Lajme

Reforma Shëndetësore: Projektligji për Shëndetësinë dhe Projektligji për sigurimet shëndetësore

18 Nëntor 2011 - E premte 3:03

Shprendaj me te tjeret

Sot, më 18 nëntor, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tryezë për të diskutuar me të gjitha palët e përfshira në përpilimin e dy projektligjeve atë për shëndetësinë dhe për sigurimet shëndetësore projektligje këto që do të kenë ndikim tejet të madh për jetën e qytetarëve të Kosovës.

Panelistë në këtë tryezë ishin Arben Vitia – Kryetari i Komitetit për Shëndetësi të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Besnik Bislimi – Ligjërues në Universitetin Amerikan në Kosovë, Arbër Zaimi – Koordinator i Komiteteve në Lëvizjen VETËVENDOSJE! si dhe Kadir Hyseni – zëvendësministër i Shëndetësisë.

Në tryezë morrën pjesë edhe përfaqësuesi sindikalist Blerim Syla –FSSHK, Skënder Syla – Organizata Botërore e Shëndetësisë, Talat Gjinolli dhe Tefik Bekteshi – AAK, Aurora Bakalli – LB si dhe mjekë të ndryshëm e përfaqësues nga shoqëria civile.

Arben Vitia fillimisht paraqiti gjendjen e sistemit shëndetësor përgjatë dhjetë vjetëve të fundit. Ai tha se që prej 10 vjetësh, qeveritë e ndryshme që kanë qenë në pushtet kanë treguar një mungesë të vullnetit politik për funksionalizimin dhe reformimin të sistemit shëndetësor, gjë që ka bërë që sot të gjendemi përballë shumë problematikave. Për sektorin shëndetësor publik tha se gjendet para kolapsit, për shkak të keqmenaxhimit dhe të keqpërdorimit. Për pozitën e punonjësve shëndetësor tha se ka pasur një përkeqësim të vazhdueshem te statusit dhe te dinjitetit të tyre. Si problematikë tjetër ka përmendur edhe dështimet e vazhdueshme në realizimin e shumë projekteve me rëndësi jetike në shëndetësi.

Arben Vitia dha konkludimin se “për shkak të këtyre dhe për shkak të shumë problemeve të tjera në fushën e shëndetësisë Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e sheh shëndetësinë si çështje sektoriale dhe të shkëputur.  Kështu që edhe qasja në zgjidhjen e problemeve të shumta në këtë sektor është më e gjërë”.

Ai kërkoj që për dy Projektligjet të mos nxitohet dhe që të debatohet për 3 deri në 5 muaj me të gjithë akterët relevantë për të arritur deri të një zgjidhje sa më e mirë.

Ndërsa Besnik Bislimi foli rreth impakteve ekonomike të Projektligjit për Sigurimet Shëndetësore. Ai paraqiti kritika substanciale të Projektligjit në formën aktuale si dhe alternativën me përllogaritje konkrete financiare se si do të mund të krijohej një sistem i qëndrueshëm i sigurimeve shëndetësore.

Bislimi tha se ekspertët vendorë që i njohin rrethanat në Kosovë mund të japin kontribut shumë më të vlefshëm në këtë aspekt dhe se projektet e institucioneve ndërkombëtare financiare si Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar do të duhej t’i përshtateshin politikave vendore e jo që politikat qeveritare t’i përshtaten projekteve të këtyre institucioneve. Bislimi paraqiti edhe shumë fakte e shifra konkrete se si do të organizohej më së miri sistemi i qëndrueshëm i sigurimeve shëndetësore.

Ndërsa më pas u hap debati mjaft i detajuar dhe frytëdhënës me të gjithë të pranishmit. U vlerësua se Qeveria në mënyrë të pakuptimtë është duke nxituar në miratimin e këtyre dy Projekligjeve që do të prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e secilit qytetar. Të pranishmit kërkuan që rreth këtyre projektligjeve të debatohet me të gjitha palët e përfshira deri sa të arrihet deri te një zgjidhje e cila do të forconte sektorin publik shëndetësor. Të pranishmit dhanë edhe kritika të shumta e konkrete në lidhje me të dy projektligjet, të cilat do të përcillen edhe në komisionin për shëndetësi të Kuvendit të Kosovës nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Tryeza u vlerësua si mjaft e rëndësishme si dhe u kërkua që debati rreth Projektligjeve të vazhdojë deri sa të gjenden zgjidhjet më të mira për shëndetin e qytetarëve të kosovës.

