Lajmet Nga Qendrat

Qendra Fushë Kosovë: Komuna ndalon qasjen në dokumente publike për t`i fshehur gjurmët e korrupcionit

14 Shkurt 2017 - E martë 3:37

Shprendaj me te tjeret

Që nga  fillimi i mandatit,  puna e ekzekutivit në Komunën  e Fushë Kosovës  është shoqëruar me parregullsi të shumta dhe në vazhdimësi  është  shkelur Ligji për Vetëqeverisje Lokale,  Rregullorja  e Punës së Kuvendit si dhe Ligji për Qasje në Dokumente Publike.

Lëvizja VETËVENDOSJE!,Qendra në Fushë Kosovë, ka drejtuar me dhjetëra kërkesa për qasje në dokumente publike, por që asnjëherë nuk ka marrë përgjigje. Për këtë gjë, ne  kemi ngritur edhe padi  në gjykatën kompetente, ashtu siç parashihet me ligj.

Poashtu, disa herë kemi shprehur  shqetësimin tonë në lidhje me mospublikimin  e audioinçizimeve, siç përcaktohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit Komunal.me ç`rast  shumë herë ka rezultuar edhe me manipulim të ekstrakteve të procesverbaleve dhe mosparaqitje  të saktë të diskutimeve.

Janë edhe shumë çështje tjera për të cilat Komuna e Fushë Kosovës ka bërë shkelje siç  janë:

– Mungesa e dëgjimeve publike dhe takimet me qytetarë.

– Mospublikimi i dokumenteve dhe vendimeve që dalin nga mbledhjet e Kuvendit Komunal në ueb-faqen zyrtare të Komunës  si Raporti i Kryetarit, Raporti Financiar, Projekt Buxheti, Planet Rregullative.

– Ndikimi politik në administratën komunale që reflektohet në qasje të pabarabartë ndaj individëve apo subjekteve të ndryshme që nuk janë mbështetës të qeverisjes aktuale komunale.

– Vendimi për ndalimin në qasjen në objekte publike për të zhvilluar aktivitete shoqërore.

– Mospërgjigja e Drejtorëve  Komunalë në pyetjet parlamentare.

Shkeljet e lartëpërmendura dëshmojnë që Komuna e Fushë Kosovës po u ndalon medieve dhe subjekteve politike opozitare qasjen në dokumente publike për t`i fshehur gjurmët e krimit dhe korrupcionit brenda saj.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Fushë Kosovë i bënë thirrje prokurorisë  që të fillojë hetimet në lidhje me padinë e deponuar nga ana jonë si dhe të marrë parasysh edhe denoncimet tjera publike që janë bërë në drejtim të qeverisjes së Komunës së Fushë Kosovës.

 

14 shkurt 2017

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Fushë Kosovë