Glauk Konjufca

Refleksion preliminar mbi demarkacionin

09 Shtator 2016 - E premte 10:20

Shprendaj me te tjeret

Demokracioni

 

Asgjë nuk ishte më emblematike gjatë diskutimeve të shumta së fundi mbi demarkacionin se sa shprehja e njërit prej banorëve të Rugovës: përmes shkarjes së gjuhës, sigurisht pa dashje, i referohej vazhdimisht demarkacionit si ‘demokracion’. Demarkacionin e mendonte si demokraci. Kështu, në fakt, duhet të jetë. Por në Kosovë është ndryshe. Përdhosja e demokracië në rastin e demarkacionit të vijës kufitarë mes Kosovës e Malit të Zi, është e pashembullt. Dy javë pasi që komisioni shtetëror për demarkacionin e kishte përfunduar punën e tij dhe i kishte mbyllur negociatat për këtë çështje, Kuvendi i Kosovës nxori një rezolutë. Kjo rezolutë jepte instruksione dhe kritere se si të kryhej ky demarkacion që tashmë kishte përfunduar. Qeveria e kishte kryer procesin dhe po tallej me demokracinë, duke ia mbajtur Kuvendit të fshehur përfundimin e punës për përcaktimin e vijës kufitare. Ne po debatonim dhe po votonim për instruksione e kritere të cilat ishin vendosur paraprakisht nga qeveria dhe komisioni shtetëror.

 

Nga kjo mund të kuptohet se strategjia e qeverisë për demarkacionin ishte veprimi në një kohë kur opinioni publik zakonisht e ka vëmendjen larg zhvillimeve politike. Jorastësisht marrëveshja u nënshkrua tash një vit – më 26 gusht nga Hashim Thaçi e Skënder Hyseni. Marrëveshja u nënshkrua kur institucionet e shtetit zyrtarisht ishin në pushime. Puna e komisionit ka qenë përgjithësisht jotransparente. Ekspertët më eminentë të vendit janë mënjanuar qëllimisht. Vërejtjet dhe ekspertiza e tyre profesionale nuk është marrë parasysh. Një strategji e tillë nënkupton se qeveria nuk dëshironte që opinioni publik ta mësonte të vërtetën. E vërteta është kjo – përmes kësaj marrëveshjeje Kosova humb territor të cilin tradicionalisht e ka kontrolluar. Pikërisht për shkak se kemi të bëjmë me një marrëveshje të disvaforshme për shtetin, qeveria e mbajti të fshehur procesin. Dëmi dhe jotransparenca janë dy anë të së njëjtës medalje.

 

 

Rrëzimi i pushtetit dhe nacionalizmi

 

Diskutimi shoqëror për demarkacionin ka qenë njëri prej debateve më cilësore që është zhvilluar për ndonjë problematikë në Kosovën e pasluftës. Kjo ka ndodhur, përveç tjerash, edhe për arsyen se në frontin e këtij debati nuk ishte politika ditore, por profesorë të nderuar, ekspertë të fortë të fushës, e njohës profesionalë të kësaj teme, si Zejnullah Gruda, Shpëtim Bulliqi, Florim Isufi, Përparim Ahmeti, Enver Hasani, Sali Ahmetaj etj. Prandaj diskutimet janë përqendruar ekskluzivisht tek faktet dhe argumentet.

 

Që në fillim, pra, duhet të hedhen si plotësisht të pabaza dy pretendime, njëri që vjen nga qeveria, kurse tjetri nga kampi ndërkombëtar në Kosovë. Pretendimi i qeverisë thotë që demarkacioni është shpikje e opozitës për të ardhur në pushtet. Kurse pretendimi i kampit ndërkombëtar thekson që demarkacioni është një kauzë nacionaliste. Ne të gjithë e kemi kuptuar problemin e demarkacionin në thelb dhe profesionalisht nga ekspertët e lartëpërmendur prej të cilëve asnjëri nuk ka ngjyrime partiake dhe as është nacionalist i çmendur. Ata janë njerëz të shkencës. Demarkacioni është përtej luftës për pushtet dhe nacionalizmit. Ai ka të bëjë me esencën e shtetit. Për të nuk bën të vendoset fshehur, e aq më tepër të vendoset gabimisht, siç bëri qeveria jonë.