Fjala e  Arben Vitisë

Karakteristikat 10 vjeçare të shëndetësisë në Kosovë

1.    Së pari, theksojmë se që prej 10 vjetësh, qeveritë e ndryshme që kanë qenë në fuqi kanë treguar një mungesë të vullnetit politik për funksionim dhe reformim të Sistemit shëndetësor, gjë që ka bërë që sot të gjendemi përballë shumë problematikave.

2.    Së dyti, sektori publik sot gjendet para kolapsit, për shkak të keqmenaxhimit dhe të keqpërdorimit, fenomene që kanë përmbytur administratën publike në tërësi, e natyrisht që kanë rrënuar edhe shëndetësinë.

3.    Së treti, këto dhjetë vjet ka pasur një përkeqësim të vazhdueshëm te statusit dhe të dinjitetit të personelit shëndetësor ( paga jo dinjitoze, mungesa e kushteve elementare të punës, mungesa e mjeteve dhe barnave, prodhim enorm i skandaleve, afera korruptive, emërime dhe shkarkime politike të njëpasnjëshme, gjë që ka bërë që ky profesion të shndërrohet nga një profesion i dëshiruar në një profesion te përbuzur).

4.    Së katërti, ka patur dështime të vazhdueshme në realizimin e shumë projekteve me rëndësi jetike siç janë projektet për investim në Kardiokirurgji, Onkologji etj, gjë që për rrjedhoje ka detyruar shumë pacientë të kërkojnë shërbime jashtë Kosovës.

5.    Së pesti, këto dhjetë vjet ka munguar një strategji e mirëfilltë afatmesme apo afatgjate për zhvillimin e shëndetësisë, edhe kur ka patur dokumente të tilla, ato janë ndryshuar vazhdimisht, pa kurrfarë vijimësie.

6.    Së gjashti, ende sot që po flasim, nuk ka një mekanizëm institucional që të kontrollojë përgjegjësinë në dhënien e shërbimit shëndetësor.

7.    Së fundi, mungon një politikë e mirëfilltë për sigurimin e investimeve nga jashtë dhe donacioneve, të cilat edhe pse nuk kane munguar, janë shfrytëzuar keq, dhe në mënyrë aspak racionale.

 Shumë prej indikatorëve rrëfejnë se Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon akoma të jetë në një gjendje shumë të rëndë:

•       Sipas OBSH-së vazhdojmë të kemi vdekshmërinë më të lartë të foshnjave në rajon (3 herë më të lartë se Kroacia, 7 herë më të lartë se Austria).

•       Vazhdojmë të kemi rrogat më të ulëta të personelit shëndetësor në rajon.

•       Sipas Transparency International korrupsioni vazhdon të jetë në nivelet më të larta në rajon.

   

Janë të gjitha këto fakte që Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e sheh shëndetësinë si çështje sektoriale dhe të shkëputur kështu që  qasja në zgjedhjen e problemeve të shumta në këtë sektor është më e gjerë. Të gjithë pajtohemi se legjislacioni është një pjesë shumë e rëndësishme për vurjen e themeleve të shëndosha të shëndetësisë , por besoj se edhe të gjithë pajtohemi se implementimi i tij le shumë për të dëshiruar.

Nëse nuk ka fuksionim dinamik të strukturave të sistemit të drejtësisë, veçanarisht të prokurorisë, iniciativat ligjore dhe rregullimet e tilla nuk mjaftojnë. Nëse shkeljet që përgjithësisht lidhen me jetën e personit dhe me dëme ekonomike, nuk do të përkthehen në çështje të hetuara apo në procese gjyqësore ku hetohen rastet , çdo ligj i shëndetësisë nuk do të prodhonte asgjë të re në përmisimin e sektorit të shëndetësisë.

