Besnik Bislimi

Situata-kufi “kështu po do Amerika”

30 Gusht 2016 - E martë 11:11

Shprendaj me te tjeret

Çështja e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi me siguri që paraqet problematikën më të diskutuar të pasluftës edhe atë si në rrafshin e legjislativit ashtu edhe atë shkencor. Nuk ka temë tjetër që të ketë depërtuar aq fuqishëm tek secili qytetar i Kosovës dhe për të cilën të jenë nxjerrë aq shumë argumente për të provuar se kjo marrëveshje i kushton vendit më shumë se 8.000 hektarë tokë. Kjo çështje mund të quhet pa hezitim, situatë-kufi midis të vërtetës, të drejtës, nga njëra anë dhe të gënjeshtrës dhe të padrejtës. Vija ndarëse është më e qartë se kurrë.

Për çudi ka prapë deputetë të kuvendit të Kosovës që dalin publikisht dhe konstatojnë se ende nuk kanë informatat të mjaftueshme për të vendosur për mënyrën se si të japin votën e tyre më datën 1 shtator.

Edhe përkundër përpjekjes së parezervë të qeverisë dhe administratës së kuvendit për ta dështuar tryezën shkencore mbi demarkacionin, të datës 3 gusht, falë profesionalizmit të grupit të ekspertëve që diskutuan aty, komisioni shtetëror u zhvesh komplet nga të gjitha pretendimet e tij, dhe për më tepër u konfirmuan shkelje që mund të paraqesin bazë të mjaftueshme për fillim të ndjekjes penale ndaj anëtarëve të komisionit shtetëror.

Profesorët ekspertë Ahmeti, Bulliqi, Isufi, Idrizi, Gruda, Hasani, Bajrami dhe të tjerë, mes tjerash qartësuan se:

  • Komisioni shtetëror në vend të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi ka tejkaluar kompetencat e tij duke u marrë me delimitim. Këtë në fakt e pranon edhe vetë komisioni shtetëror i cili ne dokumentin e vetë të publikuar në faqen e kryeministrisë, mes tjerash në faqen 2 thekson si vijon:  “Komisioni,  duke  u  bazuar  në  mandatin  e  deleguar  nga  Qeveria  dhe  pas  përfundimit  të  analizës  së hollësishme  të    dokumentacionit  të  sipërpërmendur,  ka  paraqitur  propozimin  për  shënjimin  e  vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”.
  • Komisioni shtetëror ka pranuar të caktoj vijë kufitare me Malin e Zi pa kërkuar që pala malazeze të mbështesë me harta dhe dokumente tjera pretendimet e saj për vijën kufitare. Këtë e konfirmon edhe vetë pala malazeze e cila në procesverbalin e saj nga mbledhja e datës 9 dhe 10 shtator 2013 deklaron se i ka paraqitur palës kosovare draftin e marrëveshjes për kufirin shtetëror dhe ka kërkuar nga pala Kosovare që nëse kanë ndonjë pretendim tjetër për shtrirjen e vijës kufitare, të sjellin hartat kadastrale mbështetëse. Kjo nënkupton se pala malazeze as nuk ka prezantuar asnjë hartë e as i është kërkuar diçka e tillë nga pala kosovare për të argumentuar draftin e tyre të marrëveshjes.
  • Komisioni shtetëror për shënjimin e vijës kufitare për dy vite rresht ka argumentuar se Çakorri e Kulla janë pjesë e Kosovës dhe kanë ofruar dokumentacion të mjaftueshëm në mbështetje të pretendimit (përfshirë këtu aktivitetin kadastral, kontratat për ndërtim dhe mirëmbajtje të rrugës por edhe aktivitetin e shoqatës së pylltarisë së Kosovës). Vetëm pas dy vitesh dhe pas asnjë argumentim pala jonë është tërhequr nga pretendimet. I njëjti individ që këto dy vite ka ngulur këmbë për këto territore, më datën 3 gusht dhe pas saj, publikisht ka deklaruar që këto vende asnjëherë nuk i kanë takuar Kosovës, por pa treguar arsyet se pse ka prezantuar pretendime të kundërta për dy vite rresht.
  • Komisioni në raportin e përgatitur për deputetët e kuvendit të Kosovës, ka futur edhe material të prodhuar dhe përgatitur pas datës së nënshkrimit të marrëveshjes, që nënkupton dokumentacion inekzistent përgjatë gjithë periudhës së zhvillimit të bisedimeve me palën malazeze. Rrjedhimisht komisioni ka tentuar të futë në lajthitje dhe mashtrojë deputetët, çka është vepër penale e mjaftueshme për nisjen e procedurave hetimore.
  • Komisioni shtetëror kishte manipuluar në raportin e tij duke deklaruar se shumë herë ishte takuar edhe me vetë banorët e ndikuar nga marrëveshja, meqë u demantua nga vetë rugovasit.

