohej se problemi është inherent etnik gjë që e shfajëson regjimin e Millosheviqit  dhe Serbinë. Thua se dallimi etnik mes nesh ishte shkaku i konfliktit e jo interesat dhe apetitet e Beogradit. Neni 4, aneksi 3, decentralizimi tregon qartë sesi komunat e reja me shumicë serbe do të kenë kompetenca më të mëdha sesa komunat me shumicë shqiptare, siç është rasti i arsimit sipëror në Universitetin e veriut të Mitrovicës, i shëndetësisë sekondare e lincensimit dhe menaxhimit të spitaleve. Neni 7.1.1, aneksi 3, e shpjegon si Ministria e Arsimit të Serbisë do t’i hartojë planprogramet për shkollat në gjuhën serbe në Kosovë. Prandaj nuk kemi pse çuditemi sot kur është paralajmëruar para 10 viteve. Neni 12.4, aneksi 3, parasheh formimin e komunave të reja minoritare aty ku ata përbëjnë 75% të popullsisë dhe janë mbi 5.000 banorë. Në këtë mënyrë Serbia joshet që t’i kthej serbët se kështu do ta mundësojnë formimin e komunave të reja. Pra, Serbia i ka përdorur serbët për më shumë territor , e jo më shumë territor për serbët. Aneksi 5, trashëgimia kulturore dhe fetare në nenin 1.2 thotë se Kosova do ta njeh Kishën Ortodokse Serbe të Kosovë duke përfshirë manastiret, kishat dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare si pjesë integrale e KOS-it me seli në Beograd. Ndërkaq, në nenin 6, thuhet se duhet të bëhet kthimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marr hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999. Pra, plani i Ahtisaarit thotë që ne ta pranojmë se na u paskan marr hua përkohësisht, dhe jo se na janë plaçkitur. Aneksi 6, Prona dhe Arkivi në nenin 6.1, thuhet se Kosova duhet ta adresojë me prioritet çështjen e kthimit të pronës së Kishës Ortodokse Serbe! Ajo konjukturë udhëheqëse, një pjesë e mirë që është edhe sot e kësaj dite, ka pranuar se duhet t’i kthehet KOS-it prona që padrejtësisht e konsideron të sajën. Aneksi 8, sektori i sigurisë në Kosovë, në nenin 5.2 thotë se FSK-ja do të jetë e armatosur lehtë dhe nuk do të posedojë armë të rënda si tanke, artileri të rëndë apo kapacitet ajror ofenziv. FSK-ja do të përbëhet nga 2.500 pjesëtarë aktivë dhe 800 pjesëtarë rezervë. Krahasojeni këtë me Serbinë! Aneksi 8, sektori i sigurisë në Kosovë, në nenin 6.1 thotë se TMK-ja do të shpërbëhet, pikë. TMK-ja e cila ishte pasardhëse e drejtpërdrejtë e UÇK-së do të shpërbëhet, shuhet.

