Lajme

Miratohet Rezoluta e VETËVENDOSJE!-s për veprimtarinë e EULEX-it në Kosovë

23 Korrik 2015 - E enjte 11:19

Shprendaj me te tjeret

Sot, në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua Rezoluta e VETËVENDOSJE!-s për veprimtarinë misionin të EULEX-it në Kosovë:

Republika e Kosovës

Republika Kosova –Republic of Kosovo

Kuvendi – Skupština – Assembly

Nga:                Albulena Haxhiu, Deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Mbeshtetur nga Deputetët:

  1. Glauk Konjufca
  2. Aida Dërguti
  3. Albin Kurti
  4. Besa Baftija
  5. Besnik Bislimi
  6. Fisnik Ismaili
  7. Ilir Deda
  8. Ismajl Kurteshi
  9. Mytaher Haskuka
  10. Puhie Demaku
  11. Rexhep Selimi
  12. Salih Salihu
  13. Shqipe Pantina
  14. Visar Ymeri
  15. Faton Topalli                  

Për:                 Kryesinë Kuvendit të Republikës së Kosovës

Lënda:            Mocion Përmbajtësor

Data:               04 qershor 2015

Në mbështetje të Nenit 65 të Kushtetutës mbi kompetencat e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në bazë të Nenit 15, paragrafit 8 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! parashtron këtë:

M O C I O N

P Ë R M B A J T Ë S O R

Që Kuvendi i Republikës së Kosovës të organizojë një debat të veçantë në lidhje veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës dhe skandalet e publikuara në mediumet publike vendore.

Arsyetimi:

 