Prandaj ne mendojmë se nuk mundet vetëm një grup personash apo një Ministri të jetë garant i realizimit të projekteve të cilat do ta shtynin këtë proces në rrugën e duhur. Do të duhej një plan strategjik i studiuar mirë i cili natyrisht parashikon edhe rregullimin ligjor, i cili pas shumë debateve qofshin ato të nivelit profesional apo edhe publik do të rezultonte në një  vendim dhe pas marrjes këtij vendimi të jetë qeveria garanti për zbatimin e këtij plani.

Si përfundim, nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve për të bërë një reforme të sistemit shëndetësor.

Për ata që mendojnë se në këtë sektor ka vetëm defekte të pjesshme dhe të cilat mund të korrigjohen me ndryshime ligjore, për ne është një mungesë serioziteti dhe nga ana tjetër një tolerim ndaj fenomeneve abuzive që në rezultat të fundit rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Ne gjithashtu e kemi shprehur shumë qarte se ky sektor ka qenë jashtëzakonisht i neglizhuar edhe nga pikëpamja buxhetore dhe jemi dakord që ky sektor të ketë një financim të qëndrueshëm dhe meritor si kusht elementar për të dalur nga kjo situatë, dhe për këteë arsye çdo herë kemi mbështetur idenë e krijimit të një ligji për Sigurime Shëndetësore.

Si rrjedhojë ne në parim jemi për ligje të reja të cilat do ta avanconin këtë sektor duke ofruar shërbime sa më cilësore për qytetarin. Por si përmenda më lartë kjo duhet të jetë një pjesë e këtij mozaiku kompleks në mënyrë që këto ligje të implementohen si duhet. Gjithashtu ne nuk jemi për atë që këto ligje të bëhen me një nguti (përshtypje të cilën e kemi në këtë rast) të paarsyeshme e cila nuk do të jepte bazat për një zgjidhje të qëndrueshme.

Kur këto ligje gjenden në nivelin e Draft-ligjeve të cilat sipas paralajmërimeve nga Ministri do të duhej të miratoheshin gjatë këtij viti, ne e kemi parë si të domosdoshme që në vazhdën e diskutimeve të mbajtura deri më tani si tryeza e organizuar nga Forumi 2015, tryeza e fundit e organizuar nga AAK-ja, të organizojmë këtë tryezë në të cilën shpresojmë shumë se do të dalim me sygjerime të reja, jo me idenë e të hedhurit poshtë atë që është punuar, por me idenë se ajo që punohet të punohet mirë duke pasur çdoherë parasysh interesat e qytetarëve dhe personelit shëndetësor.

Ne mendojmë se nuk ka qenë kohë e mjaftueshme konsultimi për hartimin e këtyre ligjeve. Po ashtu nuk janë konsultuar mjaftueshëm palë të interesuara, për me tepër nuk është mjaftushmërisht publike përmbajtja e këtyre draft-ligjeve për komunitetin e punonëesve shëndetësor, ekspertëve dhe të qytetarëve që janë përfituesit më të parë të këtyre shërbimeve. Pa dashur të paragjykohet,  pas ligjeve të miratuara me nxitim, jo rrallë fshihen mashtrime apo keqfunksionime e ne nuk duam të ndodhin këto në rastin e këtyre dy ligjeve pasi impakti social i tyre është tepër i madh, për të mos thënë i pakthyeshëm në rast se ligjet rezultojnë defektoze.

Kërkesa e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është që draftet e fundit të këtyre ligjeve të shqyrtohen dhe  të debatohen me synim përmisimin e tyre, së paku për një periudhë 3-5 mujore, në menyrë që të përfshihen edhe mendime të tjera të ekspertëve dhe qytetarëve.

Duke u futur në analizën e këtyre ligjeve, sa i përket ligjit për shëndetësi, pikëpamjet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë se pavarësisht asaj se në pjesën më të madhe të këtij ligji është bërë një punë e mirë, ka disa pika të cilat nuk janë formuluar qartë dhe si të tilla kërkojnë përgjegjje në disa pyetje me qëllim të evitimit të çdo lloj paqartësie.

Në nenin 5, të këtij ligji, ku flitet mbi parimet e kujdesit shëndetësor, edhe pse proklamohen disa vlera principiale, nuk formulohet qartë se kush do të jetë garanti i këtyre parimeve. Ne si VETËVENDOSJE! mendojmë se këto të drejta, parimisht qytetarit ia garanton shteti, e kjo nuk mjafton të jetë e nënkuptuar, por duhet shprehur qartazi, me shkrim.