Fatkeqësisht gjithë kjo nuk i pengoi përfaqësuesit e dy grupeve parlamentare të koalicionit qeverisës të deklarojnë sërish se nuk panë dhe dëgjuan fakte të reja. E si mund të dëgjojnë e shohin kur refuzojnë të hapin sytë e veshët?! Të njëjtit deputetë, të cilët kur e kërkon partia dhe interesi i ngushtë mjaftohen me 5 minuta sqarime dhe binden, ja që tani po kanë paqartësi edhe pas një viti përplot debate, publikime e tryeza.  Ja që nuk i bindi as “eksperti” i demarkacionit i LDK-së, z.Gecaj i cili publikisht deklaroi se “teshat na i kanë pre pa na pyet fare”, që në përkthimin shqip-shqip i bie se marrëveshja është shumë e keqe por ja që nuk po na pyesin ne.

Nuk i bindi as vetë koka e kësaj marrëveshje, Thaçi i cili marrëveshjen me Malin e Zi e quan të vështirë, por të domosdoshme.  Edhe një deputet me inteligjencë minimale, do të mjaftohej me pyetjen se pse do të duhej të ishte e vështirë një marrëveshje e cila nuk po e humbka as edhe një metër katror territor.

Nuk po arrin t’i bind as edhe vetë kryeministri i cili publikisht po i gënjen deputetët e tij dhe qytetarët duke u fshehur pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të thuash se kështu po do Amerika, shteti mik që na do më së shumti, jo vetëm që paraqet qëndrimin më antiamerikan të një politikani kosovar, por duket edhe shumë paradoksal, meqë del e pakuptueshme se pse një vend mik që të do aq shumë, ka interes në zvogëlimin e territorit tënd.

Mustafa, Thaçi dhe Meha në fakt kanë qenë argumentuesit më të fuqishëm të humbjes së territorit edhe atë në shumë raste. Vetë frikësimi dhe shantazhimi i deputetëve, kërcënimi me masa disiplinore për të mosbindurit, deklarimi se votimi në mbrojtje të demarkacionit të drejtë është në kundërshtim me frymën e LDK-së, premtimet e rrejshme se demarkacioni është dritarja e vetme drejt të gjitha proceseve me rëndësi si liberalizimi, integrimi, prosperiteti ekonomik e krijimi i ushtrisë (ka mbetur pa u përmendur vetëm edhe bashkimi i Mitrovicës), krahas kërcënimit se mosvotimi nënkupton izolim të vendit dhe regres në të gjitha proceset; të gjitha këto janë të nevojshme vetëm në mungesë të argumenteve të mirëfillta.

