Lajme

Me 11 qershor mundësia për ndryshim është Lëvizja VETËVENDOSJE!

LVV_3033

18 Maj 2017 - E enjte 12:45

Shprendaj me te tjeret

Zgjedhjet e 11 qershorit janë zgjedhjet më të rëndësishme ndonjëherë në Kosovë. Në lidhje me zhvillimet dhe dsikutimet e kohëve të fundit në prag të tyre, sot në një konferencë për media folën Kryetari Visar Ymeri dhe anëtari i Kryesisë, Glauk Konjufca.

Kryetari Ymeri tha se këto zgjedhje janë referendum kundër krimit e korrupcionit dhe kundër “Zajednicës” e Demarkacionit. Ai po ashtu theksoi se në këto zgjedhje ka qartësi, dhe ka vetëm një zgjidhje, e cila është Lëvizja VETËVENDOSJE!.

“Tanimë, afati për koalicione ka përfunduar dhe Lëvizja është duke bërë përgatitjet e duhura që në këto zgjedhje të garojë e vetme. Pakica nominale në Kuvend, Lëvizja VETËVENDOSJE!, është dëshmuar që ka pasur të drejtë. “Zajednica” dhe Demarkacioni ishin gabim. Nuk u zvogëlua papunësia dhe ikën 150.000 veta porsi nën okupim dhe nuk u luftua krimi i organizuar e korrupsioni institucional”, deklaroi Ymeri.

Ai shtoi se Programi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe konsistenca politike e qëndrimeve dhe veprimeve na bëjnë ne subjektin më të besuar për transformim të Republikës, me luftim të krimit e progres shoqëror. E po ashtu konstatoi se gjithë ata që janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj beteje për ndryshim rrënjësor kemi janë të mirëseardhur në takime.

“Ne kemi qenë zemërgjërë gjatë kohës së VLAN-it. Për shkak të posteve LDK iku. Kemi qenë po aq zemërgjërë gjatë kohës së VAN-it. Për poste AAK e Nisma ikën. Ne jemi infrastruktura e ndryshimit. Natyrisht që jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për ta ndryshuar Kosovën. Por përballë kemi njerëz me ambicie pushteti. Ata duan ta ndryshojnë jetën e tyre, edhe kur ky ndryshim shkon në dëm të Republikës, territorit, pasurisë, e popullit. Ata duan të jenë superstrukturë, e vendosur përmbi Republikën dhe kundër saj. Ne jemi infrastrukturë që garanton ndryshimin bashkë me popullin. Koalicionet e natës janë koalicione paniku”, tha tutje Ymeri, duke shtuar se ky panik është panik nga entuziazmi për ndryshim, i cili tashmë është rritur shumë te populli.

“Është frikë nga populli. Ky entuaziazëm është entuziazëm për VETËVENDOSJE!-n. Krejt bashkë: VETËVENDOSJE! me popullin do t’ia kthejë Kosovës Republikën e popullit dinjitetin dhe mirëqenien”, përfundoi Ymeri.

Kurse, Glauk Konjufca tha se se zgjedhjet e 11 qershorit kanë kuptim vetëm nëse janë mundësi për ta ndëshkuar politikën e keqe të koalicionit PDK-LDK. Ai shtoi se është parë qeverisja e ofruar nga këto parti, e cila nuk është zgjidhje për vendin.

“Zgjidhje për Kosovën është Lëvizja VETËVENDOSJE! me konsistencën e saj, ajo e cila asnjëherë nuk e ka tradhëtuar interesin qytetar, ajo të cilës i janë ofruar shumë poste e nuk ka hyrë në koalicion me PDK-në, e cila natyrisht po ta kesh dëshirën dhe ambicien të ofron edhe postin e Kryeministrit. Mirëpo këto për Lëvizjen tonë kurrë nuk kanë ardhë në shprehje”, tha Konjufca.

Ai po ashtu tha se shpresë në këtë vend mund të ketë kur qytetari me votën e tij e ndëshkon qeverisjen e deritanishme, me ç’rast ftoi elektoratin e këtyre partve që janë të zhgënjyer t’i ndëshkojnë.

“Ka shumë qytetarë të zhgënjyer meqenëse kanë menduar se në vitin 2013 është shpresë LDK-ja. Ajo ua mblodhi votat qytetarëve të Kosovës duke premtuar që njerëzit që e kanë konstruktuar rrjetin e kapjes së shtetit, do t’i japin fund dhe do t’i çojnë në shtëpi. Ata jo që nuk e bënë këtë gjë, por iu bashkuan këtij rrjeti kriminal të kapjes së shtetit me qeverinë e Isa Mustafës në vitin 2014”, shtoi tutje Konjufca.

Qytetarët e Kosovës janë para një situate të qartë. Në njërën anë është PDK, e cila është përgjegjëse për gjitha problemet që Kosovës i kanë ndodhur pas pavarësisë së Kosovë. Nga ana tjetër e kemi LDK-në, e cila e ka djegur shpresën e popullit të Kosovës për shkak të ambicies për pushtet. Ka mbetur vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE!, e cila nuk është dorëzuar asnjëherë dhe i ka mbajtur me konsistencë parimet dhe qëndrimet e saj. Prandaj, shpresa e vetme dhe mundësia për ndryshim në zgjedhjet e 11 qershorit është vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE!.