Gjithashtu në nenin 25 mbi veprimtarinë private shëndetësore, thuhet se “veprimtaria private ne sektorin e shëndetësisë rregullohet me këtë ligj dhe ushtrohet në bazë të parimit të barazisë së plotë me sektorin publik të shëndetësisë”.

Ne mendojmë se nuk duhet të flitet në ligj për barazi të plotë të sektorit publik, privat dhe partneritetit publiko-privat, pasi kjo barazi është e padrejtë. Dihet që sektori publik është i përbashkët, është një projekt i ndërtuar prej sakrificës dhe prej vullnetit të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe parimisht nuk mundet të barazohet me projekte partikulare. Një barazi e tillë nuk kontribuon në avancimin e sektorit publik, dhe si rrjedhoje as në qasjen  e barabartë të qytetarëve në sherbime shendetesore.  Levizja VETËVENDOSJE! në asnjë moment nuk ka qenë dhe nuk është kundër sektorit privat, por ne kemi si synim kryesor zhvillimin e sektorit publik. Synimi jonë kryesor është ofrimi i shërbimeve shëndetësore secilit qytetar pavarësisht mundësive financiare të tij. E këtë mund ta garantojë vetëm një sektor i fortë publik. Ne e shohim sektorin privat si sektor tepër të rëndësishëm, por komplementar, e jo konkurrent të sektorit publik. Ne gjithashtu mendojmë se me rritjen e kapaciteteve dhe cilesisë së sektorit publik gjithashtu do të kemi një ngritje të cilësisë në sektorin privat.

Në pikën 2, të këtij neni specifikohet qartë se cilat veprimtari nuk lejohen në sektorin privat, por në piken 3 të po këtij neni specifikohet se “Organizimi dhe funksionimi i veprimtarive specifike shëndetësore në sektorin privat rregullohet me akte nënligjore të nxjerra nga Ministria”. Ne mendojmë se duhet një sqarim dhe me shumë transparencë nga MSH në lidhje me këtë pikë. Përse duhen akte nënligjore kur ligji ka mundësinë të specifikojë qartë se cilat janë sektorët e shërbimit shëndetësor ku nuk lejohen veprimtaritë private.

Pikëpyetje të tjera na lindin në lidhje me nenin 40 pika 4, si dhe në lidhje me nenin 41 pika 1. Në këto pjesë të ligjit parashikohet që punonjësit shëndetësor i lejohet që të punojë edhe në sektorin privat jashtë orarit zyrtar në sektorin publik. Ama më vonë thuhet qartë se prej fondit të sigurimeve përfitojnë ekskluzivisht vetëm ata aktorë privatë që nuk ofrojnë shërbime në sektorin publik. Kjo natyrisht që do të bëjë që sektori privat t’i ndalojë të punësuarit e vet që të punojnë edhe në publik, pasi ky ndalim ua mundëson përfitimin prej fondit të sigurimeve. Në këtë mënyrë sektori publik humbet dy herë, edhe punonjësit më cilësorë, por edhe fondet prej sigurimeve, që drejtohen gjithnjë e më shumë drejt sektorit privat. Ne mendojmë se kjo çështje duhet trajtuar me më shumë kujdes, dhe meriton një zgjidhje më të matur e më të debatuar.

Ajo qe ne e kemi akoma me te paqarte dhe kërkojmë spjegime është kreu XI, neni 61 mbi Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë (SHKSH).

Në pikën 1 shprehet qarte se prej 1 korrikut 2012 të gjitha institucionet publike shëndetësore të nivelit parësore, dytësore dhe tretësore organizohen dhe funksionojnë si SHKSH. Menjëherë në pikën 2 kemi një kundërthenie me piken 1 ku thuhet se vendimin për themelimin e SHKSH e merr qeveria?  Nëse sipas ligjit nga 1 korriku 2012 formohet SHKSH, pse duhet përfshirë qeveria ne themelimin e diçkaje që është garantuar me ligj?