 

 

Mandati

 

Argumentet e ofruara nga ekspertët dhe profesorët në fjalë më kanë bindur përfundimisht që diçka ka shkuar keq me demarkacionin. Të gjitha faktet tregojnë që komisioni shtetëror e ka tejkaluar mandatin me të cilin është ngarkuar. Mandati i komisionit e obligonte atë që ta demarkonte vijën ekzistuese të kufirit mes Malit të Zi e Kosovës. Kjo nuk do të duhej të kishte qenë një çështje aq e ndërlikuar, duke qenë që një kufi i tillë ka ekzistuar tradicionalisht dhe të paktën që nga viti 1946. Kufiri mes Kosovës e Malit të Zi ka pasë karakter të qartë gjatë kohës së ish Jugosllavisë sepse ka qenë kufi ndër-republikan. Dhe ka pasë natyrë të dyfishtë – së pari ishte kufi mes Serbisë dhe Malit të Zi. Së dyti – ishte kufi i Kosovës autonome me Malin e Zi. Komisioni nuk kishte një detyrë të vështirë për ta negocuar ndonjë kufi që nuk ka ekzistuar kurrë, por vetëm duhej ta zbulonte nëpër kodra e male e ta konkretizonte atë vijë imagjinare që ekziston nëpër të gjitha hartat kredibile topografike, ushtarake, pedologjike etj. Në vend të kësaj, komisioni na ka sjellë kufij të rinj. Matjet e sakta të Florim Isufit e Shpëtim Bulliqit tregojnë që me këtë marrëveshje Kosova humb 8,223 hektarë territor shtetëror. Meqë komisioni e ka tejkaluar mandatin e vet, puna e tij duhet të shpallet e pavlefshme.

 

 

Republika si kongromerat parcelash: kadastri

 

Shtrohet pyetja – përse komisioni shtetëror ka arritur në këtë rezultat kaq të disfavorshëm për Kosovën? Përgjigja është fare e thjeshtë: gabimi qëndron në kriterin esencial me të cilin komisioni ynë është pajtuar që të kryhet demarkacioni. Komisioni i Malit të Zi e ka kuptuar paraprakisht që kriteri i cili e favorizon më së shumti territorialisht është kadastri. Komisioni ynë e ka pranuar këtë kriter të propozuar nga Mali i Zi. Ky është një gabim kardinal. Kadastri nuk mund të jetë kriter esencial për vendosjen e kufijve ndërkombëtarë. Në një konferencë shkencore në Tiranë, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda, tha se nga përvoja e tij shkencore gjysmëshekullore, prej të gjithë autorëve që ai i kishte shqyrtuar mbi tematikën e demarkacionit, të asnjëri prej tyre nuk e kishte hasur kadastrin si kriter primar të demarkimit të kufijve.

 

Komisioni i Kosovës është pajtuar që demarkimi të mos e ndjek vijën kufitare ekzistuese administrative mes Kosovës e Malit të Zi, por të bazohet mbi të dhënat kadastrale të dy shteteve. Për më keq se kaq, komisioni ynë është pajtuar që ta pranojë si valid kadastrin e Banovinës së Zetës të viteve 1930-32 gjatë mbretërisë Aleksandër Karagjorgjeviqit. Banovina e Zetës ka ekzistuar mes viteve 1929-1941. Ajo ka pasë 31 mijë kilometra katrorë. Përfshinte një pjesë të madhe të Kosovës, të Bosnjës dhe Kroacisë së sotme. Banovinat e mbretërisë ishin konstruktuar për ta akomoduar hegjemonizmin serb në kurriz të kombeve tjera, sidomos shqiptarëve e kroatëve. Si është e mundshme që komisioni shtetëror i Kosovës të ketë pranuar që të vendosen kufij shtetërorë mbi këtë dokumentacion? Është e pabesueshme! Nëse kjo ka të bëjë thjesht vetëm me lëshime profesionale, është e keqja më e vogël. Por druaj që mund të jetë përtej kësaj. Me këtë kadastër Mali i Zi ka prona për krejt Dukagjinin, Shalën e Drenicën. Por ata kanë shfrytëzuar këtë kadastër vetëm për aq sa është e mundshme në rrethanat e sotshme, pra sa për të na i marrë 82 kilometra katrorë dhe pikërisht aty ku kadastri i Kosovës nuk ka mbulesë. Duke u pajtuar që kadastri të jetë kriter për përcaktimin e kufirit, dhe duke e ditur paraprakisht rezultatin (humbjen e territorit), anëtarët e komisionit shtetëror e kanë shkelur rëndë dhe qëllimisht interesin më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës – integritetin e saj territorial.