Është pohuar edhe diçka tjetër shumë interesante. Marrëveshja e demarkacionit nuk qenka çështje e fakteve por e votimit. Rrjedhimisht deputetët nuk kanë nevojë të konsumojnë shumë kohë me faktet por mjaftohen të votojnë sipas preferencave, bindjeve apo instruksioneve që u jepen. Ajo që kryeministri nuk e tregon është se a bëhet marrëveshja e drejtë nëse votohet në parlament, edhe pse shkencërisht është dokumentuar si e gabueshme. Apo për ta thjeshtësuar idenë, cili do të ishte emri valid i kryeministrit, nëse deputetët me shumicë votash vendosin që emri i tij nuk është Isa Mustafa, por Isak Mustafiq?

Pasigurinë e tij në gjithë këtë situatë më së miri po e shpërfaqë vetë komisioni shtetëror, i cili në secilin prononcim të tij po demaskon veten edhe më shumë, duke u përpjekur që lëshimet e tij t’i arsyetojë me procese historike, si intervenimi i NATO-s, Marrëveshja e Kumanovës, Plani i Ahtisaarit, Shpallja e Pavarësisë, Harta në flamurin e Kosovës, Vendimi i GJND-së e pse jo edhe Marrëveshjet e Breton Ëoodsit të pasluftës së dytë botërore. Aq shumë lëshime saqë pas secilit prononcim po nevojitet mbështetje “profesionale” nga Mustafa dhe Thaçi. Apo edhe nga ekspertë si Lutfi Haziri, i cili me deklaratën e tij se nuk duhet të mbetemi peng i kauzës për territore, në fakt nuk po bënë asgjë më pak se ftesë publike për të hequr dorë nga një pjesë e territorit, meqë e subordinon territorin ndaj interesave tjera.

Në gjithë këtë histori, mbase më interesantet janë argumentet e vetë kryeministrit. Edhe pse publikisht në vazhdimësi ka mbrojtur si komisionin shtetëror ashtu edhe marrëveshjen e nënshkruar, postimet e tij në facebook, deklarimet për media, dhe kërcënimet publike ndaj deputetëve të LDK-së, shumë lehtë mund të interpretohen edhe si thirrje indirekte për të mos votuar këtë marrëveshje.  Si një klithmë drejt deputetë të tij, e tipit :

  • Unë jam i pafuqishëm (lexo i shantazhuar), por ju mos u manipuloni kaq lehtë.
  • Mos u besoni përrallave tona për izolim, meqë në botë ka mbi 220 mosmarrëveshje për linjën kufitare, madje edhe mes shteteve që janë shumë afër luftës, por asnjë rast të izolimit të ndonjë vendi për shkak të moszgjidhjes së çështjes së demarkacionit. Kuptojeni një herë e mirë se këtë kartën e izolimit jemi duke e përdorë secilën herë kur po na duhet vota e juaj.
  • Mos i besoni keqpërdorimit nga ana jonë të miqësisë me amerikanët, meqë as Kulla e as Çakorri nuk janë pika strategjike të përmasave ë tilla sa të ngjallin interesimin e fuqive të mëdha.
  • Mos i besoni Murat Mehës kur thotë se Mali i Zi ka dokumentuar me harta pronësinë në pjesët e mbetura andej kufirit, meqë sikur të ekzistonin ato harta, deri më tani do ishin publikuar 100 herë.
  • Mos i besoni premtimeve tona për liberalizim, për aq kohë sa krerët e korrupsionit janë në qeveri dhe kuvend.

Dhe sërish, të njëjtit deputetë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare po deklarojnë se nuk kanë dëgjuar fakte të mjaftueshme, por pa treguar se do të duhet të dukej nja fakt me të cilin ata do të mjaftoheshin. Deklaratat tipike të deputetëve të LDK-së se marrëveshja është e keqe (kundër interesave të shtetit), por interesi i LDK-së kërkon nga ne ta votojmë, sigurisht se nuk mjaftojnë. Të tillat në rastin më të mirë vetëm na ndihmojnë për të gjetur dallimin mes interesit shtetëror dhe atij të LDK-së.