Pika 3 e ketij neni e përcakton SHKSH si ndërmarrje autonome, jo-profitabile publike. Kjo besoj se duhet sqaruar shume qarte se cfare mendohet me ndermarrje publike? Do te duhej nje sqarim shume konkret se cilat jane arsyet per nje gje te tille dhe nje debat i hapur per rreziqet apo ndoshta edhe perfitimet e nje funksionimi te tille.

Pika 6 e ketij neni thote se institucionet publike shendetsore kane te drejte te organizohen dhe mbikqyren nga organet perkatese te Kuvendeve komunale. Kjo pike perveq se bie ne kundershtim me piken 1 te ketij neni, le shume paqartesi dhe besoj se kjo pike duhet sqaruar shume me mire nga Ministria.

Këto në fakt janë vërejtjet tona në raport me draft-ligjin për shëndetësi dhe me kaq, unë duke ju falënderuar për vëmendjen, po e mbyll diskutimin për projektligjin për shëndetësi, duke shpresuar qe me pas të diskutojmë këndvështrimet tona të ndryshme.

Fjala e Besnik Bislimit

Opinione rreth Projektligjit “Për Sigurimet Shëndetësore”

Pas vitit 1999, për arsye të shumta, sistemi shëndetësorë në Kosovë pandërprerë është gjuajtur ngë një model organizimi në tjetrin, pa i lënë bartësve të procesit kohë të mjaftueshme për përshtatje në modelin e ri. Në të njejtën kohë është krijuar terren i frytshëm për rezistencë dhe obstruksion të forcave antireformiste, të cilat e kanë ndier veten të rrezikuar nga proceset reformuese. Poashtu kaosi i përgjegjësisë dhe anashkalimi i procesit të krijimit të kapaciteteve menaxhuese ka lënë hapësirë të bollshme për keqmenaxhim të resurseve të alokuara në mjekësi, kurse një pjese të personelit mjekësor i është lënë mundësia për ekstraktim të pagesave informale nga klientët apo për rikanalizim të kërkesës për shërbime drejt klinikave të tyre private.

Këto zhvillime që kanë qenë rregull deri në ditët e sotme në sektorin e shëndetësisë hedhin në pah një fakt aspak të këndshëm. Qasja e qeverisë kosovare ndaj këtij sektori ka lënë të kuptohet se shëndetësia nuk shihet si prioritet i aktiviteteve të qeverisë. Ndarja e fondeve është bërë jo në bazë të ndonjë vlerësimi të kostos së politikave që do të mundësonin arritjen e ndonjë synimi, por kryekëput si proces i garimit me ministritë tjera. Nga ana tjetër ofruesit e shërbimeve mjekësore argumentimin e kushteve të mjerueshme të punës dhe mungesën e vazhdueshme të barërave i kanë përdorur si instrumentet e vetme në përpjekjet e tyre për imponim të rishikimit të alokimeve buxhetore. Poashtu ka munguar edhe një strategji e mirëfilltë gjatë fazës së alokimit të resurseve të ndara sektorit shëndetësor nëpër funksione të ndryshme si paga, barëra, mirëmbajtje e të ngjashme. Krejt kjo ka ndikuar që sektori i shëndetësisë shpesh të mbush ballinat e mediave të shkruara dhe vizuale për raste të keqpërdorimit, korrupsionit, grevave, protestave e të ngjashme.

Në një situatë të tillë, bendosmëria e ministrit aktual të shëndetësisë që më në fund të vendoset rendi në këtë sektor dhe që të arrihet një stabilitet afatgjatë në financimin e shërbimeve mjekësore është shumë inkurajuese dhe meriton si respektin ashtu edhe ndihmesën e secilit prej nesh. Është krijuar një momentum që besoj se duhet të shfytëzohet para se forcat antireformuese të konsolidohen dhe pengojnë betonimin e reformave edhe përmes akteve ligjore dhe nënligjore. Përgatitja e ligjit të ri për shërbimet shëndetësore dhe ligjit të ri për sigurimet shëndetësore është padyshim një hap shumë i guximshëm dhe shpresëdhënës.

