Lajmet e fundit

Mbi ngjarjet në Maqedoni

vetevendosje_13

27 Prill 2017 - E enjte 7:38

Shprendaj me te tjeret

Me shqetësim të madh po shohim në media ngjarjet që po zhvillohen në Maqedoni.
Falanga proto-fashiste kanë rrethuar e kanë sulmuar parlamentin me thirrje për dhunë ndaj shqiptarëve por edhe ndaj socialdemokratëve maqedonas. Këto protesta siç duket nuk kanë hasur asnjë pengesë policore, siç do të ishte normale në situata të tilla. Pra, dhuna është ushtruar me konsensusin e heshtur të policisë.
Deputetët janë marrë peng nga protestuesit, disa prej tyre janë dhunuar, e ndër të cilët mediat raportojnë se është dhunuar rëndë lideri i LR-PDSH, Ziadin Sela. Po ashtu janë dhunuar dhe gazetarët e qytetarë të ndryshëm.
Lëvizja VETËVENDOSJE shpreson që z. Sela tashmë të jetë jashtë rrezikut, dhe që gjendja e përgjithshme në Maqedoni të mos shkojë drejt një grushti të shtetit apo drejt një konflikti të dhunshëm qytetar apo etnik. Dhuna ndaj shqiptarëve në Maqedoni është dhunë ndaj cilitdo shqiptari edhe në Shqipëri a Kosovë, ndaj ajo duhet ndalur.
Kjo që po ndodh sot në Maqedoni është rezultat i drejtpërdrejtë i faktit se për hatër të stabilitetit pa drejtësi Gruevski është lejuar vazhdimisht të përdorë retorikë shoviniste e në të njëjtën kohë të vendosë besnikët e vet në pozita të larta e të ulëta në polici, ushtri e administratë publike, duke kapur shtetin. Stabiliteti pa drejtësi kudo e gjithmonë prodhon tirani dhe dhunë. Ndaj në Maqedoni e në vende të tjera të Ballkanit, duhet vendosur në prioritetin e vlerave shtet-formuese drejtësia, e cila është i vetmi themel për demokracinë e për stabilitetin. Drejtësinë, shovenët, racistët, hajnat e kriminelët nuk mund ta sjellin.
Ndërkohë që mbetemi në përcjellje të ngjarjeve që ndryshojnë nga çasti në çast, ne i bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë e të Kosovës që të ndërmarrin hapa të menjëhershme për të ruajtur shqiptarët e Maqedonisë.
I bëjmë thirrje edhe faktorëve ndërkombëtarë të mos lejojnë instalimin e një diktature pro-ruse në Maqedoni.