Lajmet e fundit

Këta janë përgjegjësit për montimin e rastit ndaj aktivistëve

08 Dhjetor 2016 - E enjte 1:11

Shprendaj me te tjeret

Dy aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit, dje iu zëvëndësua masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak. Ky ndërrim i vendimit bëhet ndonëse rrethanat e procesit gjyqësor mbesin të njëjta. E kjo gjë është dëshmi shtesë që ky proces është i montuar, dhe për këtë mbajnë përgjegjësi krerë të institucioneve të ndryshme, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte me veprimet e tyre.

Sekretari Organizativ Dardan Molliqaj, gjatë konferencës së sotme për media prezantoi emrat dhe fotografitë e këtyre personave, për të cilët tha se mbahen përgjegjës jo vetëm për rastin e vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharin, por tërë dëmin që i kanë sjellur Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kosovës.

“E kemi thënë në konferencë e parë për shtyp, me datën 29 gusht, bashkë me kryetarin Visar Ymeri, që ky proces është i montuar, është i inskenuar dhe s’ka asnjë gjë të vërtetë. Në atë konferencë për shtyp patëm deklaruar se aktivistët tanë janë të pafajshëm”, tha ndër të tjera Molliqaj.

Ai përmendi po ashtu se vazhdimisht nëpër konferenca janë paraqitur alibi që dëshmojnë pafajësinë e aktivistëve tanë dhe inskenimin e këtij rasti, i cili për fat të keq rezultoi me vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, e cila është një humbje e madhe jo vetëm për ne, por për gjithë Kosovën dhe kombin shqiptar. Përmes fotografive, Molliqaj deklaroi se Mentor Shala e Ridvan Berisha nga RTK, Shpend Maxhuni, Fatos Makolli, Luan Keka e Nexhmi Krasniqi nga Policia e Kosovë Sylë Hoxha, Metush Biraj, Vehbi Kashtanjeva e Abdurrahim Islami nga organet e drejtësisë, si dhe ministrat Skënder Hyseni e Dhurata Hoxha, janë personat që me veprimet e tyre bartin përgjegjësi politike, penale, morale e kombëtare.

“Po të ishte marrë ky vendim në fillim, dhe të ishin në arrest shtëpiak Astriti, Atdheu e Egzoni, Astrit Dehari sot do të ishte në mesin tone”, deklaroi Molliqaj, duke shtuar në fund se gjithë të lartpërmendurit do të paguajnë me përgjegjësinë më të lartë për vendimet e tyre dhe se vdekja e Astritit nuk do të falet asnjeherë.