Lajmet e fundit

Hetimet për rastin e Astritit po administrohen në mënyrën më të keqe

11 Nëntor 2016 - E premte 12:55

Shprendaj me te tjeret

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se hetimet për vdekjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit janë duke u administruar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Deputetja Albulena Haxhiu në një konferencë për media tha se mbrëmë hetuesia kishte vendosur që xhirimet e kamerave nga korridori i Burgut në ditën e vdekjes t’i plasonte opinionit publik përmes mediave.

“Ky publikim i xhirimeve e tregon tendencën e hetuesisë për ta drejtuar opinionin publik drejt propagandës së tyre, e kështu larg të vërtetës. Pse kanë nevojë hetuesia e prokuroria të bëjnë propagandë mediatike me rastin? Çfarë po duan të fshehin?” theksoi Haxhiu.

Këto inçizime asnjëherë nuk iu dorëzuan as avokatit të angazhuar nga familja për rastin e aq më pak familjes. Por u plasuan në publik. Pjesë – pjesë. Për të drejtuar opinionin publik.

Haxhiu u shpreh se i njëjti avaz po vazhdon me hetuesinë e policisë e prokurorinë policore. Gjykimin po e bëjnë në publik. Ky nuk është hetim.

“Hetuesia e prokuroria nuk po e zbardhin rastin, por po duan ta ndërtojnë atë. Ashtu siç atyre ua do mendja e zemra. Njësoj ka ndodhur edhe me rastin e arrestimit të aktivistëve tanë, për veprën e terrorizmit, ku u munduan kinse me anë të fotografive që nuk thonë asgjë, t’i mbajnë të mbyllur për më shumë se dy muaj aktivistët tanë.

Njëjtë sikur me deklaratën e menjëhershme të policisë, Nexhmi Krasniqit, për shkakun e vdekjes që doli të jetë gënjeshtër.

Ky duket të jetë rast i qëllimshëm i kontaminimit të provave. Publikimi i mbrëmshëm i xhirimeve flet zëshëm për profesionalizmin dhe paanshmërinë e hetuesisë e prokurorisë në këtë rast. Kjo edhe një herë e dëshmon se hetimi i tyre nuk mund të jetë as kredibil e as i paanshëm.

“Kjo nuk është zbardhje e rastit. Prandaj një hetim i besueshëm për këtë rast që do ta zbardhte të vërtetën për vdekjen e Astritit është vetëm një hetim i kryer nga hetues të pranueshëm për familjen dhe me kredibilitet profesional e etik”, tha deputetja Haxhiu.

Policia e Nexhmi Krasniqit, e prokuroria e Sylë Hoxhës, këto institucione të shtetit të kapur e të klanit “Pronto” nuk janë as të paanshme, as kredibile, as profesionale as të besueshme.