  1. Para shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës me ftesën e institucioneve të atëhershme të Kosovës të ashtuquajtura Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse (IPVQ), me miratimin e Këshillit Evropian të BE-së është themeluar misioni i përkufizuar si Veprim i përbashkët të Bashkimit Evropian, meqë me 4 shkurt 2008 është miratuar akti 2008/124/CFSP i publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian të 16 shkurt 2008 me nr. L 42/92 për themelimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit EULEX. Sipas preambulës së këtij akti të miratuar nga Këshilli Evropian ky mision i BE-së do të funksionojë në bazë të kornizës juridike të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Ky mision që nga themelimi i tij e deri në ditët e sotme nuk ka funksionuar mbi bazën e një kornize juridike përmes së cilës do ta njihte shtetin e Kosovës përkatësisht statusin e saj si Republikë sovrane.
  1. Misioni i BE-së formalisht mbi bazën e aktit 2008/124/CFSP do të instalonte administratën dhe stafin i cili do të ushtronte kompetenca ekzekutive në tri komponentët më të rëndësishëm në Republikën e Kosovës pra në komponentin e gjyqësisë, policisë dhe doganave. Madje ky Mision është cilësuar si misioni më i madh civil i themeluar në kuadër të Politikave të Përbashkëta për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) të Bashkimit Evropian.
  1. Për ushtrimin e kompetencave ekzekutive nga ana e këtij misioni Kuvendi i Kosovës e pati miratuar Ligjin Mbi kompetencat, përzgjedhjen e lëndëve dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë (Nr. 03/L-053), mbi bazën e të cilit gjyqtarët dhe prokurorët i zhvillonin proceset gjyqësore në mënyrë të pavarur nga organet vendore të gjyqësisë së Republikës së Kosovës. Për më tepër janë edhe shtatë (7) ligje të tjera mbi bazën e të cilave ky mision ka ushtruar kompetencat ekzekutive në të tri komponentët e përmendura në pikën 2 të kësaj kërkese. Pra, në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Nr. 04-L/082, Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, Nr. 04-L/123, Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Nr. 04/L-033, Ligjit për Departamentin e Mjekësisë Ligjore, Nr. 03/L-137, Ligjit Për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Nr. 04/L-015, Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës, Nr. 03/L-109 dhe Ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Nr. 03/L-052, misioni i BE-së në Kosovë EULEX ushtronte kompetencat e tij ekzekutive në Republikën e Kosovës. Ndonëse Republika e Kosovës, përmes organeve të saj të pushtetit legjislativ i krijoi një bazë ligjore për ushtrimin e kompetencave më vitale të natyrës ekzekutive, ky mision nuk e njohu dhe ende nuk e njeh shtetësinë e Republikës së Kosovës.
  1. Ndonëse formalisht, në bazë të akteve juridike me të cilat është konstituuar ky mision, ai kishte për detyrë ndihmën ndaj institucioneve, organeve gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit të Kosovës në zhvillimin e drejtësisë efektive të bazuar në sundimin e ligjit dhe të lirë nga ndikimet politike, ky mision dështoi për ta realizuar këtë. Dhe jo vetëm kaq, ky mision dështoi po ashtu në zbatimin e kompetencave ekzekutive të cilat i ishin besuar nga institucionet më të larta të vendit.
  1. Tani pas 7 viteve veprimtarie në Kosovë, misionit ndërkombëtar i BE-së në opinion janë duke iu publikuar skandalet të njëpasnjëshme korruptive. Krahas dështimit të misionit të BE-së në dhënien e ndihmës institucioneve vendore dhe jetësimit si “mision i zbatimit të ligjit” përmes kompetencave ekzekutive, po vërtetohet edhe nga vetë raportet e brendshme të BE-së çfarë kemi deklaruar prej vitesh se vetë ky mision është një nga gjeneratorët dhe ndër shkaktarët kryesor të mbështetjes dhe mbrojtjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit krah për krah me drejtuesit kryesor të Qeverive të pas shpalljes së pavarësisë.
  1. Para vetëm disa muajve, prokurorja e EULEX-it, znj. Maria Bamieh, u deklarua publikisht për akuza që përfshijnë veprimtari mitmarrjeje dhe korrupsioni nga prokurorë dhe gjyqtarë të EULEX-it të cilët kishin marrë pjesë në gjykimin e një serie rastesh të rëndësishme. Nga publikimin i këtyre skandaleve del se prokurorë dhe gjyqtarë kanë marrë të holla në sasi të konsiderueshme nga personat që procedoheshin në çështjet penale të trajtuara nga stafi i EULEX-it. Po ashtu qytetarët në Kosovë kanë marrë vesh që nën udhëheqjen e këtij misioni janë montuar disa procese gjyqësore nën ndikimin politik ku ishin të inkriminuar zyrtarët më të lartë të EULEX-it dhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Rastet e montuara lidhur me aferën korruptive në Ministrinë e Transportit, gjykimi për rastin Kleçka, ishin disa nga proceset më të mëdha që prapavijë kishin qëllime politike.
  1. Në muajin prill të këtij viti në lagjen Suhodoll të Mitrovicës ndodhi një rast tragjik në të cilin u raportua se një djalë i mitur ishte zhdukur dhe dyshimet në opinion ishin hedhur se i njëjti është mbytur në lumin Ibër. Vetëm pas disa ditëve të kërkimit trupi i tij është gjetur, por për shkaqet e vdekjes nuk u tha asnjë publikisht nga organet. Deri më tani nga pak informacione që i kemi të inkriminuar janë dy persona të nacionalitetit serb, banorë të pjesës veriore të lumit Ibër dhe të njëjtëve i është konfiskuar arma e zjarrit për të cilën dyshohet se është përdorur gjatë përndjekjes ndaj të miturit trupi i të cilit u gjend në lum. Rasti sipas informacioneve tona është marrë nga EULEX-i, gjegjësisht nga hetuesit dhe prokurori i EULEX-it. Nëse informacionet dalin të jenë të vërteta kjo ndërhyrje në kompetencat e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore të Mitrovicës nga ana e EULEX-it nuk na tregon gjë tjetër përpos se ky mision i ka dhënë vetes karakter të dirigjimit politik me metoda dhe instrumente policore e gjyqësore.