 

Metodologjia dhe vetë principi me të cilin pala kosovare është pajtuar që të ndiqet për vendosjen e demarkacionit, e ka edhe një defekt fundamental konceptual. Delegacioni i Kosovës e koncepton republikën si konglomerat të parcelave kadastrale! Pra, ai fillon nga dy lloj elementesh – nga prona private dhe nga subnjësitë komunale, dhe kështu duke i mbledhur të gjitha parcelat, oborret e livadhet, mundohet të arrijë deri te e përgjithmja – te republika. Në të vërtetë logjika e sovranitetit shtetëror është saktësisht e kundërta – sovraniteti është korniza bazike, parimi themelor në gjirin e të cilin zhvillohen dhe derivojnë të gjitha.

 

Profesori Përparim Ahmeti ka sjellë edhe dy fakte shtesë lidhur me kriterin e kadastrit. Së pari ai pretendon që për 36 kilometra katrorë prej këtyre 82 kilometrave katrorë të cilat i pretendon Mali i Zi, as ky i fundit nuk ka mbulesë kadastrale. Dhe së dyti, gjatë konferencës për demarkacionin që u mbajt në Kuvend më 3 gusht, ai paraqiti një dokument kadastral malazez, të cilin komisioni ynë shtetëror e merr për të mirëqenë dhe mbi të cilin jep tokë. Dokumenti në fjalë është i shkruar me laps, nuk ka vit, nuk ka kurrfarë vulash dhe as një shenjë që është dokument shtetëror i shtetit përkatës. Asnjëri prej anëtarëve të pranishëm të komisionit në atë konferencë nuk i hodhën poshtë faktet relevante të paraqitura nga zt. Ahmeti. Po ashtu, eksperti i fushës, Sali Ahmetaj ka shpjeguar me argument të qëndrueshme se Mali i Zi dhe Kosova nuk i kanë as kadastrat kompatibilë. Për tërë këtë zonë të Kosovës, të cilin Mali i Zi e pretendon, mundohet ta mbulojë përmes kadastrit përshkrues.

 

Florim Isufi, profesor në UP, me argumentet e tij të pamohueshme, ka shkuar edhe një hap tutje. Ai e ka gjetur hartën kadastrale të Kosovës autonome të vitit 1974. Aty shihet se territori i vendit tonë është saktësisht në Kullë e në Ҫakorr. Komisioni shtetëror nuk e ka marrë për bazë këtë hartë kadastrale e cila plotësisht përputhet me kufijtë e atëhershëm administrativë të Kosovës. Pra, zt. Isufi ka sjellë argumente të qëndrueshme se, edhe po të merret me kusht kadastri si kriter krejt i veccantë i demarkimit të kufijve ndërkombëtarë, puna e komisionit shtetëror të Kosovës karakterizohet prej gabimeve të pafalshme. Ai po ashtu ka sjellë në vëmendjen e publikut hartën e Malit të Zi të vitit 2014, të cilën vetë Mali i Zi e kishte paraqitur në Atlasin e Adriatikut. Në atë hartë të Malit të Zi, të cilën nuk e kanë përpiluar as ekspertët në Kosovë, as opozita jonë, kufijtë e tij janë plotësisht të përputhshëm me versionin e kufirit që ishte gjithmonë – në Kullë e Ҫakorr. Të mos i mbrosh këto pozicione në të cilat qëndron e vërteta dhe interesi ynë shtetëror, por të dalësh në anën e kundërt dhe të mbrosh harta të dyshimta të atyre malazezëve që duan përvetësim të tokave të Kosovës – kjo e meriton një gjykim ashpër.