Ajo që është me rëndësi të ceket këtu është se po flitet për kalim nga një sistem i financimit në një sistem tjetër dhe se është fjala për një reformë të vështirë por edhe të domosdoshme. Marrë parasysh impaktin e një reforme të tillë, dhe pa dyshuar asnjë moment në vullnetin e ministrisë së shëndetësisë që më në fund të avancohet dhe përmirësohet ndjeshëm situata në shëndetësi, mendoj se është shumë më rëndësi që të sigurojmë që tranzicioni të kalojë me sa më pak rezistencë dhe sa më pak gabime. Meqë aprovimi i dy projektligjeve të sponsorizuara nga Ministri i shëndetësisë e prek secilin prej nesh pa dallim etnie, profesioni, regjioni, apo përkatësie politike, mendoj se është shumë me rëndësi që të sigurohet edhe një përfshirje sa më e gjerë shoqërore në debatin rreth këtyre dy projektligjeve dhe koncepteve të përgjithshme për mënyrën se si duam të dizajnojmë sektorin e shëndetësisë dhe financimin e tij në të ardhmen.

Një debat i tillë gjithpërfshirës është shumë i rëndësishëm për siguruar rritjen e akceptancës së qytetarëve ndaj sistemit të ri të financimit. Shanset për rritje të akceptancës varen pastaj nga aftësia e qeverisë që të bind qytetarët se do tu ofrohen të gjitha shërbimet e përfshira në pako, të binden kontribuesit se pas futjes në skemë nuk do të detyrohen të ofrojnë pagesa informale gjatë shfrytëzimit të shërbimeve mjekësore, t’u sqarohet qytetarëve se megjithë kontributet e paguara ata prap duhet të mbulojnë një pjesë të kostos së shërbimeve në formë të bashkëpagesave, të binden ofruesit e shërbimeve që të bashkëpunojnë me sistemin e ri dhe të mos minojnë atë në rast se frikohen mbi efektet që sistemi i ri mund të ketë në të ardhurat e tyre, të binden të dyja palët se fondi do të ketë resurse të mjaftueshme humane për të garantuar një menaxhim të suksesshëm të resurseve, se qeveria nuk do të lejojë keqmenaxhim dhe korrupsion në radhët e menaxhmentit të fondit dhe ofruesve të shërbimeve, etj. Shihet pra se në fazën fillestare nevojitet një përkushtim serioz dhe një rol udhëheqës jo vetëm i ministrisë së shëndetësisë por i gjithë spektrit politik të vendit.

Rritja e akceptancës nga ana e qytetarëve është me rëndësi edhe për faktin se në fillim të implementimit të mënyrës së re të organizimit mund të haset në rezistencë nga ofruesit e shërbimeve mjekësore. Mjekët që kanë praktikuar marrjen e pagesave informale mund të rezistojnë trajtimin e të siguruarve të cilët tani nuk preferojnë ofrimin e ryshfeteve. Këto zhvillime mund të rrisin armiqësinë e qytetarëve ndaj sistemit dhe rezistencën e tyre ndaj bashkëngjitjes në skemë.

`Deri më tani janë trajtuar dy metoda të sigurmit të financimit të mjaftueshëm për shpenzimet e sektorit të shëndetësisë. Alternativa e parë sugjeron financim si përqindje e tatimeve apo akcizave të caktuara nga buxheti i vendit si psh. Alkimi i një përqindje të të hyrave nga TVSH, akciza për duhan apo alkool e të ngjashme në fondin e sigurimeve shëndetësore. Me këtë destinim të tatimeve qeveria në fakt synon të arrijë dy qëllime. Së pari të izolojë ministrinë e shëndetësisë nga garimi me ministritë tjera, dhe së dyti përmes penalizimit të konsumit të disa mallrave demeritore (duhani, alkoholi, ëmbëlsirat) të përmirësojë statusin shëndetësor të qytetarëve e me këtë edhe shpenzimet e përgjithshme për shëndetësi. Çmimi që sipas bindjes sonë paguhet me këtë rast është rritja e pastabilitetit të resurseve që shkojnë në shëndetësi, meqë niveli i të hyrave varet drejtpërdrejtë nga oscilimet në ofertën dhe kërkesën për mallrat e specifikuara (apo edhe nga ndryshimet eventuale në elasticitetin e kërkesës për ato mallra). Një ambient i tillë vështirëson dukshëm planifikimin afatmesëm të ofruesve të shërbimeve mjekësore.

