Lajmet e fundit

RTK – 19:30 – Ndërroje kanalin

20 Shtator 2016 - E martë 6:34

Shprendaj me te tjeret

Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një aksioni simbolik para objektit të televizionit publik RTK, ka shprehur pakënaqësinë me politikat editoriale të transmetuesit publik.

Aktivistja Teutë Rrusta në prononcimin e saj ka deklaruar se RTK po ushtron presion ndaj opozitës, me sjelljen e saj si përmbarues i punëve të Qeverisë. Ajo tha se pas presionit medial të RTK-së janë arrestuar zyrtarët për media nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Frashër Krasniqi e Adea Batusha, gjë që ndodhi pas debatit të Frashër Krasniqit me kryeredaktorin e RTK-së, Ridvan Berisha.

“RTK-ja me vite të tëra ka ofruar vetëm dy gjëra për qytetarët: terr dhe terror. Në terr informativ i ka lënë qytetarët, kurse terror ka ofruar për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ky medium publik sillet si një polici private. Sillet tamam si përmbarues i punëve të Qeverisë”, u shpreh aktivistja Rrusta.

Më tej, ajo shtoi  se RTK po shërben si dikaster qeveritar, veçanërisht gjatë edicioneve të lajmeve, çdo ditë në orën 19:30, ku hyjnizohet puna e Kadri Veslit, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Teksa minimizohen lajmet që lidhen me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, qoftë në rradhitjen e temave  apo në minutat në dispozicion dhe mënyrën se si pasqyrohen ato.

Teutë Rrusta theksoi se transmetuesi publik po ashtu nuk problematizon çështjet me rendësi për qytetarët, kurse hallet e tyre i trajton si probleme pa fajtorë. RTK nuk ka aspak qasje kritike, dhe përkundër që jemi shteti më i korruptuar në rajon, ajo nuk paraqet skandalet e shumta qeveritare në edicionet e lajmeve, duke i dhënë hapësirë vetë sulmit të qeverisë ndaj opozitës, shënimit të datave e aktiviteteve ku prehen shirita apo realizohen vizita nga zyrtarë të qeverisë.

“Për këto arsye dhe shumë të tjera, ju bëjmë thirrje qytetarëve të mos i shikojnë lajmet e RTK-së. Në pikën në të cilën ka mbërritur ky medium publik, ndërrimi i kanalit në orën 19:30 është akt çlirimi nga propaganda qeveritare”, përfundoi Rrusta.

Në fund, u ekspozua një televizion i fikur me një mbishkrim që shënonte orën e edicionit të lajmeve dhe thirrjen “NDËRROJE KANALIN”.

lvv_6812