Lajme

Letër Ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal nga Shpend Ahmeti

30 Dhjetor 2013 - E hënë 3:03

Shprendaj me te tjeret

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka dërguar letër Ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, të bëjë interpretimin ligjor të përdorimit të simboleve shtetërore. Ahmeti ka kërkuar edhe interpretimin juridik për përdorimin e fotografive të figurave politike në ndërtesat publike.

Më poshtë është përmbajtja e plotë e letrës

 

I nderuari Ministër Petroviq,

Të gjithë jemi dëshmitarë të debateve të zhvilluara ditëve të fundit,  të cilat janë përcjellë me spekulime, paqartësi por edhe keqinterpretime në lidhje me përdorimin e simboleve shtetërore në Komunën e Prishtinës. Më duhet të sqaroj që nga pranimi i detyrës, ne nuk kemi bërë asnjë ndryshim në pozitën e simboleve shtetërore.  Në mënyrë që kjo çështje të qartësohet për Komunën e Prishtinës si dhe për opinionin e gjerë publik, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht nga Ministria e Administratës së Pushtetit Lokal, të bëjë interpretimin ligjor të përdorimit të simboleve shtetërore.

Për momentin, në Komunën e Prishtinës, flamuri shtetëror i Kosovës është i vendosur para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, në korridorin kryesor të saj (hyrje), në zyrën e kryetarit, dhe në sallën e Kuvendit Komunal.  Ju lutem që në bazë të Ligjit për Simbolet Shtetërore dhe në mungesë të Rregullores së veçantë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, siç e kërkon neni 4.1 i Ligjit për Simbolet Shtetërore, të na qartësoni se në cilat hapësira tjera jemi të obliguar sipas ligjit të vendosim flamurin shtetëror, në mënyrë që ne të ndërmarrim masat e duhura për zbatim të plotë të Ligjit për Simbolet Shtetërore.

Po ashtu, në objektet dhe zyrat e ndryshme të Komunës së Prishtinës kemi gjetur fotografi të personaliteteve të ndryshme politike. Ju lutemi që të na e bëni edhe interpretimin juridik për përdorimin e fotografive të figurave politike në ndërtesat publike të Komunës së Prishtinës, respektivisht, se cilat fotografi jemi të obliguar sipas ligjit, t’i kemi në hapësirat e brendshme të objekteve të Komunës.

Më lejoni të sugjeroj që përgjigjja juaj lidhur me çështjet e lartë cekura të dërgohet si shkresë zyrtare të gjitha Komunave të Republikës së Kosovës, në mënyrë që zbatimi i ligjit të jetë uniform në të gjithë territorin e Republikës.

 

Me respekt,

Shpend Ahmeti

Kryetar

Komuna e Prishtinës