 

 

Liberalizimi i vizave

 

Qeveria e Kosovës ndaj të gjitha këtyre vërejtjeve dhe kritikave për lëshimet e bëra ka përdorur vetëm një arsyetim: liberalizimi i vizave. Procesi me të cilin është lidhur vazhdimisht çështja e demarkacionit është liberalizimi i vizave. Duhet ta trajtojmë me shumë kujdes këtë përgjigje dhe ta hedhim poshtë më argumentet e nevojshme. Ka disa indikacione që çojnë në përfundimin se demarkacioni u lidh me vizat shumë më shumë nga qeveria jonë se sa nga institucionet evropiane. Udhërrëfyesi fillestar i liberalizimit të vizave Kosovës iu dorëzua në vitin 2012 nga komisionerja evropiane, Cecilia Malmström. Aty ndodhen kriteret bazike dhe pakoja e domosdoshme e reformave që Kosova duhet t’i bëjë ashtu që t’i ofrohet liberalizimi i vizave. Kushtet e domosdoshme të liberalizimit të vizave të organizuara në 5 blloqe janë: ripranimi dhe riintegrimi, siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufirit dhe i migrimit, rendi publik dhe siguria (sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar), si dhe të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Këto reforma përfshijnë 101 veprime të cilat qeveria duhet t’i ndërmerr në fushat përkatëse. Në kuadër të bllokut të tretë, ndodhet edhe demarkacioni me Malin e Zi.

 

Së pari, një pjesë e konsiderueshme e kushteve nuk janë përmbushur ende. Ngecje të mëdha ka sidomos në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe kjo qeveri e tanishme as që mund ta plotësojë këtë kriter të liberalizimit të vizave, duke qenë që figurat kryesore të saj janë të kapura vetë në skemën e krimit të organizuar. Dhe, së dyti, fakti që demarkacioni ndodhet në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave nuk do të thotë që detyrimisht ta bëjmë një demarkacion të gabueshëm i cili na kushton me territor. Asnjë shtet në botë nuk jep territore për viza. Nëse qeveria e mendon të kundërtën, nuk duhet ta lejojmë.

 

Qeveria ka pasë një interes strategjik që ta vendoste demarkacionin si kriter esencial të liberalizimit të vizave. Duke e vendosur demarkacionin mbi kriteret tjera që janë shumë më të rëndësishme për Komisionin Evropian, qeveria jonë mundohet ta fsheh mospunën dhe dështimet e saj për mosplotësimin e kritereve të vërteta. Vetëm në këtë mënyrë askush më nuk flet se po luftohet korrupsioni, por se kur po bëhet demarkacioni! Në anën tjetër, duke ngulmuar në këtë demarkacion të gabuar, dëshiron që dështimin për liberalizimin e vizave ta heq nga vetja dhe t’ia faturojë opozitës.

 

Demarkacioni u bë temë dhe u lidh me liberalizimin e vizave sidomos vitin e kaluar. Mirëpo, edhe pse përmendet si kriter për liberalizimin e vizave, ky kriter duhet të kuptohet saktë, e jo të shtrembërohet siç dëshiron qeveria. Në vitin e kaluar, vlerësimi i Komisionit Evropian për procesin e përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës e përmban edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ama kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton urdhër për këtë demarkacion si është aktualisht. Përveç tjerash, edhe për një arsye të thjeshtë logjike: në kohën kur Komisioni Evropian kërkonte që të kryhej demarkacioni, nuk ekzistonte ky demarkacion i pikërishëm. Këtë demarkacion me këto gabime e bëri qeveria jonë. Komisioni Evropian nuk jep instruksione se si duhet të bëhet demarkacioni. Ata thjesht kërkojnë që ky proces të kryhet në aspektin e vet formal, pra që të institucionalizohet me një marrëveshje. Por askund nuk kërkohet nga Kosova që zgjidhja ta dëmtojë integritetin territorial të Kosovës.

 

 

Bashkësia ndërkombëtare

 

Qeveria e Kosovës në vend që të ofrojë argumente që nuk ka bërë koncesione, po fshihet pas përshëndetjeve të bashkësisë ndërkombëtare. Natyrisht që kur përfundoi marrëveshja, faktorët ndërkombëtarë e përshëndetën atë. Nuk mund të ndodh ndryshe: kur zyrtarët ndërkombëtarë shohin se dy palë janë pajtuar për kufijtë e tyre, kjo e nënkupton vetvetiu një zgjidhje e cila paska mbrojtur interesin reciprok. Me vetë faktin që palët ia zgjasin dorën njëra-tjetrës, kjo e presupozon një zgjidhje të drejtë për të gjithë, sepse mbi të gjitha është e drejtë për vetë palët e përfshira. Por ky është problem vetëm për ndërkombëtarët. Kurse për qytetarët e Kosovës, për shqiptarët kudo që janë, për popullin e shoqërinë tonë pyetja kryesore duhet të jetë kjo – a e mbrojti qeveria interesin tonë? Të gjitha faktet dhe argumentet e ofruara përgjatë diskutimeve për demarkacionin tregojnë se qeveria e Kosovës i bëri koncesione kapitale territoriale Malit të Zi.

