Lajme

Tërheqja nga demarkacioni duhet të pasohet me rrëzim të qeverisë

Visari dhe Glauku

08 Maj 2017 - E hënë 11:16

Shprendaj me te tjeret

Në lidhje me zmbrapsjen e Qeverisë nga marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi dhe nevojën urgjente për rënien e saj, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media, ku folën Kryetari Visar Ymeri dhe Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca.

Kryetari Ymeri deklaroi se dështimi i Qeverisë në procedimin e kësaj marrëveshje flet edhe për të, por edhe për marrëveshjen, pasi që Qeveria është e vetëdijshme se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është i dëmshëm për shtetësinë e Kosovës. Ai tha se ekzekutivi nuk ka shprehur vullnet për dy vite për ta rishiquar këtë marrëveshje, si dhe shtoi se ditëve të fundit ka pasur një garë mes Kadri Veselit dhe Isa Mustafës, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet për pushtet nga të dyja palët.

“Edhe një herë po dëshmohet se këto dy parti, me udhëheqjet që i kanë, nuk janë parti që ia duan të mirën Kosovës e as që mendojnë për të mirën e saj, por secilin veprim të tyre politik e kanë kalkulim për kolltuk dhe kjo e dëshmon dhe e bën edhe më urgjente rrëzimin e kësaj qeverie dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike për Republikën e Kosovës, në të cilën këto dy subjekte nuk e kanë mundësinë ta themelojnë më qeverinë”, theksoi Visar Ymeri, duke shtuar tutje se në vend të tërheqjeve të shumta të Qeverisë gjatë gjithë mandatit nga përgjegjësitë e shumta që i takojnë, do të duhej të kishte vetëm një dorëheqje të saj, në mënyrë që të mos cenohet shtetësia e Kosovës.

Konjufca në anën tjetër tha se vetë fakti se Qeveria nuk e ka proceduar demarkaconin në Kuvend është fakt që ekziston një masë kritike brenda mazhorancës kundër versionit aktual të demarkacionit.

“Numrat e opozitës nuk janë ata që e kanë ndalë demarkacionin. Natyrisht një kontribut shumë të madh e kanë dhënë qytetarët e Kosovës me protestat e tyre, duke filluar nga nëntori i vitit 2015 e deri te protestat e fundit, pastaj edhe opozita me rezistencën e saj në Kuvend ia ka dhënë një goditje demarkacionit, por këtu nuk duhet ta harrojmë edhe numrin e madh të deputetëve nga koalicioni qeverisës, të cilët praktikisht e kanë pamundësuar ardhjen e demarkacionit për t’u ratifikuar në Kuvend”, tha Konjufca.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet konsisente në qëndrimin e saj kundërshtues për demarkacionin, të cilën e konsiderojmë marrëveshje të vdekur, dhe e shohim të domosdoshme rënien e kësaj qeverie të mërkurën dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje.