Lajmet Nga Qendrat

Qendra Malishevë: Transparencë në konkursin për dhënien e subencioneve në bujqësi, e jo shfrytëzim për qëllime elektorale

vetevendosje_13

06 Mars 2017 - E hënë 11:37

Shprendaj me te tjeret

Ditë më parë Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e Komunës së Malishevës ka shpallur konkurs për dhënien e subvencioneve në bujqësi.

Sektori i bujqësisë dhe zhvillimi i tij është jetik për mirëqenien sociale dhe ekonomike të qytetarëve të Malishevës. Lëvizja VETËVENDOSJE! në vazhdimësi ka kërkuar vëmendje të shtuar institucionale dhe rritje të buxhetit për këtë sektor, për çka edhe ka shtyrë para rritjen e buxhetit komunal, ndonëse kjo ende nuk ka marrë vendin e merituar në buxhetin e komunës. Ndër të tjera, ne kemi këmbëngulur për orientim tek veprimtaritë bujqësore që nxisin zgjerimin e tokave bujqësore, rrisin kapacitet prodhuese dhe përmirësojnë kushtet dhe kualitetin e prodhimeve bujqësore në përgjithësi.

Parakusht për këto është profesionalizmi institucional dhe vullneti politik i cili duhet të përcillet me veprime konkrete përmes transparencës dhe llogaridhënies, dhe jo vetëm përmes ca fotografive.

Praktika e deritanishme e ndjekur nga qeverisja lokale ka shpërfaqur mungesë të madhe të transparencës dhe diskriminim në ndarjen e granteve, e po ashtu e përcjellë me presione dhe kushtëzime partiake.

Gjatë këtij mandati qeveria Begaj ka ndërruar dy drejtorë pikërisht për arsyet e lartpërmendura.

Shpallja e para disa ditëve nga Drejtoria e Bujqësisë për përkrahjen e sektorit të bujqësisë edhe pse është lajm i mirëpritur, ajo edhe më shumë ka ngritur shqetësimet e qytetarëve, por edhe tonat për mundësinë e keqpërdorimit të komplet këtij procesi nga i cili më të dëmtuarit mund të dalin pikërisht vetë bujqit dhe paraja publike.

Pothuajse në të gjitha shpalljet e bëra publike nga komuna me 27 dhe 28 shkurt kriteret e paraqitura janë aq të përgjithësuara saqë lënë mundësinë e manipulimit dhe keqpërdorimit të lehtë me rastin e përzgjedhjes së përfituesve.

Ja disa nga ato:

  • Aplikuesve u kërkohet të kenë njohuri evidente në kultivimin e kulturave bujqësore (pa caktuar se cilat janë parametrat që masin njohuritë në bujqësi dhe kush i vlerëson ato);
  • Aplikuesve u kërkohet të posedojnë sipërfaqe të mjaftueshme për përfitimin e mekanizmit bujësor (pa caktuar se sa është sipërfaqja e mjaftueshme, pra nuk është cekur fare minimumi dhe maksimumi i sipërfaqes gjë që lë hapësirë për manipulim);
  • Aplikuesve u kërkohet të kenë fuqi punëtore për shfrytëzimin adekuat të mekanizmit ( pa caktuar numrin e fuqisë punëtore dhe si matet aftësia e tyre nëse ajo është adekuate);
  • Përparësi u jepet fermerëve që kanë bërë kërkesë paraprakisht (kriter ky i cili hapur shkelë barazinë dhe krijon hapësirë për mannipulim).

Faktet e sipërpërmendura janë më se të mjaftueshme për të ngritur shqetësimin mbi keqpërdorimet e mundshme të cilave iu hapin derë kriteret e padefinuara, por edhe praktika e deritanishme e ndarjes diskrimunuese të granteve dhe subvencioneve. Kur kësaj i shtohet edhe fakti që tashmë Begaj hapur ka filluar para-fushatë elektorale, atëherë mundësia e shfrytëzimit të këtij konkursi për qëllime partiake dhe blerje vote është m ëse evidente.

Andaj, Lëvizje VETËVENDOSJE! – Qendra në Malishevë, kërkon që konkursi i shpallur ti  nënshtrohet një procesi tërësisht transparent dhe fton Drejtorinë e Bujqësisë që të ndërmarrë hapat konkret si parakusht për sigurimin e një transparence dhe llogaridhënie minimale ndaj parasë publike dhe qytetarëve:

  1. Drejtoria e Bujqësisë të dalë sa më parë me  njoftim plotësues ku definon saktë kriteret e përgjithësuara (të cilat ashtu siç janë lënë hapësirë për manipulim) dhe të bën publike mekanizmin e vlerësimit që do bëjë (me poena, me votë);
  2. Të sqarojë në detaje se çka janë njohuritë evidente në kultivimin e kulturave bujqësore dhe si maten e vlerësohen ato dhe cilat janë standardet e vlerësimit;
  3. Të caktojë minimumin  dhe maksimumin e sipërfaqes bujqësore të nevojshme për të aplikuar për mekanizëm bujqësor;
  4. Të sqarojë se cili është standardi për matjen e numrit dhe aftësisë së fuqisë punëtore që shfrytëzon mekanizmin bujqësor; si dhe kush do ta bëjë vlerësimin e tyre;
  5. Të hiqet nga lista e kritereve përparësia që u jepet atyre që kanë bërë kërkesa më parë (nëse kanë bërë), pasi që kjo është shkelje e hapur e vet konkursit dhe krijon diskriminim dhe si e tillë paraqet edhe vepër penale;
  6. Drejtoria duhet të bëjë publike në uebfaqe të komunës dhe në hapësirat e tjera publike të përcaktuara sipas ligjit dhe akteve nënligjore listën e atyre që kanë aplikuar përfshirë(emrin, fshatin);
  7. Drejtoria duhet të bëjë publike listën e përfituesve dhe atyre që nuk kanë përfituar  duke saktësuar poenat apo kushte e plotësuara dhe të paplotësuara nga secili aplikant për secilin kriter.

Ne, do të përcjellim me vëmendje këtë proces dhe presim nga Drejtoria ti marrë hapat e lartëpërmenduar .

Çdo tendencë për devijim nga transparenca dhe logaridhënia e kërkuar  si dhe çdo veprim korruptiv do të marrë përgjigje përmes veprimeve tona tek organet përkatëse duke mos përjashtuar as dërgimin e rastit tek organet e drejtësisë.