 

Asgjë nuk ka qenë më ironike në javën e kaluar se sa deklarata e Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Žbogar. Ai tha se demarkacioni është parakusht për vazhdimin e procesit integrues evropian të Kosovës. Ironia qëndron në faktin që zt. Žbogar ka qenë ministër i jashtëm i qeverisë sllovene më 2008 kur nuk pranonte asnjë presion të BE-së për demarkacionin e Sllovenisë me Kroacinë! Ai ishte njeriu kryesor që udhëhiqte betejën e Sllovenisë për bllokimin e hapjes së kapitujve të Acqui-së për Kroacinë. Arsyeja ishte demarkacioni i pazgjidhur mes dy shteteve. Sipas Žbogarit, Kroacia po përdorte harta të pasakta të cilat e cenojnë sovranitetin e Sllovenisë, prandaj ai mbante qëndrim kundër hapjes së kapitujve për Kroacinë. Kontesti lidhet me Gjirin e Piranit dhe përshkon një territor prej 19 kilometrash katrorë për të cilin Kroacia dhe Sllovenia nuk gjejnë pajtim se ku duhet të demarkohet saktësisht vija kufitare. Problemi mbetet i hapur prej vitit 1993. Pra kanë kaluar 23 vite dhe ky problem i demarkacionit nuk është zgjidhur ende sepse palët nuk lëshojnë pe. Në qershor të vitit të kaluar pikërisht kur komisioni i Murat Mehës po i kompletonte koncesionet territoriale, Kroacia e braktisi arbitrazhin për demarkacion me Slloveninë me arsyetimin se një gjyqtar kishte ushtruar trysni te gjyqtarët tjerë për të vendosur në favor të propozimeve sllovene. Çështja mbetet e hapur. Beteja vazhdon.

 

Në dhjetor të vitit 2008 një qeveritar kroat i tha Žbogarit më mirë ta linte trysninë sepse për ta integriteti territorial dhe sovraniteti shtetëror ishin më të rëndësishme se integrimi në BE. Žbogari ia ktheu përgjigjen duke i thënë se edhe për sllovenët vlente e njëjta. Në fund Sllovenia mbeti e vetme kundër integrimit të Kroacisë në BE, edhe përkundër të gjitha trysnive ndërkombëtare. Zt. Žbogar nuk dorëzohej para këtyre presioneve të cilat tash po na i bën vetë si zyrtar i BE-së. Çështja u zhbllokua vetëm pasi që sllovenët votuan në referendum për opcionin e vazhdimit të kontestit në arbitrazh. Prandaj e kam fare të qartë se si duhet të veprojmë: duhet të veprojmë po sikur u soll ai sa qe ministër i shtetit slloven. Të veprojmë ashtu siç veprojnë zyrtarët shtetërorë kur i mbrojnë interesat e shteteve të tyre. Çdo gjë tjetër është e paqëndrueshme.

 

Në një situatë të tillë aspak të lakmueshme u ndodh edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, gjatë konferencësh shkencore për demarkacionin. Në fjalimin e tij ai pa dashje tha të kundërtën e asaj që dëshironte. Duke dashur të thoshte që ky demarkacion është i duhuri – theksoi po ashtu se flamuri i Kosovës nuk do të duhej të ndryshonte. Kurse e vërteta është që saktësisht në flamurin zyrtar të Republikës së Kosovës jepet territori i plotë i Kosovës. Kurse flamuri do të ndryshonte pikërisht nëse zbatohet demarkacioni në të cilin po insiston qeveria dhe komisioni shtetëror! Pajtohem plotësisht me ambasadorin amerikan – harta e Kosovës në flamur nuk duhet të ndryshohet.