Janë gjashtë padrejtësi të Planit të Ahtisaarit. Gjashtë padrejtësi themelore që i kemi identifikuar atëherë, e cilat paraqesin thelbin e kritikës dhe kundërshtimit tonë që merr shprehjen e vet më të mirën në demonstratën e 10 Shkurtit të vitit 2007. Padrejtësia e parë është privilegjet për pakicën serbe për shkak se kështu kërkonte Serbia, duke ua dhënë të drejtën e vetos atyre që ua ke rezervuar ulëset. E dyta është trashëgimia kulturore me 45 zona eksterritoriale qindra hektarëshe e cila serbizonte dhe fetarizonte kulturën tek ne. E treta është decentralizimi  që përbën 3/4 e Pakos së Ahtisaarit. Aty kemi oferta të palës kosovare, njëherë planin A pastaj B dhe C, njëherë 3+1 pastaj 4+1 dhe 5+1, deri sa vijmë tek Pakoja e Ahtisaarit, ku duhet që Kosova t’i bëj oferta Serbisë për ta realizuar Serbinë brenda Kosovës deri sa ajo të jetë e kënaqur. Ka ndodhur një defekt i jashtëzakonshëm në dy rafshe. I pari është decentralizimi para sovranitetit. Së pari duhet sovraniteti e më pas decentralizimi – në Kosovë ka ndodhur e kundërta për të mos u bërë sovraniteti si i tillë pikërisht për shkak se e ke pasur vendin e decentralizuar paraprakisht. Rrafshi i dytë i defektit është se decentralizimi është mbi baza etnike e jo për zhvillim. Është decentralizim sipas përkatësisë etnike, jo i organizuar rreth punës por përreth ndejës. Shqiptarët rrinë me shqiptarë, serbët rrinë me serbë, turqit me turqë, le t’ua bëjmë komunat e tyre si njësi administrative territoriale. Në vend se të jetë i organizuar rreth punës, rreth zhvillimit e rreth ekonomisë. Pra, një decentralizim i ri, krejtësisht ndryshe i nevojitet Kosovës. Padrejtësia e katërt është betonimi i sundimit ndërkombëtar. Padrejtësia e pestë është pjesëmarrja e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë. Ndërkohë që ne nuk kemi marr pjesë në suksesionin e Serbisë. Ju e dini se motrat dhe vllezërit kur ndahen në një familje ndahen duke e trashëguar pasurinë e prindërve para se ta bëjnë ndarjen e borxhit të prindërve. Kjo nuk ka ndodhur në Kosovë. Në fund, është çështja e shuarjes së TMK-së: në vend se të çarmatosej ushtria jugosllave u çarmatos UÇK-ja, më pastaj, në vend se TMK-ja të bëhej ushtri ajo u shua fare. Kjo i bie thua se ne e kemi okupuar Serbinë dhe tash duhen të drejta për serbë dhe se ne nuk duhet të kemi armatim sepse ne jemi agresorët dhe okupatorët!

Më vonë dihet se u bë kompromisi i dhimbshëm ku Serbia fitoi shumë por mbeti e pakënaqur, pavarësia nuk kaloi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së sepse ajo nuk ishte adresa për ne, Serbia nuk e njohu pavarësinë tonë dhe përkundër të gjitha këtyre Pakoja e Ahtisaarit u zbatua njëanshëm në Kosovë. Më 20 shkurt të vitit 2008 në një ditë të vetme në Kuvendin e Kosovës kur s’ka pasur VETËVENDOSJE, miratohen nëntë ligje nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës që ndryshe quhej Plani i Ahtisaarit. Dihet që Kushtetua është si skeleti ndërkaq ligjet janë sikur mishi. Ky shteti i Republikës së dytë të Kosovës, i pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008 ka edhe deformitete eshtërore edhe atrofi muskulore.

Sot, të nderuar të pranishëm, Serbia është edhe më tej e pakënaqur dhe në Bruksel po zhvillohen negociata të reja. Serbia e pakënaqur është Serbi hegjemoniste dhe shoviniste. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është normalizim i marrëdhënieve me hegjemonët dhe shovenistët jo të penduar për krimet nga e kaluara. Sikur dje komunat me shumicë serbe, po ashtu edhe sot bashkësia apo asociacioni i këtyre komunave përkatësisht ‘Zajednica’ nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës por e Qeverisë së Serbisë. Interesat e Serbisë kamuflohen me nevojat për sigurinë dhe integrimin e serbëve. Ne gjithsesi jemi për integrimin e serbëve, madje jo vetëm nëpër institucione por edhe në shoqëri, mirëpo integrimi i serbëve në Kosovë nuk mund të kalojë nëpër Beograd, as në veri e as në jug, as dje e as sot, as sot e as n’mot.

