Lajmet e fundit

Ymeri: Platforma e shqiptarëve qenka e papranueshme për Presidentin e Maqedonisë. Kjo flet shumë për karakterin që ka marrë ky shtet.

02 Mars 2017 - E enjte 12:00

Shprendaj me te tjeret

Reagimi i Visar Ymerit lidhur me situatën e krijuar në Maqedoni:

Platforma e shqiptarëve qenka e papranueshme për Presidentin e Maqedonisë. Kjo flet shumë për karakterin që ka marrë ky shtet.

Platforma nuk është se kërkon kushedi se çka, përveçse arritjen dhe realizimin e të drejtave minimale të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Pra, për Maqedoninë të drejtat minimale të shqiptarëve, çfarëdo hapi drejt çlirimit prej shtypjes, e aq më tepër drejt barazisë së shqiptarëve, qenka e papranueshme dhe po e rrezikoka sovranitetin e Maqedonisë. Dëshmi më të mirë se Maqedonia është e ngritur në kurriz të shqiptarëve dhe jeton mbi shtypjen e tyre nuk ka.

Vendimi i Ivanov për ta pamundësuar qeverinë e drejtuar nga Zaev për shkak të Platformës së shqiptarëve është krahu institucional i protestave raciste dhe shoveniste të nacionalistëve maqedon. Edhe vet ky vendim ka ngarkesa shoveniste e raciste.

Ndërkohë që BE ende nuk ka folur për këtë gjë. Madje deklarimet e Ivanov ishin bërë në prani të ambasadorëve. Po të kishte protesta të tilla fashiste e deklarime të tilla shoveniste institucionale në Kosovë a Shqipëri do të kishin reaguar deri tash të gjithë pa dallim: zyrtar të BE-së, ambasadorë, zëdhënës, OJQ, e të tjerë.

Ivanovi dhe Gruevski duan që përmes kartës së shqiptarofobisë ta mbrojnë edhe qeverisjen e tyre kriminale dhe të korruptuar, që prodhoi një sistem dhe shoqëri të padrejtë dhe të pabarabartë sikur midis përkatësive të ndryshme kombëtare, ashtu edhe mes shtresave të ndryshme shoqërore.

Pavarësisht kësaj shqiptarët duhet të rrijnë bashkë. Kjo situatë e bën edhe më të vlefshëm qëndrimin bashkë dhe Platformën rreth së cilës janë bashkuar. Në asnjë mënyrë nuk bën të ndahen. Përfaqësuesit politik shqiptarë nuk duhet t’ia mundësojnë Gruevskit themelimin e qeverisë, asesi. Ata po ashtu në asnjë moment nuk bën të lihen vetëm nga Tirana zyrtare. Sa për Prishtinën me këtë pushtet, rrezik që do të ndërhynin për ta mbrojtur Gruevskin, dhe idenë e tij të mëhershme për qeveri gjithpërfshirëse.