 

 

Uti possidetis

 

Komisioni shtetëror me punën e tij të papërgjegjshme i ka shkelur dy parime themelore të cilat duhet të ndiqeshin për demarkimin e vijës kufitare. Së pari – ka shkelur parimin e të drejtës ndërkombëtare – Uti possidetis. Ky princip ka të bëjë me kontrollimin faktik dhe tradicional të territorit. Të gjithë e dinë, dhe për këtë ka me mijëra fakte të bollshme përgjatë 70 viteve të fundit, se Kosova e ka kontrolluar territorin deri te pikat kufitare Çakorr dhe Kullë. Këto pika kufitare përbëjnë edhe horizontin e ushtrimit të sovranitetit praktik të Kosovës mbi territorin e vet. Të gjitha argumentet tregojnë se Kosova ushtroi me të gjitha institucionet e saj sovranitet mbi këtë hapësirë. Pikat e kontrollit kufitar janë fakti më i rëndësishëm. Pika kufitare është aspect par excellence i sovranitetit shtetëror. Nuk ka asnjë praktikë në botë që pikat kufitare të një shteti të ndodhen brenda territorit të shtetit tjetër për 9 km siç ndodh tash me demarkacionin. Pikërisht këto dy pika kufitare me demarkacionin e ri do të ndodhen së paku 4 km në vijë ajrore, apo 8-9 km në vijë rrugore brenda territorit të Malit të Zi. Komisioni, pra, po mundohet të na bindë se qe 70 vite kufiri Kosovë-Mal i Zi, ka qenë një lajthitje e hidhur në të cilin paskan jetuar tri gjenerata me radhë! Kjo është vërtet makabre dhe e pabesueshme.

 

Përveç kësaj, shteti i Kosovës edhe pas përfundimit të luftës së fundit me të gjitha institucionet e veta ushtroi kontroll faktik mbi këtë rajon, duke filluar prej organeve të sigurisë (policia) e deri të infrastruktura (ndërtimi i rrugëve). Po ashtu pyllëzimi i hapësirës u krye nga institucionet e Kosovës. Edhe ndërtimi dhe mirëmbajta e rrjetit të energjisë elektrike. Ne kemi nxjerrë edhe një dokument të Kosovës autonome që planifikonte ndërtimin e pendës pikërisht në burimet ujore të cilat me demarkacionin e ri i merr Mali i Zi. Të gjitha këto tregojnë për një veprimtari të konsoliduar e të përçdoditshme të ushtrimit të sovranitetit praktik të institucioneve të Kosovës mbi territorin përkatës.

 

Së dyti, komisioni shtetëror e ka shkelur principin e vendosjes së kufijve ndërkombëtarë përmes zbatimit të ish kufijve administrativë inter-republikanë. Një princip të tillë e pat postuluar edhe Komisioni i Badinterit gjatë shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Republikat mund të ndaheshin e ta shpallnin pavarësinë e tyre duke ndjekur kufijtë ekzistues administrativë, të cilët automatikisht ktheheshin në kufij ndërkombëtarë. Kurse Kosova duhet të konsiderohet si faza përfundimtare e procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Të gjitha hartat relevante ushtarake e topografike të ish Jugosllavisë, kufirin mes Kosovës e Malit të Zi e paraqësin saktësisht në përputhje me pikat kufitare në Qafë të Çakorrit dhe Qafë të Kullës. Komisioni shtetëror hedh poshtë të gjithë këtë trashëgimi politike institucionale të zhvilluar nga Kosova dhe thotë – jo: territor i Kosovës është vetëm ai që është i regjistruar në kadastër! Kjo është e pashembullt.

 

Në një emision televiziv për këtë tematikë gjatë nëntorit të vitit të kaluar, anëtari i komisionit shtetëror, Tefik Basha, në pyetjen e gazetarit se a ekzistojnë harta të cilat pikën kufitare të Çakorrit e të Kullës e paraqesin brenda Kosovës, ndalet për një moment, hutohet, e kthen kokën kah Murat Meha, dhe paksa i habitur thotë se mund të ketë, por se komisioni ka vendosur që të merret parasysh kjo harta këtu që këto hapësira i lë jashtë Kosovës! Pra, gjithçka e qartë – habia e tij sikur dëshiron të thotë se ne nuk kemi vendosur për këtë gjë – është bërë marrëveshje e lartë politike për këtë gjë mes dy qeverive. Ne jemi këtu vetëm për ta konkretizuar këtë marrëveshje për dhënien e territorit. Veç kësaj, zt. Basha e shpjegon në po këtë emision edhe procedurën se si janë pajtuar me Malin e Zi që principi bazik për demarkacionin të jetë kadastri. Thotë që ne këmbëngulëm disa herë që Kulla dhe Çakorri janë brenda Kosovës, por ata nuk pranuan kurrsesi dhe na sfiduan me dokumente, prandaj ne u pajtuam me këtë parim! Pra, komisioni ynë është përbërë nga njerëz të cilët pajtueshmërinë me shpjegimet e Malit të Zi e vendosin më lart si parim sesa mbrojtjen e sovranitetit dhe interesit shtetëror të Kosovës. Nuk ka dyshim që edhe Kroacia e Sllovenia kanë harta të ndryshme për kufirin që e përshkon Gjirin e Piranit, mirëpo secila palë e mbron hartën e vet, e jo hartën e kundërshtarit, siç bën komisioni i Kosovës. Kjo qeveri dhe këta njerëz janë antishtetërorë.

