Lajmet e fundit

Në sondazhet e reja, Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti i parë në Kosovë

21 Mars 2017 - E martë 12:22

Shprendaj me te tjeret

Lëvizja VETËVENDOSJE! në tre vitet e fundit ka pasur rritje të vazhdueshme. Kjo është vërejtur edhe nga angazhimi në terren, por edhe nga matjet përmes sondazheve të opinionit publik, të bëra nga kompani vendore e ndërkombëtare. Një sondazh i tillë në lidhje me zgjedhjet qendrore të mundshme, i realizuar në javët e para të marsit, u prezantua sot nga Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj.

Fillimisht, Molliqaj foli mbi metodologjinë e hulumtimit dhe demografinë e të anketuarve të cilat flasin për një sondazh mjaft kredibil, për të kaluar më pas tek rezultatet, të cilat e nxjerrin Lëvizjen VETËVENDOSJE! në vend të parë me 20.8%, duke lënë prapa PDK-në me 18,4% dhe LDK-në me 16.4%. Duke hequr ata që kanë refuzuar të përgjigjen se cilën parti do ta votonin, diferenca mes nesh dhe partive tjera thellohet, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! merr 26%, PDK 23%, kurse LDK vetëm 20.4%.

Ajo që vlen të theksohet nga ky sondazh është fakti që Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia e parë si zgjedhje e dytë nga votuesit potencial me 13.6%. Nga ky sondazh vërehet po ashtu se Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti që ruan më së shumti votën, dhe atë në përqindje prej 92.7%, si dhe nga lëvizjet e votuesve më së shumti votues vijnë nga dy partitë e koalicionit qeveritar, 9.1% nga LDK dhe 8.2% nga PDK. Ndërkaq, personat që nuk kanë votuar në zgjedhjet e 2014-së, ku hyjnë edhe votuesit e rinj, në zgjedhjet e ardhshme kanë deklaruar se do ta votonin Lëvizjen VETËVENDOSJE! në përqindje prej 24.1%, që është shifër jashtëzakonisht e lartë krahasuar me gjitha subjektet tjera.

Gjendja në të cilën është katandisur vendi dhe zhvillimet e fundit politike po e bëjnë çdo herë e më të ditur se angazhimi dhe kritika e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qenë dhe është në vijën e duhur, dhe rrjedhimisht, konfirmohet si subjekti politik i cili mund ta bëjë ndryshimin që i duhet Kosovës. Ne do të vazhdojmë angazhimin në terren, punën dhe organizimin për fuqizimin e organizatës, do të vazhdojmë komunikimin e rregullt me gjithë qytetarët, dhe besojmë se e gjithë kjo do ta mundësojë fitoren tonë në zgjedhjet e ardhshme.