Alternativa tjetër konsiston në ngritjen e kontributeve për sigurime shëndetësore të cilat do të grumbulloheshin nga të punësuarit, vetëpunësuarit, punëdhënësit dhe sipas mundësisë edhe fermerët. Ndërsa për kategoritë e papërfshira mbulimi i shpenzimeve do të arrihej përmes transferim të parave drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Kjo metodë ka shumë avantazhe, por ka edhe të tillë që mendojnë se ky financim përcillet edhe me vështirësi dhe me efkete negative për ekonominë. Brenga kryesore ka të bëjë me efektin që një tatim i ri në paga mund të ketë në ofertën dhe kërkesën për punë, e bashkë me këtë në nivelin e punësimit dhe të ardhurës kombëtare në tërësi. Për një makroekonomist që njeh rrethanat aktuale në Kosovë është relativisht e lehtë të bind se kjo frikë është e paarsyeshme.

Së fundit kemi edhe një propozim të ri që vie nga Banka Botërore që sugjeron një financim të përzier mes të hyrave nga tatime të caktuara dhe një premiumi fiks që do të paguhej nga të punësuarit, të vetëpunësuarit, punëdhënësit dhe fermerët. Sipas mendimit tonjë një zgjidhje e tillë nuk është serioze dhe është kontradiktore me disa nga parimet në të cilat do të duhet të mbështetj ministria e shëndetësisë gjatë dizajnimit të sistemit të financimit. Në veçanti është fjala për principin e uljes së rrezikut nga shpenzimet katastrofike, principit të solidaritetit, dhe efikasitetit në grumbullim të të hyrave. Poashtu mendojmë se arsyet bazike që kanë shtyrë bankën botërore të nxjerr një rekomandim të tillë janë të paqëndrueshme, dhe nuk pajtohemi me trysninë që i është ushtruar ministrisë së shëndetësisë për të pranuar rekomandimet e tyre.

Në fund shkurtimisht disa nga vërejtjet e çastit për draftligjin e propozuar për sigurimet shëndetësore:

1.    Nisur nga rëndësia që ka akceptanca e këtyre ndryshimeve nga ana e qytetarëve do të ishte shumë me rëndësi që të krijohet percepcioni që vetë ligji është përpiluar dhe mbështetet nga faktori vendor. Që në faqen e parë të projektligjit shihet se radhitja e definicioneve është bërë e tillë që vërteton se version bazik i ligjit është shkruar në gjuhë angleze. Një riradhitje e thjeshtë e definicioneve sipas alfabetit shqip do të ndihmonte mjaft. Poashtu do të rekomandoja që disa nga termat e definuar të eliminohen në tërësi meqë janë të definuar në ligje tjera me rëndësi.

2.    Mendoj se për të përgatitur gjithçka në mënyrë të kënaqshme do të duhej që të lihej më tepër kohë për fillimin e oprimit të fondit. Data e propozuar në draftligj është shumë e hershme dhe si e tillë paraqet rrezik.

3.    Draftligji parasheh që pagesat për sigurim të bëhen edhe në baza mujore dhe tremujore. Një opsion i tillë është atraktiv për qytetarët e varfër, por në të njëjtën kohë e bën sistem më të paadministrueshëm.

4.    Ka edhe problem serioze me synimin që bordi mbikqyrës në të njëjtën kohë të jetë organi më i lartë drejtues dhe organi më i lartë mbikëqyrës, njësoj siç ka vërejtje serioze me përbërjen e bordit e cila akomodon shumë ministra por nuk lë vend për ekspertë, dhe e cila siguron një varësi të rrezikshme të fondit nga qeveria.

5.    Njësoj konfuze është edhe dëshira që fondi t’i përgjigjet si qeverisë ashtu edhe kuvendit. Do ishte shumë më serioze nëse përgjegjësia komplet i lihet kuvendit të Kosovës.

6.    Ka edhe problem me elemente të tjera të këtij draftligji për të cilat mund të flasim më tepër gjatë fazës së paraparë për diskutime.

Lëvizja VETËVENDOSJE!