 

 

Ahtisaari, Pavarësia…

 

Njëra prej pikave më të dobëta të shpjegimit të komisionit që përpiqet ta justifikojë demarkacionin aktual është retorika e tyre pompoze e referencave të mëdha. Përmes përdorimit të referencës si të tillë, pa kurrfarë kauzaliteti real, automatikisht mendojnë ta justifikojnë një demarkacion të kësisojtë. P.sh. thonë që ky demarkacion është i pashmangshëm sepse ne kemi shpallë pavarësinë e Kosovës! Apo se shtetësia e Kosovës e ka burimin në Planin e Ahtisaarit, prandaj duhet ta bëjmë pikërisht këtë demarkacion. Shpjegime të tilla janë të mjerueshme.

 

Për të gjitha këto referenca mund të thuhet saktësisht e kundërta. Në vitin 2008, kur Kosova e shpalli pavarësinë, kufijtë e saj nuk ishin këta të demarkacionit aktual. Ata ishin kufij të trashëguar administrativë të kohës së ish Jugosllavisë, të cilët nuk kanë ndryshuar deri tash kur i ndryshoi komisioni shtetëror i Kosovës.

 

Një tjetër mashtrim që zakonisht e aplikon kryeministri Mustafa është Plani i Ahtisaarit. Plani i Ahtisaarit thotë që kufijtë e Kosovës duhet të jenë ata që kanë qenë në formë të kufijve administrativë më 31 dhjetor të vitit 1988. Arsyeja pse është zgjedhur nga Ahtisaari pikërisht kjo datë ka të bëjë me suprimimin e autonomisë së Kosovës pas tre muajsh, në mars të vitit 1989. Pra Ahtisaari e ka marrë një datë e cila thjesht e shmang kohën që pasoi dhe e cila u karakterizua nga vendimet e njëanshme e të dhunshme të Serbisë kundër Kosovës. Por, një gjë është fare e sigurt dhe e pakontestueshme: kufijtë e Kosovës më 31 dhjetor të vitit 1988 janë këta që po argumentohen prej ekspertëve, e jo ata që po pretendohen nga komisioni shtetëror.

 

 

Integriteti

 

Në një hartë të Kosotës të botuar në vitin 1998 me autor Murat Mehën, kufijtë e vendit tonë vendosen në Kullë e në Çakorr. Kjo hartë u botua nga Enti Shkollor. Me të kanë mësuar gjeografinë e vendit tonë breza të tërë. Pra, sa kohë që Murat Meha ishtë thjesht profesor universitar, ai i përmbahej shkencës. Tash që është bërë shërbëtor i Qeverisë po e tradhton shkencën në funksion të pazareve politike që janë bërë për territorin e Kosovës. Tash për të autoritet nuk është argumenti shkencor, por fermani qeveritar.

 

Salih Ahmetaj, një tjetër njohës i çështjes në fjalë, ka vënë në pah një tjetër hollësi mjaft relevante. Ai ka paraqitur një hartë rrugore të Kosovës. Atë e ka përpiluar Murat Meha. Paradoksi është ky: harta e Kosovës në formën e saj paraqitet sipas versionit të demarkacionit që e vendosi komisioni shtetëror. Por edhe për shkak të rrudhjes, autori prapëseprapë i vendos Kullën e Çakorrin brenda Kosovës. Pra, nga frika se mos zbulohet gabimi, i ka vendosur Kullën e Çakorrin në Kosovën e cunguar, pra aty ku realisht nuk janë në të vërtet, vetëm për ta ruajtur në publik iluzionin e Kosovës së plotë e të paprekur!

