Lajmet e fundit

Mustafa e Thaçi po i dënojnë kolektivisht të gjithë veteranët

04 Tetor 2016 - E martë 2:01

Shprendaj me te tjeret

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me pensionet dhe listat e veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës me ç’rast foli deputeti Rexhep Selimi.

Deputeti Selimi theksoi në fillim të kësaj konference se problemet që e kanë karakterizuar këtë çështje zënë fill tek çarmatosja e UÇK-së dhe po kulmojnë me manipulimet me listat e rrjedhimisht me pensionet e ish luftëtarëve. Në mënyrën se si është nisur ndërtimi i listave, paqartësia e ligjit na bën të kuptojmë se ky proces është nisur që në krye të herës për të qenë i dështuar, madje më keq për të diskretituar figurën e ish luftëtarëve tanë.

Ai tha se tash po konstatohet edhe nga vetë pushteti se ka pasur problem me verifikimin e listave të veteranëve, më saktësisht me fryrjen e tyre, gjë të cilën Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka paralajmëruar që në kohën e hartimit e miratimit të projektligjit për statusin.

“Dy mangësitë kryesore që ka ky ligj vazhdojnë të jenë mospërcaktimi i kritereve të mirëfillta për statusin e veteranët dhe për shkak se brenda këtij ligji nuk ekziston fare përkufizimi i veteranit të luftës së UÇK-së”, theksoi deputeti Selimi.

“Që nga miratimi i ligjit dhe fillimi i procesit të verifikimit janë vënë në dukje një varg parregullsish, duke filluar nga politizimi i procesit qysh në zanafillën e tij në Kuvend”, shtoi Selimi.

Më pas, ai përmendi edhe politizimin gjatë procesit të verifikimit, që si pasojë solli fryrjen e listave dhe korrupsionin në dhënien e statuseve të rrejshme, shkeljen e procedurave dhe rregullores së Komisionit Shtetëror për verifikimin e Listave të veteranëve dhe shkeljen e protokollit te dhënies së certifikatës së veteranit të UÇK-së.

“Në vend se të korrigjoheshin gabimet, ndodhi dënimi kolektiv që ua dha Kryeministri, duke ndërprerë pagat për të gjithë veteranët, edhe atyre që e meritojnë, edhe manipuluesve”, theksoi Selimi.

Ai po ashtu prezantoi edhe Nenin 13 të Ligjit për veteranët e Luftës së UÇK-së, ligj ky që është shkelur, e për çfarë Selimi ftoi Prokurorinë që të reagojë menjëherë në mbrojtje të ligjit, duke shtuar se për gjitha këto shkelje dhe manipulime, s’ka se si të përjashtohen nga përgjegjësia të gjithë bartësit e këtij procesi.

Selimi bëri përgjegjës Kryeministrin Mustafa, i cili me një arbitraritet të papranueshëm, mori vendim për dënimin kolektiv të të gjithë veteranëve dhe familjarëve të dëshmorëve të cilët u privuan nga pagesat e merituara.

“Nuk e meritojnë veteranët, luftëtarët e vërtetë, që të fyhen e të keqtrajtohen, as nga Kryeministri i sotëm e as nga ai i djeshmi. As nga Isa Mustafa që i dënon të gjithë pa përjashtim e as nga Thaçi, që herë thotë se gjithë Kosova është UÇK e herë thotë se vetë ka qenë larg vijave te frontit”, deklaroi deputeti.

Selimi në fund kërkoi në emrin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të gjithë atyre që e duan UÇK-në të paprekshme, të pastër dhe të mbrojtur, që menjëherë të ndalen manipulimet kundër vlerave të Luftës Çlirimtare.

Zgjidhja për këtë është fillimi i punës për ndryshimin e ligjit dhe pastrimin e listave të veteranëve dhe invalidëve, që këtyre kategorive t’iu mundësohet trajtim i dinjitetshëm.