Të nderuar të pranishëm, sa herë që ne i kemi kundërshtuar planet e Serbisë gjithmonë ka qenë dikush që na akuzonte se ne jemi kundër serbëve. Në fakt, ata që na kanë akuzuar padrejtësisht kështu kanë dashur të thonë se serbët mund të ekzistojnë vetëm sipas projektit hegjemonist të Serbisë si shtet. Pra, serbi është vetëm serbi sipas Serbisë. Ne besojmë që kjo jo vetëm që është e padrejtë por është edhe e pavërtetë dhe gjithsesi e dëmshme. Shteti i shumicës është i vetmi që mund t’i garantojë të drejtat e pakicës në kuptimin modern dhe europian të fjalës. Çdo shtet i pakicës, qofshin ata politikanë shqiptarë që u bënë multimilionerë, qofshin ata burokratë ndërkombëtar me fuqi ekzekutive dhe imunitet prej ligjit, qofshin ata përfaqësues të pakicave kombëtare me të drejtë vetoje bllokuese. Çdo shtet i pakicës si ky që kemi sot është pengesë për demokracinë dhe funksionimin në drejtësi, ekonomi dhe në shoqëri.

Vetëvendosja vjen nga poshtë sepse vetëvendosja është vetëvendosje e popullit, e asnjërit veçmas dhe e të gjithëve bashkë. Vetëvendosja prej lart nuk është vetëvendosje. Pavarësia që u shpall me 17 shkurt 2008 ishte pavarësi prej lart. Meqenëse ishte pavarësi pa vetëvendosje rrjedhimisht fituam shtet pa sovranitet. Këtë e bënë ata që dikur thoshin se duhet t’iu japim komuna serbëve që të marrim shtetin e pavarur që të na e njeh Serbia në fund. Sot, thonë se s’ka rëndësi se çka japim sepse në fund Serbia do të na njohë. Gabim atëherë, gabim sot. Madje nëse po na njeh Serbia në fund, a do të duhej që pikërisht për këtë arsye të mos i bëjmë koncensione paraprakisht si puna e ‘Zajednicës’?! Kjo bashkësia e komunave me shumicë serbe, është bashkësi e cila nuk bashkon por ndan. I ndau dhjetë komuna dikur prej shqiptarëve , Leposaviqin, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Veriun e Mitrovicës, Graçanicën, Parteshin, Ranillugun, Kllokotin, Shtërpcën dhe trefishimin e Artanës. Tash ka synuar që t’i bëj ato bashkë kundër Kosovës. U ndanë për të qenë kundër, duan të bëhen bashkë për t’u ndarë edhe më shumë prej nesh për t’u bërë gjithnjë kundër nesh.

Në vitin 1999 na e hoqën autonominë, Serbia filloi luftërat në Slloveni, Kroaci e Bosnje për të na u kthyer në Kosovë me përvojën e tri luftërave. Tash duan të na e zvetënojnë pavarësinë në kohën kur stuhi të reja po i kërcënohen Ballkanit. Emri pavarësi do të na mbetet sido që të jetë, sepse emri autonomi na pat mbetur edhe pas suprimimit të saj. Mirëpo me ‘Zajednicë’, me këtë demarkacion, me gjykatë speciale e pa ushtri, Kosova s’do të jetë me gjithë mend e pavarur.

Të nderuar të pranishëm,  Lëvizja jonë VETËVENDOSJE!, e ka një historik të shkurtër por një histori të gjatë. E ka një historik diç më shumë se një dekadë, por e ka historinë  e gjatë për më shumë se një shekull. Ne s’mund të ndalemi edhe sikur të donim, dhe, ne nuk duam të ndalemi sepse e duam shumë vendin dhe popullin tonë. Të nderuar të pranishëm, po, ne jemi edhe idealistë edhe kategorikë  sepse kur dominon padrejtësia të jesh realist do të thotë të bëhesh konformist, e të jesh pragmatist do të thotë të bëhesh oportunist. Ne mund të sakrifikojmë gjithçka për Republikën por jo edhe vet Republikën. Duhet dhe do të ecim përpara me popull pa popullizëm, me individualitet pa individualizëm e me paqe pa pacifizëm. Të gjithë bashkë, qytetarë aktivë për Republikën dhe bashkimin sepse me idenë e bashkimit e bëjmë Republikën e nëpërmjet Republikës e bëjmë bashkimin.

Ju falemnderit!