 

Përveç kësaj, deputeti i Kuvendit, Shpëtim Bulliqi, ndër të parët që e ngriti problemin e demarkimit të gabuar të vijës kufitare mes Kosovës e Malit të Zi, në konferencën e 3 gushtit argumentoi se si komisioni shtetëror ka falsifikuar dokumentacion. Tri dokumentet kryesore që përbëjnë materialin e sjellur në Kuvend nga komisioni shtetëror janë ndryshuar gjatë gjithë kohës. Ndërhyrjet dhe retushimet kanë ndodhur në versionin origjinal dhe filletar të dokumentacionit.

 

Shtrohet pyetja – si mund të na e mbrojnë integritetin territorial njerëz të cilët pikësëpari e kanë mohuar integritetin e tyre shkencor e profesional? Ata e shkelin punën e tyre të dikurshme shkencore, falsifikojnë dokumente – të gjitha këto i bëjnë vetëm e vetëm për ta mbuluar krimin e qeverisë.

 

Ekspertët e problematikës kanë sjellë edhe një tjetër fakt shqetësues për veprimtarinë e Murat Mehës në këtë aspekt. Sipas tyre, ai ua ka shpërndarë paraprakisht koordinatat gjeografikë të kufijve të ndryshuar të Kosovës të gjitha institucioneve kredibile ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Autoritetet Evropiane të Hartëzimit Kombëtar, Kadastrit dhe Regjistrimit të Tokës – EuroGeographics. Kjo është arsyeja e vërtetë pse shtetet evropiane, por edhe ShBA-të mendojnë që Kosova nuk po humb territor me marrëveshjen aktuale: kufijtë e rrudhur të Kosovës tashmë janë shenjëzuar zyrtarisht edhe nëpër institucionet gjeografike ndërkombëtare. Nëse e sheh aty hartën e Kosovës dhe e krahason me marrëveshjen e qeverisë, gjithçka duket në përputhje të plotë dhe e rregullt.

 

 

Porosia

 

Demarkacionin si problem e bën edhe më serioz karakteri i tij i pakthyeshëm. Ai përbën një vendim të papërmirësueshëm, të pakorrigjueshëm. Nuk mund të thuash se tash për tash po e vendosim kufirin këtu, e pastaj shohim e bëjmë. Kufiri i vendosur merr karakterin e kufirit ndërkombëtar dhe në botë ka plot kufij të tillë të cilët mbesin me shekuj. Prandaj çështja e kërkon kujdesin maksimal, përgjegjësinë patriotike dhe profesionalizmin e pafund.

 

Në çdo diskutim që kam pasë rastin ta përcjell deri sot, anëtarët e komisionit shtetëror, vazhdimisht kanë një zell të papërmbajtshëm për ta mbrojtur pozicionin e Malit të Zi. Ata vazhdimisht shfajësohen duke cituar burime malazeze dhe saktësinë e të dhënave malazeze. Të krijohet përshtypja sikur nuk janë vënë aty për ta mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, por të Malit të Zi!

 

Të gjitha këto tregojnë se demarkacioni me Malin e Zi është karakterizuar nga lëshime serioze. Këto lëshime e kanë kuptimin e humbjes territoriale. Territori është aspekti thelbësor i shtetit. Jo vetëm që hedhja poshtë e këtij demarkacioni aktual e mbron sovranitetin dhe integritetin tonë të vlefshëm territorial, për të cilin është derdhur gjak e janë sakrifikuar breza. Për më tepër, ndalja e këtij demarkacioni do ta vendoste një standard të ri për shoqërinë tonë, njëjtë siç pat ndodhur me ministrin famëkeq Jabllaniviq, veçse tash në shkallë të gjerë: porosinë dhe mësimin e vyer që populli i organizuar, ekspertët e profesorët patriotë me dinjitet e integritet profesional, shoqëria civile vigjilente dhe qytetarët e vetëdijshëm politikisht, nuk mund t’ia lënë shtetin në dorë një qeverie të papërgjegjshme e të korruptuar si kjo. Ata bashkëpunojnë që ta mbrojnë vendin edhe kur qeveria e lë atë në baltë.

 

 

Glauk Konjufca