Lajmet e fundit

RTK- ministria e Propagandës së Qeverisë – Mentor Shala, ministër

07 Tetor 2016 - E premte 11:50

Shprendaj me te tjeret

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes një aksioni simbolik e kanë shpallur Radio Televizionin e Kosovës – ministri të Qeverisë. RTK-ja është quajtur Ministri e Propagandës dhe Agjitacionit, ndërsa ministër i saj u emërua Mentor Shala, bazuar në aktivitetin propagandues të këtij mediumi në shërbim të pushtetit e kundër opozitës. Aktivistët vendosën një pano të këtij emërimi para objektit të RTK-së.

Aktivistja Marigone Drevinja në fjalën e saj ka cituar një frazë nga romani i famshëm “1984” i shkrimtarit George Orwell, i cili thotë “Gjithçka u zhduk në mjegull. E kaluara u fshi, fshierja u harrua dhe gënjeshtra kaloi si një e vërtetë” , për të shtuar se ky model i shtetit autoritar po zë vend në Kosovë. Dhe kjo dëshmohet më së miri me lajmet të cilat janë prodhim i këtij regjimi.
“Brenda romanit ekziston Ministria e së Vërtetës. Kjo ministri quhet e tillë jo pse shpërndanë të vërteta, por se shpërndan informacione të cilat pushteti dëshiron t’i kalojë tek qytetarët si të vërteta”, theksoi Drevinja, duke tërhequr paralele mes romanit dhe gjendjes aktuale në Kosovë.
Drevinja shtoi se Kosova, ndonëse vendi më i vogël në rajon, ka shumë ministri, por në fakt edhe ky medium është bërë dikaster qeveritar.

“Ne sot jemi mbledhur këtu për ta përuruar edhe një ministri. Këtë ministri pushteti po tenton ta mbajë të fshehur, për arsyen se ajo anasjelltas tenton t’ua fshehë aferat e tyre të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo ministri është e ngjashme me ‘Ministrinë e së Vërtetës’ tek Orwelli, vetëm se tek ne quhet Ministria për Propagandë dhe Agjitacion – pra RTK-ja, me ministër Mentor Shalën dhe një varg zëvendësministrash si: Ridvan Berisha, Xhymret Veliu etj.”, deklaroi tutje Drevinja.
Ky ministër e akuzoi Lëvizjen VETËVENDOSJE! për sulmet që ndodhën në Kuvend dhe tek shtëpia e tij, duke kontribuar kështu natyrisht që të arrestohen dhe të mbahen padrejtësisht në burg dhe arrest shtëpiak aktivistët e Lëvizjes – Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Atdhe Arifi, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi.

Drevinja shtoi tha se kjo ministri, dikur medium publik i dedikuar për qytetarët e Republikës së Kosovës, e shndërruar në vegël së regjimit shtypës, vazhdon të injorojë subjektin më të madh opozitar në vend duke mos i siguruar hapësirë mediale. Duke sqaruar se kërkesa legjitime e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për hapësirën e tillë po konsiderohet si presion ndaj tyre, kurse Kadri Veseli i cili me një mbyllje syri e kontrollon emisionin nuk po konsiderohet fare i tille. Kjo sepse ky medium i është nënshtruar komplet klanit “Pronto”.

Lëvizja VETËVENDOSJE! s’do të ndalet së kërkuari çlirimin e RTK-së dhe kthimin në medium publik, i cili bën informim të drejtë dhe të paanshëm, siç edhe i duhet qytetarit. dhe poashtu së kërkuari lirimin e aktivistëve tanë dhe zbardhjen e rastit të sulmeve të fundit.