Kjo sepse që nga prilli i vitit 2014, në bazë të Ligjit Nr. 04/L-273 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Ndërlidhen me Mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, sipas Nenit 3 paragrafit 3 të këtij Ligji, është shtuar një nen i ri, respektivisht Neni 1A me të cilin është plotësuar Ligji Nr. 03/L-053 mbi Kompetencat, Pёrzgjedhjen e lёndëve dhe caktimin e lёndёve tё gjyqtarëve dhe prokurorëve tё EULEX-it nё Kosovë, sipas të cilit prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it do të merren vetëm me rastet për të cilat është nxjerrë vendimi për fillimin e hetimeve para datës 15 prill 2014 nga prokurorët e EULEX-it në pajtim me ligjin dhe Rastet të cilat u janë caktuar gjyqtarëve para datës 15 prill 2014. Pra që nga kjo datë gjyqtarët dhe prokurorët nuk do ta marrin asnjë lëndë të re. Siç shihet deri më tani, ndonëse EULEX-it i është hequr e drejta në ushtrimin e kompetencave ekzekutive në komponentët për të cilët është themeluar ky mision i BE-së, veprimi mbi baza të ndikimit politik dhe sidomos qasje selektive me karakter etnik ende vijon.

  1. Para disa ditëve u publikua pjesë nga një raport hetimor që është bërë nga një komision i brendshëm hetimor i misionit të BE-së në Kosovë. Ky material paraqet një strukturë krimi të organizuar brenda strukturës së EULEX-it në ndërlidhje me zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës. Në këtë raport ka shënime për Ministrin e Drejtësisë, z. Hajredin Kuqi, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Hashim Thaçi dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli. Në atë çka është publikuar nga pjesët e këtij raporti del se misioni i EULEX-it jo vetëm se ende është duke i ushtruar kompetencat ekzekutive të institucioneve të Republikës së Kosovës, por zyrtarët e lartë këtij misioni raportohet të jenë në kontakt dhe marrëveshje të vazhdueshme me zyrtarët e lartë publik të Kosovës duke u implikuar edhe në afera e manovrime ilegale të pushtetit politik. Çka është edhe më dëmshmja për Republikën e Kosovës është se në këtë raport përmenden pazaret dhe aferat korruptive që kanë të bëjnë edhe me themelimin e Gjykatës Speciale. Në këtë raport përmenden edhe aferat e pushtetit politik në procesin gjyqësor për “Grupin e Drenicës”, ku së fundmi u shqiptuan dënime drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) sipas vendimeve jashtë çdo standardi të së drejtës dhe ligjor.

Duke u mbështetur në arsyetimin e mësipërm të kërkesës për debat parlamentar, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbështetje të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6.1 të Rregullores së Kuvendit, i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në mbledhjen plenare të mbajtur më ________ 2015, të miratojë këto:

 

R E Z O L U T Ë

 

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Presidenten e Republikës znj.Atifete Jahjaga t’i kërkojë Komisionerës së Lartë për Politikë të Jashtme znj.Frederica Mogherini inicimin e hetimit institucional për çdo rast të cituar për stafin e EULEX-it në raportin që zyrtarë të BE-së kanë hartuar.
  1. Thërret në raportim të jashtëzakonshëm Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur aferat në lidhje me ndikimin e çështjeve hetimore të zyrtarëve të EULEX-it dhe marrjes arbitrare të kompetencave të organeve të drejtësisë nga ana e EULEX-it.
  • Raportimi i kryesuesve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës të bëhet dhjetë (10) ditë nga miratimi i kësaj rezolute.
  1. Kjo Rezolutë hynë në fuqi ditën e miratimit të saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

 

­­­­­­­­­­­­­­­­­

____________________ , 2015 Prishtinë